Pronari i piceri “Era”: Jam idiot, trap, hajvan, që denoncova dhunën e Policisë

Jun 28, 2016 | 12:17
SHPËRNDAJE

Pronari i Piceri “Era”, Altin Bamllari ka bërë një ‘autokritikë të shëndoshë’ përmes një statusi në faqen e tij në Facebook pse denoncoi dhunën që i shkaktuan disa policë.

altin bamllari

Me ironi ai e quan veten idiot, hajvan dhe trap që bëri publike disa foto ku dukej dhuna që, sipas tij i ishte ushtruar.

Statusi i plotë

Dje i dhunuar, sot mashtrues, nesër në burg.

Në këtë vend, pak po nxore kokën nga llogorja do ta hash një plumb ballit.

Më thotë shpesh im atë dhe ime ëmë: “Shiko punën tënde, mos u ngatërro kurrë me qeverinë se ti e di po t’u vunë ata…” Mirëpo unë, në vend që t’i qetësoj, u them me shaka që këtu është akoma më keq. Këtu e ha nga të gjitha krahët. “E sheh, më thonë ata. Kur e di, pse s’rri rehat. Shyqyr që keni ngritur një biznes me emër, ç’ju duhen të tjerat?!”

Megjithëmend.., ç’më duhen të tjerat?

Ç’më duhet mua ta kruaj me policinë, tatimorët, kontrollorët, gjyqtarët, prokurorët?

Ç’më duhet mua të merrem me të gjithë racën e atyre që të cënojnë pronën dhe dinjitetin tënd?

Bëj sikur nuk sheh! Bëj sikur s’dëgjon! Bëj sikur s’kupton! Paguaj ndonjë gjë nën dorë! Servilosu, llaposu, po u desh.., bëj edhe ndonjë gjë tjetër..! Vetëm kështu, jo vetëm s’të hyn gjë në këmbë, por mund të fitosh edhe miliona. Pale po të kesh edhe dy gram tru.., miliarda.

Ç’mu desh mua që denoncova njëçikë dhunë policore?

Idiot! Hajvan! Trap!

Kështu po e fshikulloj veten.

Dhe e dini pse?

Sepse këtu vërtet ta fusin të gjithë. Policia, tatimorët, kontrollorët, gjyqtarët, prokurorët, dhe në fund edhe media.

Nga kjo e fundit vërtet duhet të kesh frikë. Nuk ka rëndësi në je i ndershëm apo jo. Media ndonjëherë nuk bën dallim. Ajo një ditë të bën hero, ditën tjetër i nxit turmat të të “vrasin”. Herë me të keq e herë me pa të keq. Në fund të bën edhe një bust.

I fundit është publiku, por jo i gjithi. Janë injorantët, intrigantët, llapaqenët, teveqelët, dembelët, servilët, ziliqarët, kokëboshët dhe zagarët, të gjithë ata që duan sebeb për të ta shkrehur karikatorin e sharjeve mu në gojë.

Dje një media, pastaj një tjetër, nxorrën dy video dhe i shoqëruan me tituj bombastikë për të nakatosur gjykimin e njerëzve, sidomos të atyrë që as shohin videot dhe as lexojnë artikujt, por vetëm dhurojnë klikime. Nuk mund të them që janë në shërbim të pushtetit, por të nxjerrësh video policore pa zërin e policave dhe t’i quash amatore, kjo është e turpshme.

Të mos ngresh disa dyshime, të mos shtrosh disa pyetje, të mos bësh disa verifikime, por o burra “copy paste” siç na e dhanë, kjo nuk është aspak profesionale.

Mua më vjen turp ta them fjalën “të montuara” sepse kjo fjalë lidhet me dhjetra e dhjetra video të tjera dhe askush s’të beson. Por vërtet qenka e frikshme.

Megjithatë, pa e lënë vetën të bëhem fare i pabesueshëm për publikun, kam vetëm disa pyetje:

  1. Pse dje më besuat dhe sot Jo? A s’duhet ta investigonit pak më tepër rastin, pastaj të më bënit personazh?
  2. Pse sot publikoni ca pjesë videosh të dhuruara e montuara nga policia dhe s’u kërkoni videon e plotë? Policia sikur ka kamera!!
  3. Ku janë britmat e policëve, provokimet dhe dhuna e tyre psikologjike e fizike?
  4. Ku është video që u dhunuam, gjakosëm dhe prangosëm?
  5. Pse policët bisedojnë si qingja?
  6. Pse s’bëni pyetjen: Po këta ç’patën? Pse u larguan me vrap nga policia?
  7. Si na dalluat që vraponim në errësirë?
  8. Po emrat e atyre miqve të titujve tuaj, pse nuk ua thashë që sa shkova policëve, por kur donin të më rrëmbenin djalin?

Por çfarëdo që të bëni tani, unë ndihem i dorëzuar.

Në këtë vend nuk ka për të dalë kurrë e vërteta. Dhe ju po ndihmoni të jetë kështu.

Më thonë shpesh prindërit: “Shiko punë tënde mor’ bir!”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura