Protestë mbarëshqiptare sot në Shkup, kërkohet dorëheqja e Gruevskit

Jun 13, 2015 | 9:10
SHPËRNDAJE

Në Shkup sot pasdite do të mbahet marshi protestues gjithëshqiptar me moton “Protestoj Shqip”. Dorëheqja e Qeverisjes aktuale, zbardhja e të gjitha të vërtetave për shqiptarët dhe kërkesa për një marrëveshje të re në Maqedoni janë 3 kërkesat kryesore të protestës.


“Ky është një marsh shqiptar, pa emblema partiake dhe asnjëri nga subjektet që e mbështesin atë nuk e ka primatin e protestës. Për këtë arsye edhe njëherë i ftojmë të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, që nesër të dalin bashkë me familjet e tyre për t’i shprehur fuqimisht kërkesat e kësaj proteste. Protesta e nesërme do të ketë vetëm 3 mesazhe, dorëheqja e qeverisë antishqiptare, të inkriminuar dhe të korruptuar Gruevski dhe Ahmeti, zbardhja e të gjitha të vërtetave shqiptare në Maqedoni dhe kërkesa për një marrëveshje të re për Maqedoninë.”, deklaruan nga Këshilli Organizativ i Protestës.

Thirrjes për protestën që do të nise në ora 17.00 e kanë bërë edhe shumë familjarë të të burgosurëve shqiptarë në rastet e montuara. Bedri Ajdari, njëri nga familjarët e të dënuarëve për rastin “Monstra” ka apeluar që të gjithë shqiptarët të përkrahin këtë protestë dhe të ngrenë zërin kundër padrejtësive që po i ndodhin popullit shqiptar në Maqedoni. Mesazhe të tjera kanë bërë edhe shumë familjarë të të burgosurëve të tjerë shqiptarë në rastet e montuara dhe që kanë të bëjnë kryesisht me ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Sipas këshillit organizativ protesta nis nga Parku i Çairit dhe do të përfundojë para urës “Goce Dellçev” që është afër Qeverisë së Maqedonisë. (INA)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura