Qeveria tkurr shpenzimet, ulet kredia e biznesit për investime

Feb 11, 2016 | 11:59
SHPËRNDAJE

Rritja ekonomike për tremujorin e tretë të 2015-s rezultoi 2,98 për qind, kurse për 9 muajt e parë të vitit shënoi rënie duke arritur në 2,7 për qind. Banka e Shqipërisë, në raportin e tremujorit të fundit të politikës monetare për 2015-n, vlerëson se normat më të larta të rritjes nuk kanë arritur të thithin ende kapacitetet e pashfrytëzuara në ekonomi dhe aktiviteti ekonomik mbetet poshtë nivelit potencial.

Sipas Bankës të Shqipërisë, edhe për vitin 2016 rritja ekonomike parashikohet të jetë nën potencial.

Guvernatori Sejko
Guvernatori Sejko

Burimi kryesor i rritjes nga ana e prodhimit është sektori i shërbimeve dhe ai i ndërtimit. Nga ana e kërkesës, rritja ekonomike është mbështetur nga zgjerimi i investimeve dhe nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve me jashtë.

Konsumi i administratës publike ka vijuar i dobët, duke dhënë kontribut negativ me tkurrje të shpenzimeve buxhetore. Por edhe të ardhurat e mbledhura nga qeveria janë rritur ngadalë. Stimuli fiskal ka rezultuar negativ në vitin 2015.

Sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat kanë shënuar një rritje pozitive gjatë vitit, duke u vlerë- suar në 26.2% të PBB-së, ndërsa shpenzimet janë zvogëluar në 29.8% të prodhimit të brendshëm bruto. Shpenzimet buxhetore kanë arritur në 430.6 miliardë lekë në vitin 2015, duke u tkurrur me 1.9% krahasuar me një vit më parë. Shpenzimet për shërbimin e borxhit janë tkurrur, bashkë me zërin “shpenzime të tjera”.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ecuria e kredisë është shfaqur e plogësht edhe në tremujorin e fundit. Te biznesi, dominues mbetet kredia për kapital qarkullues dhe jo për investime. Ndër faktorët më të spikatur në muajt tetor-nëntor vijojnë të mbeten kërkesa e dobët për financim dhe kushtet e kreditimit, të cilat raportohen të shtrënguara për bizneset e mëdha. Nga ana tjetër, politika monetare lehtësuese është reflektuar në ulje të normave të interesit dhe rritjen e kredisë në lekë.

Edhe marrja eurobondit në tregjet e jashtme ka sjellë reduktim të marrjes së borxhit nga qeveria në bankat e nivelit të dytë, duke rritur nevojën për likuiditet. Banka vlerëson që këta faktorë do të jenë të pranishëm edhe për 2016-n. Eksportet kanë shënuar rënie në naftë dhe në metale. Inflacioni vazhdon të qëndrojë nën objektivin e Bankës të Shqipërisë dhe parashikohet në nivelin 2 për qind për 2016-n.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura