Rama dërgoi projektligjin, qeveria vendos pezullimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit

Oct 10, 2018 | 17:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Qeveria vendosi sot të pezullojë përkohësisht veprimtarinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Ky vendim u mor gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama.

Me mbylljen përkohësisht të këtij autoriteti, mbikëqyrjen e lojërave të fatit do ta kryejë Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE:

PEZULLIMIN E PËRKOHSHËM TË VEPRIMTARISË SË AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES SË LOJËRAVE TË FATIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Pezullimin e përkohshëm të veprimtarisë, në fushën e lojërave të fatit, të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), deri në ristrukturimin e këtij institucioni.

Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë, si organi epror, të nxjerrë aktet e nevojshme për ristrukturimin e AMLF-së, si dhe të ndjekë zbatimin e këtij procesi.

Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë, të përcaktojë aktivitetet konkrete që do të vijojë të kryejë AMLF-ja, për mbikëqyrjen e veprimtarisë së lojërave të fatit, gjatë periudhës së përkohshme të pezullimit.

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Ndalimi i lojërave të fatit, Rama dërgon projektligjin në Kuvend

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se është dërguar ne Kuvend projektligji i Qeverisë për ndalimin e lojërave të fatit.

2

“Beso dhe kontrollo. U nisën për parlament ligji për ndalimin në 31 dhjetor të basteve e kazinove elektronike dhe ligji për kufizimin maksimal të kontakteve të të dënuarve për krim të organizuar me botën brenda e jashtë burgut po e po”, shkruan kreu i qeverisë në një postim në Facebook.

1

Rama: Kazinotë dhe pikat e bastit do ulin qepenat

Pas 1 janarit të vitit të ardhshëm, asnjë pikë bastesh sportive apo kazino elektrike nuk do të qëndrojë e hapur në zonat e banuara.

Kryeministri Edi Rama lajmëroi dje se brenda 31 dhjetorit të këtij viti, në zonat e banuara, lojërat e fatit nuk do të vazhdojnë të funksionojnë.

“Ky është një lajm që të gjitha familjet shqiptare do ta presin me kënaqësi dhe ka të bëjë me një ndryshim në ligjin për lojërat e fatit. Në territorin e Republikës së Shqipërisë, nga 1 janari nuk do ngrihet më asnjë qepen për baste dhe ashtu siç është përcaktuar në ligjin ekzistues, nuk do ngrihet më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë km katror të Republikës së Shqipërisë. Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive, si dhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, me kuaj, me qen apo me çdo lloj skllavi të faunës shqiptare”, u shpreh Kryeministri.

Nga ana tjetër, Kryeministri Rama paralajmëroi edhe pronarët e lojërave të fatit.

“Për ata që po synojnë ta çajnë rrethimin për ligjin ekzistues, me metodat që e çanë koalicionin qeverisës kur u shty mbyllja e këtij aktiviteti marrëzie kombëtare, sqaroj dhe një gjë tjetër, që Lotaria Kombëtare nuk do ketë asnjë element të kazinove elektronike, ose siç njihen në gjuhën zyrtare ‘VLT'”, u shpreh Rama.

Ashtu si pronarët e kazinove, Kryeministri Rama paralajmëroi edhe mediat të respektojnë ligjin për mostransmetim të reklamave të kompanive të basteve.

“Në zbatim të ligjit ekzistues, që ndalon reklamimin e kompanive të basteve dhe që është shkelur nga të gjitha mediat pa përjashtim, unë i paralajmëroj të gjithë: brenda 24 orësh të heqin të gjitha reklamat nga ekranet, nga radiot, nga gazetat apo nga portalet. AMA duhet të garantojë zbatimin e ligjit për sa u përket ekraneve dhe radiove, ndërsa ne do të mbyllim me forcë çdo faqe online, që pas 24 orësh do të ketë akoma reklama bastesh në shkelje të ligjit ekzistues të Republikës së Shqipërisë. Po sot, qeveria ka pezulluar veprimtarinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, i cili deri në 31 dhjetor do të transformohet dhe do të robotizohet përmes teknologjisë digjitale, për të funksionuar si mbikëqyrës në regjimin e ri”, deklaroi Kryeministri Rama.

31 DHJETOR 2018 është afati i fundit për zhvendosjen e kazinove elektronike dhe pikave të basteve sportive nga zonat e banuara, në rast të kundërt, subjektet që shkelin afatin, penalizohen

100 METRA do të jetë largësia mes basteve sportive, ndërsa nga shkollat dhe institucionet fetare largësia do të jetë 100 metra, nga km zero, zonë referuese që do të përcaktohet brenda qytetit. Edhe për bastet sportive vlen i njëjti afat, ata duhet të respektojnë largësinë nga njëri-tjetri brenda dhjetorit të këtij viti.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura