Pronat, 153 përfituesit e rinj që marrin kompensimin

Dec 2, 2016 | 13:12
SHPËRNDAJE

pronatPërfituesit me vendime ’93 e ’94, në skemë 4 familje me kërkesë të veçantë

Agjencia e Pronave: Ndahen 8 milionë dollarë dhe 58 ha tokë

Pavarësisht se janë ende të panjohura argumentet që do të japë Gjykata Kushtetuese për ligjin e ri të pronave, ATP nuk është kushtëzuar, por ka vijuar normalisht procesin.

Dje është publikuar lista me përfituesit e rinj. Janë 153 familje, kryesisht me vendime të para ’94, të cilët përfitojnë nga fondi i kompensimit financiar dhe fizik që agjencia disponon.

PËRFITUESIT
Pjesa më e madhe e pronarëve kanë paraqitur kërkesë për të përfituar nga skema e kompensimit financiar. Kështu, nga 153 kërkesa të miratuara, 118 janë trajtuar përmes shpërblimit në të holla, sipas formulës së përcaktuar në ligjin e ri, ku një metër katror është vlerësuar mbi bazën e zërit kadastral që prona ka pasur në kohën e konfiskimit.

Vlera e kompensimit financiar që përfitojnë këto vendime është rreth 961 milionë lekë, thënë ndryshe, rreth 8 milionë dollarë. Nga ana tjetër, vetëm 38 vendime që datojnë në periudhën 1993 dhe 1994 kanë përfituar nga fondi fizik që agjencia ka në posedim. Por në radhët e përfituesve ka edhe nga ata me vendime të pas ’94, por që kanë aplikuar përmes kërkesave të veçanta. Gjithsej janë 4 familje, të cilat kanë preferuar të marrin një pjesë të vlerës së kompensimit dhe të heqin dorë nga pjesa e mbetur.

Sikundër edhe pritej, një pjesë e konsiderueshme e vendimeve të vlerësuara ekonomikisht nga Agjencia e Trajtimit të Pronave preken nga ndryshimi i zërit kadastral. Edhe nga të dhënat e paraqitura mund të vihet re se raporti ndërmjet tokës bujqësore që është kompensuar dhe asaj truall është shumëfish më i madh. “Me fondin financiar dhe fizik të mësipërm, janë kompensuar përfundimisht vendime të ish KKKP-ve, të cilat kanë njohur të drejtën e kompensimit për sipërfaqet si më poshtë: tokë truall 13,2 ha dhe tokë bujqësore 31,3 ha”, bëhet me dije nga ATP.

FONDI
Publikimi i kësaj liste të radhës e çon në 12.5 milionë dollarë fondin e ndarë nga Agjencia e Trajtimit të Pronave brenda këtij viti. Rreth 4.5 milionë dollarë u përdoren për kompensimin e 34 familjeve rreth dy muaj më parë. Sa i takon tokës bujqësore, nga fondi 23 mijë ha që ka ATP, janë ndarë deri më tani 58.5 ha. “Me kuadrin e vjetër ligjor nuk është bërë kurrë më parë kompensim fizik nga fondi i tokës, ndërsa me kuadrin e ri ligjor, ATP ka shpërndarë një fond toke prej 58,5 ha, duke konfirmuar eficiencën e zbatimit të ligjit të ri për realizimin e procedurave të kompensimit fizik.

Ndërsa fondi financiar i shpërndarë vetëm gjatë 3 muajve me kuadrin e ri ligjor është 1 522 149 306 lekë, krahasuar me fondin financiar të shpërndarë në total për 9 proceset e mëparshme gjatë viteve 2005- 2014 për kompensimin e pronës sipas kuadrit të vjetër ligjor, rezulton të jetë pak më tepër se 1/3-a e këtij fondi, gjë që konfirmon përsëri eficiencën e zbatimit të ligjit të ri për realizimin e procedurave të kompensimit financiar”, bëhet me dije nga drejtoresha Sonila Qato. Nga fondi vjetor kanë mbetur edhe rreth 12 milionë dollarë që nëse nuk do të ndahen brenda këtij viti, do të mbarten për t’u ndarë vitin e ardhshëm.

Per te pare listen e plote klikoni ketu

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura