Prokuroria pyet 4 zyrtarë të policisë për pajisjen e përgjimit. Ja ç’dinë ata

May 18, 2016 | 16:53
SHPËRNDAJE

Aparatura e përgjimit, që dyshohet se përdoret në mënyrë të paligjshme nga policia e shtetit, çon në prokurori zyrtarë të lartë të uniformave blu.

Pasditen e së martës, prokurorët Anisa Qilimi dhe Gjergj Tako kanë marr% në pyetje për rreth 6 orë 4 drejtues të policisë.

Me cilësinë e personave që kanë dijeni, prokuroria ka pyetur drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit z.Haki Çako, Zv/drejtorin z.Ardian Çipa, shefin e operacionales së policisë Artion Duka dhe drejtorin teknike të efektivëve blu Edmond Goga.

Sipas akuzës, i pari është pyetur drejtori Çako i cili ka shpjeguar se pajisja për të cilën ka nisur hetime prokuroria, është vetëm për identifikimin e numrave të telefonit.

aparatura

Pajisje kjo që sipas tij, është përdorur vetëm për trajnime.

Sa i përket përgjimit, mësohet se Çako ka thënë se ajo pajisje nuk përgjon numra telefoni por vetëm identifikonte numrat që kanë personat në përdorim. Ndërsa për vendndodhjen e saj, kryepolici është shprehur se ajo është në pronësi të Interforcës italiane.

Të njëjtin qëndrim, mësohet se ka mbajtur para hetuesve edhe zv/drejtori Ardian Çipa, i cili ka mohuar në mënyrë kategorike përgjimin e ndonjë numri. Gjatë seancës së marrjes në pyetje, Çipa ka pretenduar se kjo pajisje është përdorur vetëm në trajnimin e agjentëve të policisë, që janë pjesë e sektorit të operacionales. Për këtë fakt, prokurorët kanë marr në pyetje edhe drejtuesin e njësisë së operacionales Artion Duka. Mësohet se Duka ka pranuar se agjentët e tij kanë përdorur këtë pajisje në trajnim, por që shërben për identifikimin e numrave të individëve që janë në ndjeke nga agjentët e operacionales. Ai ka thënë se kjo pajisje ka qenë në ambientet e drejtorisë së tij, ku oficerët janë trajnuar. Prokurorët gjithashtu, kanë pyetur edhe drejtorin teknike të policisë, i cili ka sqaruar anën teknike të kësaj pajisje, duke mohuar që ajo aparaturë kryen përgjime telefoni.

Sipas akuzës, të 4 personat e pyetur me cilësinë e dëshmitarëve, edhe pse veçmas nga njëri tjetri, kanë deklaruar se pajisja ndodhet pranë Interforcës italiane dhe jo policisë së shtetit.

për këtë fakt, burimet zyrtare të prokurorisë i thanë ABC News se i është nisur një shkresë Ambasadës Italiane, ku kërkohet identifikimi dhe vënia në dispozicion e programeve dhe pajisjeve që Interforca ndihmon policinë e shtetit. Edhe pse kjo shkresë është dërguar që ditën e premte, ende prokuroria nuk ka një përgjigje. /AbcNews/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura