Qeveria, “bujare” me fondet e lira si pasojë e vakancave në strukturat e institucioneve! Shtesë mbi pagën nga 7 deri në 15%, kategoritë që përfitojnë

Sep 29, 2022 | 15:14
SHPËRNDAJE

ADA HAIZOLLI/ Zbardhen vendimet e qeverisë për rritjen e pagave për disa kategori të tjera, ku përfshihen punonjësit e Policisë, gardës dhe zjarrëfiksit. Shtesa që do të nis të aplikohet duke filluar nga muaji shtator varion nga 7 deri në 15 për qind.

leke

Por duket se në këtë periudhë krize, mbështetjen më të lartë e kanë siguruar nëpunësit e administratës në Kryeministri, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Drejtësisë, për të cilët shtesa do të variojë nga 10 mijë deri në 26 mijë lekë sipas pozicionit që mbajnë. Sakaq, ndryshime në nivele pagash prej shtatorit do të ketë edhe në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, në Departamentin e Administratës Publike, si edhe në Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës. “Vendimet që kemi marrë janë të rëndësishme në kuadrin e rezistencës ndaj inflacionit të luftës dhe njëkohësisht të angazhimit tonë për të mbështetur të gjithë ata që janë më në nevojë, por edhe për të mbështetur ata të cilët janë në krye të detyrës dhe për këtë arsye ne sot kemi marrë vendimin që Policia e Shtetit, nivelet bazë, pra gjithë punonjësit e Policisë në nivel inspektorësh, si dhe niveli i mesëm të kenë një shtesë page. Shtesa më e lartë është për nivelin bazë, shtesa në vijim është për nivelin e mesëm, respektivisht 15% dhe 7%. Po ashtu, e njëjta gjë vlen për Gardën e Republikës, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen dhe për Policinë e Burgjeve, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen për zjarrfikësit, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen për administratën publike dhe jo vetëm për nëpunësit në shërbimin civil, por edhe për gjithë punonjësit mbështetës dhe të gjitha këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë”, tha Kryeministri Rama në përfundim të mbledhjes së qeverisë.

EFEKTI FINANCIAR

Në vendimet e publikuara dje mungon fatura që do të nevojitet për të përballuar efektin financiar të shtesës, por ajo që bie në sy është që për vitin 2022, në pjesën dërrmuese, rritja do të përballohet nga fondet e lira si pasojë e vakancave në strukturat e institucioneve. Pra, do të ketë një rishpërndarje e asaj çka ka mbetur pa u shpenzuar në këto institucione. Ndërsa në rastin e shtesës për zjarrëfikset, ajo do të përballohet nga fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2022 për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, në nivel qendror dhe në nivel vendor. Çfarë do të mbetet do të mbulohet nga fondi i akorduar për paketën e dytë antikrizë.

ENERGJIA

Kryeministri u ndal edhe te çmimi i energjisë, kur tha se do të synohet që të mos preket çmimi për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël. “Do të bëjmë çmos që të vazhdojmë të mbajmë të paprekur çmimin e energjisë elektrike për familjarët dhe për biznesin e vogël. E kam thënë dhe e përsëris, koha do ta tregojë nëse kjo është një marrëzi apo nëse kjo kurajë do shpërblehet me suksesin e merituar, por për shkak të mbajtjes nën kontroll me subvencion të vazhdueshëm të diferencës e cila rritet për shkak se çmimi rritet, inflacioni është pak më pak i rëndë dhe i dhimbshëm sesa në vendet e tjera të rajonit ku siç e keni parë, vendet janë futur në trajektoren e prekjes së çmimit apo në trajektoren e kufizimeve. Ne duam as të mos preket çmimi e as të mos ketë kufizime. Besoj që deri tani ia kemi dalë. Dimri është sfidë e madhe, por hap pas hapi do të shikojmë si do të veprojmë duke i qëndruar deri në fund me këmbëngulje këtij parimi dhe kësaj politike, që të mos prekim çmimin e energjisë për familjarët dhe për biznesin”, tha Rama. Por në fakt, janë më shumë se 71 mijë familje që do të preken nga vendimi për katërfishimin e çmimit të energjisë elektrike. Enti Rregullator i Energjisë miratoi disa ditë më parë propozimin e qeverisë për të 4-fishuar çmimin, për çdo kilovatë të harxhuar mbi fashën 800 Këh. Por, ndryshe nga çfarë u tha nga qeveria se prej vendimit preken 4 për qind e abonentëve familjarë, numri i tyre është dyfish më i lartë. Kështu, nga rreth 830 mijë abonentë familjarë, janë më shumë se 8 për qind prej tyre që do të përballen me faturë të shtrenjtuar këtë dimër, kjo për shkak të ngrohjes. Çmimet e ndryshuara do të nisin të aplikohen duke filluar data 1 tetor. Kështu, për çdo kilovatë të harxhuar mbi 800 Këh çmimi nga 9.5 lekë do të bëhet 42 lekë (pa përfshirë TVSHnë). Për ta konkretizuar, një familje që harxhon në një muaj 900 kilovat, me skemën aktuale detyrimi mujor është (900 X 9.5 lekë/këh) 8550 lekë. Kësaj shume i shtohet edhe TVSH (20 për qind) dhe fatura mujore në këtë rast është (8550 +1710) 10 260 lekë (pa përfshirë taksën e televizionit). E njëjta familje pas aplikimit të fashës do të paguajë për të njëjtën sasi energjie të harxhuar, pra 900 kilovatorë një faturë në vlerën e rreth 14 160 lekë, pra rreth 4 mijë lekë më shumë ose 38 për qind. Kjo pasi deri në 800 Këh çmimi do të jetë 9.5 lekë, ndërsa për diferencën që në këtë rast është 100 Këh çmimi do të jetë 42 lekë. Në këto kushte, sa më i lartë të jetë konsumi aq më shumë do të rëndojë barra financiare për qytetarët. Pjesë e planit për kursim është edhe rimbursmi në masën 70 për qind fillimisht për 2 mijë familje që do të instalojnë panele diellore, ndërsa institucionet do të jenë të detyruara të ulin konsumin me 15 për qind.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura