Qeveria ndryshon për herë të tretë buxhetin

Dec 29, 2015 | 12:54
SHPËRNDAJE

Për Financat, ky është viti më i keq. Në krahasim me buxhetin fillestar, të miratuar bashkë me rreth 100 milionë euro taksa të reja, në arkën e shtetit mungojnë jo pak, por të paktën 380 milionë USD. Financat pranojnë, edhe pse zyrtarisht e kanë shkelur me disa javë afatin për publikimin e të dhënave, se në nëntor gropa e të ardhurave është thelluar edhe më tej.

Cani1

E njëjta situatë pritet edhe në dhjetor. Burime nga Ministria tregojnë se deficiti në të ardhura, në krahasim me planin e ri të shkurtuar në korrik, arrin në 16 miliardë lekë, ose rreth 160 milionë USD. Duke bashkuar edhe uljen që u bë në mes të vitit, me rreth 220 milionë USD.

Në janar të ardhurat nga Tatimet e Doganat për vitin 2015 u parashikuan 294,717 miliardë lekë. Në korrik, plani u shkurtua dhe u bë 272,358 miliardë lekë, pra u ul me rreth 22 miliardë, ose 220 milionë USD. Në fund të tetorit, të ardhurat nga Tatimet e Doganat ishin 102,579 miliardë lekë. Financat nuk e kanë botuar tabelën me të ardhurat e 11-mujorit, por nën zë pranojnë një deficit prej 16 miliardë lekësh, ose 160 milionë USD. Vetëm këto shifra e zerojnë të gjithë pritshmëritë e qeverisë për vitin 2015. Ky vit ka qenë një dështim i madh fiskal. Në janar, qeveria parashikoi të merrte 400 milionë USD më shumë se vitin 2014.

Në fund të dhjetorit, arritja do të jetë nëse mbledhin sa në vitin 2014. Problemi i vetëm janë taksat e rritura me efekt mbi 100 milionë euro. Këto para mungojnë dhe zgjidhja është akti normativ. Por këtë vit, juristët e qeverisë e kanë bërë pak lëmsh përdorimin e kësaj zgjidhjeje ligjore. Në Kuvend në mes të dhjetorit ka shkuar një akt normativ për ndryshimin e buxhetit, i cili ndryshon destinacionin e investimeve. Pritet që në janar të shkojë i dyti, brenda 15 ditëve.

Një rekord i paparë ky që pasqyron qartë se çfarë po ndodh me Financat. Ministri Cani e pranoi dje, kur i pyetur për ndryshimet në buxhet me akt normativ, u përgjigj: “Patjetër, nuk ka si bëhet ndryshe. Do të ketë një akt normativ, nuk është çudi që akti të bëhet për dy arsye, njëra për pensionet dhe arsyeja e dytë energjia. Çështje thatësire”.

Ndryshimet në buxhet do të shkurtojnë ndjeshëm shpenzimet. Të paktën për të balancuar mungesën e të ardhurave. Megjithëse qeveria ka lënë një tjetër rezervë, atë të borxhit, të cilin e ka mbajtur nën parashikim gjatë gjithë vitit. Por, mungesa e shirave e kthen edhe një herë skemën e subvencionit për energjinë. Edhe pse rezultatet e OSHEE-së janë të mira, sërish do të duhet mbështetja e buxhetit për të blerë energji. Dhe ky është një lajm jo fort i mirë, i cili nuk do t’i pëlqejë as FMN dhe as BB.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura