Provokon Alfred Peza: Si ndryshoi Shqipëria maskiliste nga një grua

Oct 15, 2017 | 21:00
SHPËRNDAJE

A ka qenë me të vërtetë Shqipëria, siç e përshkruante Pashko Vasa, një “zonjë e randë”, apo “një zotëri i rëndë”?! Një vend patriarkal, ku burrat u kishin rrëmbyer grave edhe “ekskluzivitetin” e paradave, duke i kthyer logjet e burrave në “sfida bukurie”! Ku kërcimi i një femre të zbuluar, në ambientet e një ambasade, do të shkaktonte më shumë skandal se çdo e pabërë tjetër, në këtë vend të humbur të Europës?!

22195344_944008495737617_2107968912004337359_n

Gazetari Alfred Peza, i cili pas politikës sfidon veten e të tjerë edhe në lëmë të letërsisë, ka vendosur që përpos se të na sjellë një roman intrigues mbi historinë e një gruaje, që do të thyente tabutë e kohës, por edhe të provokojë, duke vënë në pikëpyetje ca “kode” të pranuara prej gjithë shqiptarëve. Në romanin “Sarah”, botim “MAPO Editions”, Peza do të “kapet” me një nga vjershat e Pashko Vasës, konsideruar si një himn i dytë: “O moj Shqypni”.

sarah-13-540x360

Ai ironizon me vargjet që e paraqesin Shqipërinë si një damë të madhe, duke ia përballur realitetit maskilist shqiptar të fillimshekullit XX. Dhe këtë diskutim ai e vë në gojën e dy prej personaliteteve më kontraversalë dhe unikë në historinë e Shqipërisë, Ahmet Zogut, asokohe President e Kryeministër, dhe Faik Konicës, mendjes më të ndritur, intelektualit dhe penës së mprehtë, që në roman na vjen nën emrin Fuad Bej, por që është lehtësisht i shqueshëm për ata që diç dinë nga historia e Shqipërisë dhe raporti i komplikuar mes këtyre dy figurave.

Përmes trillit letrar, Peza na rrëfen se si nisi rrugëtimin Shqipëria drejt emancipimit, nga një grua (Sara Blloshmi), një publicist dhe një mbret i ardhshëm. “Sarah” është historia intriguese, e një femre, që nuk i përshtatej tablosë së zymtë shqiptare të viteve ’20-’30 të shekullit të kaluar, ku përplasen personazhe historikë me ata të trilluar e që na zbulon arkitekturën e një shoqërie që po përpiqej të gjente rrugën vet: Perëndim apo Lindje? al. mi.

NGA LIBRI

– Si i bëhet që të ndryshohet realiteti ku në Lindje, njerëzit mendjen e kanë në gjumë dhe gjuhën në punë? Ndërsa në Perëndim, mendja është në punë dhe gjuha në gjumë?!

– Bravo! Bravo! Bravo … brofi krejt papritur në këmbë i gjallëruar Fuad Beu, duke e shoqëruar të gjithë këtë skenë gati-gati teatrale, me një duartrokitje të lehtë.

– Në gjithë këtë lëmsh sa mali i Tomorit, nëse ti do të ishe në vendin tim, nga do t’ia filloje?

– Nga Sara Blloshmi, imzot.

– Çfarë, çfarë …?! Apo më bënë veshët?

– Jam i sigurt që e keni dëgjuar fare qartë.

– Nuk bën që ta prishësh kësisoj shijen e një bisede si kjo Fuad Bej.

– Po, po. Do t’ia filloja nga Sara Blloshmi.

– Nuk po ju kuptoj.

– A është e vërtetë që Ju keni urdhëruar dënimin e saj shembullor, për shkak se ka kërcyer e zbuluar në ambasadën amerikane?

– Ajo nuk ka kërcyer, por ka shkelur me të dyja këmbët si e marrë ligjet e këtij vendi. Ju e dini shprehjen se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit …

– Ashtu siç ne të dy e dimë po aq mirë, se ajo është gënjeshtra më e madhe në botë, Ahmet Bej.

– E ka thënë Napoleoni, është e vërtetë. Por ai qeveriste një popull që prodhon qindra lloj djathërash dhe verërash. Ndërsa unë një popull që për mbret të sofrës, kanë gjizën e rakinë. Ata nuk hanë bukë misri të verdhë, por bukë gruri më të bardhë se jaka e këmishës suaj.

– Ligjet nuk janë aksioma që miratohen për të mos u ndryshuar më kurrë Ahmet Bej. E patëm një të tillë për 500 vjet dhe ja se ku na ka katandisur Kanuni. Kur nevoja tejkalon ligjin, ne nuk duhet të ndërrojmë popullin, por rregullat e lojës. Nuk ka ligj që e ndalon një popull të ndryshojë dhe ta tejkalojë vetveten.

– Ku po kërkon të dalësh?

– Ka ardhur momenti që shprehja “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia dhe vdiq nga politikanët”, duhet të ndryshojë.

– Si?

– Për mua, “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia dhe do të rilindë nga gratë”. – Prandaj Ju keni vendosur që të mos martoheni kurrë, Fuad Bej?

– Të dy jemi të barabartë përpara martesës. Ndaj, jam i bindur se edhe për këtë, Ju më kuptoni më mirë se kushdo tjetër.

– Po ju dëgjoj!

– Për mua ky vend duhet t’ia nisë nga zhbërja e miteve të veta të rreme. Pikësëpari nga kryemiti. Do ju duket ndoshta herezi, por për mua, duke filluar nga vargjet e Pashko Vasës: “O moj Shqypni, e mjera Shqypni, Kush të ka qitë me krye n’hi? Ti ke pas kenë një Zojë e randë, Burrat e dheut të thirrshin nanë!”

– Ç’të keqe kanë ato?

– E keqja është se ato nuk kanë asnjë kuptim. Sepse Shqipëria kurrë nuk ka qenë ndonjëherë “Zonjë”. E shumta ajo ka qenë një “Zotëri i randë”. Vërtet “Shqipëria” është gjinia femërore, por në realitet ajo është komplet mashkullore. Një motërzim i “burrneshave” a “virgjëreshave” të maleve.

– E teprove tani. – Me përjashtim të periudhës së Skënderbeut e ndoshta edhe ndonjë momenti tjetër të shkurtër përgjatë historisë, burrat që e kanë qeverisur këtë vend nuk kanë bërë gjë tjetër veçse e kanë shkatërruar, rrënuar, gërryer, shpartalluar, sfilitur, përdhunuar, grabitur, copëzuar e varfëruar. Burrat duke u identifikuar me “popullin” i kanë kënduar vetes, duke ngjizur mitin e tyre të rremë. Ja rezultati. Kemi sot një Shqipëri që është më e varfra e Europës. Ku burrat që i këndojnë besës, intrigojnë natë e ditë për të ngrënë tjetrin në besë. Jam i bindur se Shqipërisë shpëtimi do t’i vijë vetëm nga gratë. – Mos po më propozoni një republikë të re? Një republikë matriarkale? Sepse në fund të fundit, në një republikë të tillë, nuk do të ketë më vend as për mua e as për ty, Fuad Bej.

– Nuk jam aq naiv sa të besoj gjithsesi për një shoqëri ideale. Patriarkati është sot e do të jetë përjetësisht këmbëkryq me sa duket edhe në shtetet e shoqëritë ku i bëhet aq shumë propagandë barazisë gjinore.

– Nëse do t’i hynim këtij diskutimi edhe më thellë, matriarkati është po aq i diskutueshëm sa edhe patriarkati. Ju siguroj se nuk jam aq patriarkal sa dukem. Megjithatë, mjerë shqiptarët nëse do të qeveriset një ditë nga një femër. Do ta mallkojë veten dhe ne të dyve do të duhet që të na çojë në turrën e druve. Nuk jam në gjendje që ta përfytyroj se çfarë do të bënin po të kishin pak më shumë pushtet, e jo më që të fantazoj kur ta kenë një ditë të gjithin në dorë. Për një gjë jam krejt i sigurt. Sapo të hipnin në kolltuk, do të na i merrnin të gjitha haqet e brezave, së bashku.

– Ka një formulë edhe për këtë.

– E cila është?

– Bashkëqeverisja, bashkëpronësia, ndarje pushteti e përgjegjësish, gjysmë përgjysmë. Pra 50% grave dhe 50% burrave. Si në një votim të Parlamentit apo në bordin e aksionerëve një shoqërie tregtare, ku asnjëra nga gjysmat nuk do ta merrte dot vetëm vendimin, pa kompromis me gjysmën tjetër apo një pjesë të saj, imzot.

– A thua?

– Po. Por më lejoni për një moment t’ju sjell në vëmendje se çështja më e debatuar në histori, lidhet me dorëshkrimin e librit “Oera Linda”. Në të tregohet se Europa dhe shumë vende të tjera, në një pjesë të historisë së tyre, janë udhëhequr nga gratë. Bëhet fjalë për një civilizim të njohur si Frisian, alfabeti i të cilit, – siç thuhet, – mund të ketë qenë pararendësi i alfabetit të Greqisë së vjetër. Pra, njerëzimi në foshnjërinë e tij, atëherë kur jetonte në paqe e në harmoni me natyrën, pa luftëra e pa kryqëzata, pa tiranë e perandori, udhëhiqej nga gratë, Ahmet Bej. Kjo është një sajesë e mendjeve djallëzore dhe një utopi e pastër.

– Ajo që propozoj unë, është që të kemi një sistem ku femra të ketë një rol të tillë në jetën e vendit, që do t’ua hiqte burrave ekskluzivitetin e pushtetit absolut. Duke ia kufizuar, limituar, kontrolluar, amortizuar, frenuar a zbutur. E thënë shqiptarçe, “duhet me ia lag barutin”. Pas disa brezash, do të kemi një Shqipëri krejt tjetër nga ajo që kemi trashëguar deri më sot.

– Të ndërtosh një shtet me fjalë dhe me shkrime e të qeverisësh çdo ditë praktikisht, janë dy gjëra po aq të largëta, sa edhe të drejtat mes burrave dhe grave në këtë vend.

– Vetëm duke u bazuar te gratë, do të kesh mundësi që të
qeverisësh burrat. Duke menduar se do të qeverisësh gratë, duke hyrë në kompromis me burrat, do të thotë që nuk i njohke fare gratë në përgjithësi e ato shqiptare në veçanti. Sepse krejt e kundërta është e vërtetë. Vetëm duke ngritur mitin e femrës, do të arrish që të rrëzosh qindra vitet e një historie të shkuar dëm, prej miteve mashkullore. Mos e humbni këtë shans, sepse historia nuk do ua falë. Ky është kryqëzimi që ndan rrugën e udhëheqësit të radhës, nga lideri që do të hyjë në histori si burrë shteti.

– Nëse nuk do të isha mësuar herët me pushtetin, do të më bënit të skuqesha nga këto fjalë bujare, që kurrë nuk kam besuar se do t’i dëgjoja nga goja Juaj. Por, e gjitha çfarë thatë, është shumë e bukur për të qenë një ditë e vërtetë.

– Përkundrazi. Kjo është po aq e thjeshtë sa Kolombi e bëri vezën e tij të famshme, që të qëndrojë në këmbë, imzot.

– Pa hë, Fuad Bej.

– Për shembull, Sara duhet bërë shembull. Jo për t’u ndëshkuar, anatemuar, demonizuar, por për t’u promovuar si model suksesi. Simboli i femrës së re shqiptare. Etaloni i një gruaje të emancipuar, së cilës duhet t’i ngjajnë të tjerat, nëpërmjet një procesi të pandalshëm emancipimi shoqëror.

– Ka pasur edhe më parë modele femërore në këtë vend. Marigo Pozios, që e kam njohur në Ditët e Pavarësisë në Vlorë. Përfundoi Mësonjëtoren e Vashave, krijoi Shoqërinë e Grave dhe gazetën “Shpresa Kombëtare”, duke u bërë e para femër kryeredaktore në historinë e medias shqiptare.

– Vlora është e shquar për flamur dhe emancipim. E njoh historinë e “Zonjës Fatale” të Kaninës, Maria Frëngut, kunatës së despotit të Epirit, Mihali II. U martua fillimisht me qeveritarin bizantin të Arbrit, Konstandin Habaronin e më pas, me mëkëmbësin e mbretit të Napolit, admiralin Filip Kinardi. Për të vijuar me Komnena Muzakën që qeverisi KaninKaninën pas vrasjes së bashkëshortit të saj, Princit Balsha II, në betejën e Savrës. Pas sulmeve të para osmane, vajza e tyre Rugina, u detyrua të ikte me dëshpërim nëpërmjet Himarës, në Korfuz.
– Jo më kot e meritoni përcaktimin “bibliotekë shëtitëse”, Fuad Bej.

– Ajo që doja të thosha me këtë, lidhet me faktin se kjo histori i përket një epoke tjetër. Çdo epokë ka nevojë për heronjtë e vet. Në Francë, aktualisht një grua me emrin Coco Channel po bën me kapele e parfume, ndoshta atë që shekuj më parë, Zhan D’Ark e bëri me shpatë në dorë. Ndryshe nga ai i heroinës 19-vjeçare, revolucioni i sotëm i Channel është emancipues. Jo vetëm për francezët, por për gjithë njerëzimin. – Më në fund po e kuptoj ngazëllimin e pamat të komandantit të shtabit qendror të forcave aleate në Lindje, Fernando Nonza, kur Esadi ia dhuroi formulën sekrete të parfumit të Karl Topisë. “Një përzierje lulesh e bimësh, shumë më të rafinuara nga sa mund të mendohet sot”, – siç thoshte ai.

– Më fal që po ta shaj në sy dajën, por Esad Pasha ishte aq injorant, sa nuk besoj se e ka ditur që me këtë akt ka bërë një tjetër tradhti kombëtare. Mendja e tij e ngushtë nuk mund ta kuptonte se në të ardhmen nuk do të ketë më luftëra si kjo ku ai paska njohur këtë far Nonza. Luftërat e reja mund të jenë vetëm për tregje dhe mallra si ky parfum. Një parfum që me siguri, i ka rrënjët në Francën e Coco Channel-it.

– Ç’ne?

– Sepse nëna e Karl Topisë ishte franceze dhe quhej Helena. Jo Helena e Trojës. Por bijë e familjes mbretërore anzhuine dhe e fejuara e princit të Moresë. U dashurua me Tanush Topinë, gjatë qëndrimit për një natë në kalanë e Durrësit, kur ishte duke udhëtuar me anije drejt Greqisë. Pas një viti nga kjo histori që turbulloi keqas Mesdheun, lindi Charles, shqip, Karli. Fundi i historisë dihet tashmë. Mbreti Robert i anzhuinëve e ftoi kontin e Durrësit me Helenën në Napoli, duke i vrarë pas darkës së mirëseardhjes. Me sa duket, përpara nisjes, nëna i la djalit formulën e parfumit me lulet e rralla të maleve shqiptare. Edhe për këtë shkak, fama e Karl Topisë e kaloi shpejt Adriatikun dhe Papa Grigor XI i akordoi “Grande Comte d’Albania”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura