Qyteza gjermane nis nënshkrimin e peticionit, që të ndalë kthimin e azilkërkuesit kosovar

Jul 29, 2015 | 17:14
SHPËRNDAJE

Banorët e një qyteze të vogël në Gjermani kanë nisur nënshkrimin e një peticioni që kërkon mosdeportimin në Kosovë të një të riu kosovar, raporton KTV. Arsim Shabani ka veshur fanellën e klubit lokal DJK Schondra dhe është integruar mirë në shoqërinë gjermane. Megjithatë, atij i ka ardhur urdhri për kthim në Kosovë dhe po kalon ditët e fundit në vend. Nuk do të mund ta vazhdojë ëndrrën e të qenit futbollist në një klub gjerman. 

Lajmi i publikuar nga mediat e huaja
Lajmi i publikuar nga mediat e huaja

Ai jeton në Gjermani që prej Janarit dhe tashmë kishte filluar të luajë për klubin lokal DJK Schondra. Ndërkohë, kishte gjetur edhe një punë tek sigurimet shoqërore.

Paguan 200 euro në muaj për një dhomë të veçantë me banjë e kuzhinë në një kamp azilantësh, të cilën e ndante me një tjetër imigrant ilegal, transmeton KTV.

Horst Conze që merret me ndihmë vullnetare për imigrantët tashmë ka nisur grumbullimin e nënshkrimeve duke kërkuar që Shabani të mos kthehet në Kosovë.

“Nuk e kuptoj nëse dikush është i integruar si Arsimi, pse duhet ta kthejnë”, ka thënë Conze.

Në arsyetimin e refuzimit të azilit, thuhet se Shabani ishte ankuar se disa njerëz me mjekra e kishin kërcënuar në Kosovë dhe se ai nuk mund të kthehej atje.

Pohimi nuk ishte marrë si i besueshëm, përkundër raportimeve për prani të grupeve radikale islamike në Kosovë. Gjermania e konsideron Kosovën vend të sigurt dhe do të kthejë 99 % të azilkërkuesve kosovarë. Nëse peticioni nuk kryen punë, në listë të menjëhershme është edhe futbollisti Shabani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura