Pronarja e argjendarisë: U përleshëm me dy grabitësit

Nov 3, 2012 | 14:07
SHPËRNDAJE
Olta Shllaku

“Ashtu si im atë, mbrojta biznesin tim, edhe pse e dija rrezikun”

Vajza e Rrapo Sinanajt: Arma, e vërtetë. S’morën bizhuteri.

Olta Shllaku, vajza e Rrapo Sinanajt, argjendarit të vrarë një vit më parë, të mërkurën u sulmua për t’u grabitur nga dy persona tashmë të arrestuar. Ajo tregoi dje se është përleshur me autorët dhe nuk i ka lejuar që t’i marrin bizhuteritë. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, pronarja e argjendarisë pranë zonës së “Selvisë” në Tiranë, që u grabit tri ditë më parë, tregon detajet e ngjarjes. Ajo thotë se edhe pse ishte e vetëdijshme se mund të ndodhte ndonjë ngjarje edhe më e rëndë, ashtu siç i ndodhi të atit, pasi autorët ishin të armatosur, ajo dhe i shoqi u përleshën me autorët duke tentuar t’u heqin pistoletën nga duart. Ndryshe nga pretendimet e të arrestuarve se arma e grabitjes ishte lodër, Olta Shllaku këmbëngul që pistoleta ishte e vërtetë, madje ajo tregon se i shoqi ka tentuar t’ua heqë nga duart dhe e ka prekur armën.
Ditën e mërkurë ju u sulmuat nga dy grabitës në argjendarinë tuaj. Si ndodhi ngjarja?
Unë ndodhesha te dyqani ngjitur me argjendarinë. Brenda kisha klientë. Im shoq, sapo ishte larguar, u rikthye për të marrë diçka. Ai ndodhej në dyqan kur pashë dy persona të maskuar, të gjatë, dhe njëri mbante një pistoletë në dorë. Klientët dolën të tmerruar nga dyqani, pasi, normalisht, kishin frikë.
Po ju nuk patët frikë?
Frikë pata, por duke qenë se po kërcënohej dyqani im, jeta ime, normalisht që do reagoja me çfarë të mundesha. Mbase po rrezikoja shumë, por nuk mund t’i lejoja të më vidhnin.
Pra ju i kundërshtuat?
Patjetër që po. Unë dhe im shoq. U përleshëm me ta në dyqan dhe jashtë. Shtypëm butonin e alarmit fillimisht që të lajmëronim policinë private që kemi kontraktuar, dhe pastaj u përleshëm derisa i nxorëm jashtë.
A ju kërcënuan?
Po, na kërcënuan. Më drejtuan pistoletën dhe ma vendosën në qafë, por kundërshtova. Do mbroja biznesin tim dhe nuk e mendova më gjatë se çfarë do të ndodhte.
Ju thoni që pistoleta që grabitësit mbanin në dorë ishte e vërtetë, por ata pretendojnë se ishte lodër…
Absolutisht që ishte e vërtetë. Ne e prekëm me dorë armën, pasi im shoq po mundohej që t’ia hiqte nga dora atij djalit. Pistoletën e mbante njëri që ishte më i gjatë, dhe na e kishte drejtuar. Pastaj ai i ra xhamit me atë pistoletë. Ishte një objekt metalik, jo plastik, që ata mund të pretendojnë se ishte lodër. Po në rast se ishte lodër, pse e hodhën pistoletën? Ata mund të kishin më shumë lehtësira në rast se do t’ia dorëzonin policisë armën, pasi do provohej që nuk ishte e vërtetë.
A keni bërë bilanc për të përllogaritur sa mund të jetë shuma e bizhuterive që u grabitën?
Ende nuk e kemi marrë veten nga ajo që ndodhi dhe nuk është se kemi bërë ende ndonjë bilanc. Ka mundësi që edhe të mungojë ndonjë bizhuteri, por ne nuk i lejuam të na grabisin. Ua morëm nga çanta bizhuteritë që na kishin vjedhur.
Ju thoni që ata nuk kanë arritur të marrin bizhuteri?
Këtë nuk mund ta them me siguri, pasi siç ju thashë, nuk kemi bërë ndonjë bilanc për të verifikuar sa gjëra mungojnë këtu. Unë dhe im shoq nuk i lejuam që t’i merrnin me vete bizhuteritë. Burri ua rrëzoi motorin dhe ua morëm ato çfarë kishin vjedhur.
Babai tuaj, Rrapo Sinanaj, humbi jetën një vit më pare në një grabitje…
Babai im fatkeqësisht humbi jetën në një ngjarje të tillë për të mbrojtur biznesin e tij, ashtu siç e mbrojta edhe unë. E mendova këtë ditën e ngjarjes, por nuk mund t’i lejoja që të më merrnin asgjë në dyqan. Kam përshtypjen se çdokush do të vepronte në të njëjtën mënyrë, do ta mbronte mallin e vënë me jetë, me punë dhe me sakrifica. Kemi rreth 12 vjet që e kemi hapur këtë dyqan.
Kanë tentuar ndonjëherë tjetër t’ju grabisin?
Po. Nuk është ky rasti i parë. Por rastet e mëparshme nuk kanë qenë të dhunshme në këtë mënyrë dhe janë mbyllur pa problem. Policia u tregua shumë eficiente. Unë gjej rastin që t’i falënderoj jo vetëm në emrin tim, por në emër të të gjithë qytetarëve.

Redi Rrjolli flet në Gjykatë: Arma që përdorëm ishte lodër
“Burg pa afat” autorëve të vjedhjes në argjendari

Redi Rrjolli

TIRANE – Dy të rinjtë e dyshuar për grabitjen me armë të argjendarisë së vajzës së argjendarit të vrarë nga Viktor Gushi, Rrapo Sinanaj, do të hetohen në masën e sigurisë “arrest me burg”. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës caktoi këtë masë sigurie ndaj dy 28-vjeçarëve Redi Rrjolli dhe Klodjan Martini. Në dy seanca të njëpasnjëshme, të zhvilluara me dyer të mbyllura, Rrjolli e Martini paraqitën pretendimet e tyre para gjyqtarit të gatshëm, Ridavan Hado. Burime të Gjykatës sqaruan se i pandehuri Rrjolli pranoi të ishte një nga personat që u futën në argjendarinë e Olta Shllakut pak pas mesditës të së mërkurës. Por, sipas tij, arma që ka pasur në dorë nuk ishte e vërtetë. “Kishim armë, por ishte plastike. Na ra përtokë kur u larguam”, mësohet të jetë shprehur para gjykatës i pandehuri Rrjolli. Në vijim, i pandehuri Rrjolli është shprehur se pasi janë futur në argjendari, janë përleshur me pronarët dhe janë larguar që aty pa marrë me vete asgjë nga bizhuteritë e florinjta. Përfaqësuesi ligjor i të pandehurit Rrjolli, avokati Artor Ylli, i ka kërkuar gjykatës një masë sigurie më të butë për klientin e tij. Ndërsa i pandehurit tjetër, Klodian Martini, ka qëndruar i heshtur para gjykatës. Ai ka dhënë vetëm gjeneralitetet dhe përmes avokatit të tij ka pretenduar një masë sigurie më të butë se ajo e “arrestit me burg”. Më herët, përfaqësuesi i akuzës, pasi paraqiti vjedhjen me armë të realizuar nga të rinjtë, kërkoi lënien e tyre në qeli. Pasi u njoh me pretendimet e palëve dhe u tërhoq në dhomën e këshillimit, gjykata vendosi vlerësimin si të ligjshëm të arrestit në kushtet e flagrancës për dy të rinjtë dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre. Ngjarja për të cilën akuzohen dy të rinjtë u shënua në orën 13:15 të së mërkurës, në një argjendari te Rruga e Dibrës në Tiranë, në hapësirën mes kryqëzimit të zonës së njohur si “Selvia” dhe Shkollës së Muzikës.            ar.ba

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura