Pse erdhi Xhafa në Tiranë?

Oct 23, 2017 | 14:19
SHPËRNDAJE

SUZANA VARVARICA KUKA

xhafa

Menjëherë përgjigjen, sepse ai e kishte ëndërr, që vepra e tij, edhe pse befasuese në kohën e tij të lulëzimit, apo në kohën e tij më të mirë, apo në kohën e tij më inteligjente, të ishte e vlerësuar në Tiranë, të cilën e shihte si vendin e parë, pasi Tirana paramendohej si Shqipëria, për çdo artist të mirëfilltë të Kosovës.

Sepse Shqipëria është e gjitha shqipfolëse, dija flitet shqip, arti ndjesohet shqip, arti i Kosovës dëshironte të shqiptohet shqip, pa gabime figurativo-gramatikore. Shpresa e dëshira e Xhafës për të ekspozuar në Shqipëri do të kuptohej e pranohej tërësisht, si në përmbajtje dhe në formën e saj. Sepse ai e dinte se forma e tij e artit, mjetet e tij shprehëse, rroba e popullit të vet, nuk ishte lëvruar në artin e shqipfolësve të shqiptarëve të Shqipërisë, sepse ajo pjesë e pëlhurës me figura ishte pjesa e ndarë e territorit të shqiptarëve.

Sepse ai donte të na tregonte Shqipërinë e tij të Kosovës në një formë krejt të veçantë e befasuese. Ai dhe vepra e tij erdhën shumë, shumë vonë në Tiranë. E kjo nuk i dha shkas të merrte vlerësimin që meritonte nga publiku dhe studimet. E kjo nuk ia ul vlerën në historinë e zhvillimit, as në historinë e vlerësimit estetik e artistik. Xhevdet Xhafa dhe arti i tij janë monumente të artit e të kulturës figurative, si këndej dhe andej kufirit, siç shqiptarët e Kosovës dëshirojnë të thonë.

Xhevdet Xhafa është artisti i pavarur i multiformës mbi veprën dydimensionale. Ai është një nga artistët, që shfaqi personalitet krejt të veçantë dhe të dallueshëm nga brezi i tij. Xhafa është së jashtmi, njeriu i qetë e i urtë dhe, së brendshmi shpërthyesi i normave të kufizuara. Me një psik të tillë nisi jetën dhe përkushtimin ndaj artit modern. Fillimisht, vetëkërkoi të ishte njësh me tokën dhe njeriun shqiptar të ulur mbi të.

Ai preku fundin e tyre, preku të keqin që i kishte mbuluar, preku të zezën. Preku sendet e tyre. Xhafa, që prej viteve ‘70-të, zgjodhi të përjetojë emocione estetike prej erës së sendit e rrobës, si dhe afshin e përdorimit e përzjeu me vrullin e krijimit. Ai bashkoi imagjinatën me jetën e njeriut të thjeshtë të Kosovës. Veprat që krijoi janë përjetime të fenomenit “Autobiografia”, që nuk është thjesht shenja e autobiografisë vetjake, por autobiografia shpirtërore e një populli, të cilit artisti i përket. Xhafa, për një kohë, i dha ngjyrës së kursyer një vend spikatës mbi sipërfaqen e përbërë me sende.

Ai krijoi hapësira dydimensionale të ndërlikuara, me ngritje dhe ulje, të cilat janë simboli i një populli që dallgëzon në vorbullën e serës së zezë, e cila herë e lejonte të mbijetojë e herë e treste në brumin e vet, duke e kthyer në humus, për t’u përdorur si pleh udhërrëfyes i një të nesërmeje më të mirë për bijtë. Ai ricikloi jetën, rrobën, teshat, veshjet dhe memorizoi vdekjen mbi telajon e zezë e të rëndë. Disa herë brushoi me vrull simbole figurash të dala nga kultura që e lindi.

Dhe Jaša Denegri do e dallonte si: “…Artist i izoluar, plotësisht i tërhequr, i përqendruar vetëm në shqetësimet e veta, i kthyer nga mjedisi i vet kulturor dhe jetë- sor, plotësisht i painteresuar për botën e madhe të ngjarjeve artistike”. Ai u ul këmbëkryq në shtresat e dheut dhe të emocioneve të njerëzve të thjeshtë, që mbartin shijen e folkut e të traditës. Nuhati dhe zbuloi mbijetesën, duke prekur rrobën e trupit.

I nxitur si artist, përpunoi e bëri bashkë në një harmoni të çuditshme dhe esenciale, e mbi telajo me përmasa të mëdha, gjithfarë sendesh që mbarsin një simbol semiotik dhe i dha herë lëngun e zisë së halleve, vrasjeve, vuajtjeve e varfërisë e herë aromën dhe afshin e ngjarjeve të së përditshmes, ku e bardha është dritë e pakët, por e ngrohtë dhe e dashur.

Ai realizoi e realizon vepra të tilla, ku e qepura me dorë është vizatimi, materiali prej cope është ngjyra, ngritja dhe ulja e sipërfaqes është modelimi i relievit skulpturor, organizimi është harmonia dhe e tëra është një subjekt i caktuar që vjen nga geni, nga familja, nga vendlindja, nga kultura e qytetërimi ku bën pjesë, vjen nga mbijetesa, nga vdekja dhe jeta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura