Që njerëzit të mos zhgënjehen nga fituesit e zgjedhjeve

Apr 9, 2021 | 9:08
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI

alb

Lëvizja Vetëvendosja në Kosovë, sikurse dihet, arriti në zgjedhjet e parakohshme parlamentare një fitore të merituar. Sovrani, me votën e tij, i besoi asaj drejtimin e vendit me shumë përgjegjshmëri.

Larg korrupsionit dhe pranë standardeve demokratike, për sundimin e ligjit, në mbrojtjen e njerëzve nga flama e Covid-19, si dhe për një hapësirë të re, pa mllefe e shtet solid në përballimin e sfidave gjatë rrugëtimit në Bashkimin Europian. Duket që një situatë e re po vinte në Kosovë. Zhvillimet e ditëve të fundit e kanë favorizuar atë.

Ardhja në krye të LDK-së e ekonomistit Lumir Abdixhiku u prit mirë dhe me shpresën se kjo forcë politike e rëndësishme do t’i mbyllë ato të çara që e kanë zbehur jo pak rolin e saj. Një opozitë me mentalitet tjetër, gjë që nuk u bë nga përfaqësuesit e partive të tjera opozitare, të cilët bojkotuan seancën parlamentare për krijimin e institucioneve, siç është ai i presidencës. Zgjedhja e Presidentit, që kërkonte kuorumin e nevojshëm, nuk e la anash LDK-në. Këtë radhë ajo u bë mbështetje e Vetëvendosjes në zgjedhjen e zonjës Osmani Presidente.

Inatet, tendencat hakmarrëse, cic-micet iu lanë së djeshmes, gjë që ndihmon vetë LDK-në në rritjen e reitingut të saj. Ndërkohë, ishte dhe një test ky për vetë kryesuesin e ri të Lidhjes Demokratike, i cili u kalua me sukses. Nga ana tjetër, për kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, zgjedhja e Presidentit të ri, pati dhe dritëhijet e veta. Këmbëngulja e tij për amendamentin e Ligjit për Zgjedhjet, lidhur me të drejtat e emigrantëve, duke mos përfillur mendimet e të tjerëve, përballë alternativës: ose me të, ose të shkohej në zgjedhje të reja, nuk mund të justifikohet.

E themi këtë se dukuri si kjo janë vërejtur dhe më tej dhe jo se erdhën papritur, duke u bërë kështu ushqim i arrogancës dhe vetëbesimit të tepruar. Njerëzit nuk kanë nevojë për këto të fundit dhe simotrat e tyre. Ata presin që problemet me institucionet qeverisëse dhe të tjera të marrin zgjidhje. Vullneti i votuesve kërkon vëmendje për ta respektuar atë. Kryeministri Albin Kurti, dje në opozitë, nuk pajtohej me shumë vendime të qeverisë. Tani është në situatë të re, ku nuk bëhet fjalë për keqpërdorim të pushtetit, por për qeverisje sa më efektive dhe për të gjithë.

Kur themi për të gjithë, nënkuptojmë sfumim të mërive apo të kërcënimeve ndaj opozitës, larg çdo egoje e deliri. Këto ditë, qeveria e zotit Kurti ka bllokuar daljen e qytetarëve të saj nga Kosova për të hyrë në Shqipëri, meqë janë rritur infektimet me Covid. Është kjo pengesë për ata arsimtarë, në rastin konkret, të cilët duan të vaksinohen në Kukës, me shpjegimin e mospranimit të vaksinave kineze, meqë Kina nuk e ka njohur Kosovën? Dhe kur? Ndërkohë që nevojat në Kosovë për vaksinën janë të mëdha. Nëse pas kësaj ka arsye të tjera politike apo ç’dreqin janë ato, kjo nuk e favorizon aspak Albin Kurtin dhe qeverinë e tij. Përkundrazi. Sepse, edhe pse Kina nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, në Prishtinë funksionon një Zyrë e Republikës Popullore të Kinës, me stafin përkatës, që koordinon punët midis dy vendeve. Marrëdhëniet tregtare me këtë shtet nuk kanë munguar. Kina është për Kosovën vendi nga janë importuar më shumë mallra, sipas Agjencisë së Statistikave.

Parvjet, në vitin 2019, këto importe kapnin vlerën 306 milionë euro ose 10.4 për qind të volumit të përgjithshëm të tyre dhe para këtij viti vlera ishte 281 milionë euro. Pra, flitet për Kinën, këtë fuqi të madhe ekonomike. Po kështu, ç’do të thuhej për Serbinë, kur dhe biznesmenë nga Kosova janë vaksinuar në Beograd dhe kur marrëdhëniet me të janë të njohura. Shkëmbimet tregtare të Kosovës me Serbinë zënë 70 për qind të volumit të përgjithshëm. Vetëm gjatë periudhës 2015-2019, importet nga Serbia kapnin shifrën mbi 1.4 miliardë dollarë.

Reflektimi ndaj këtyre dukurive mendojmë se do t’i bënte mirë zotit Kurti dhe liderëve të tjerë, jo qëndrimet si ato që përmendëm, të cilat dashur pa dashur vënë në dyshim kredencialet e tij për qeverisjen. Problemi shtrohet për më shumë tolerancë ndaj faktorëve të njohur politikë në Kosovë, me më tepër fleksibilitet, pa ndezur akuza për tradhti a patriotizëm, siç ndodh rëndom me ne. Kosova ka nevojë për një shtet të fortë, të drejtë, për një qeverisje të zonjën dhe aspak të krekosur, që t’i dalë zot situatës në vend, në të gjitha aspektet, në rrugën e procesit të integrimit. Njerëzit i kanë besuar dhe dhënë maxhorancës aktuale në Kosovë të gjithë çelësat në duar për sa më lart, pa rënë në gjunjët e këtij apo atij politikani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura