Projektet argëtuese të qeverisë, kreu i FSHZH Dritan Agolli hap tenderin 11 milionë euro në Elbasan

Aug 17, 2022 | 7:31
SHPËRNDAJE

Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të shpenzojë plot 11,1 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë për ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse për të ashtuquajturin kompleksi “AutoMoto Park” në Elbasan, një pistë automobilizmi e gjate 5,3 km.

dritan agoll

Fondi ka hapur dy tenderë njeri 4,7 milionë euro për rrugët ndërlidhëse, dhe 6,4 milionë euro për argjinaturat mbrojtëse të lumit Shkumbin. “Auto-Moto Park” në Elbasan është një projekt i Drejtorisë se Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, që financohet nga vetë kjo drejtori, qeveria dhe mbështetet nga bashkia e Elbasanit, çka do të thotë se investimi nuk mbyllet me 11,1 milionë eurot e tenderëve në fjalë, por do të ketë të tjera lote.

Sipas Drejtorisë së Transportit Rrugor, cirkuiti automobilistik do të ketë disa komponentë për testimin e makinave, zona sportive, muze autovetuarsh dhe deri pistë helikopterësh. Sipërfaqja në dispozicion është 50 hektarë dhe ndodhet në Elbasan. Zgjedhja e qeverisë që t’i ndërtojë autostradat me koncesion, dhe qytetarët t’i përdorin ato kundrejt pagesës për kalim, duket se ka lënë dorë të lirë që paratë e taksapaguesve të shkojnë për projekte argëtimi.

Ky shpenzim i madh po bëhet në një kohë kur vendi përpara ka një krizë të rritjes së kostove për sigurimin e energjisë elektrike dhe kur qytetarët nuk po munden të përballojnë rritjen e fortë të çmimeve të konsumit bazë.

Po ashtu, 6,4 milionë eurot për argjinaturat mbrojtëse në funksion të pistës së garave të makinave, mund të përdoreshin për argjinaturat mbrojtëse për zonat e banimit, apo ato bujqësore në rrezik përmbytje.

Por, sa kushton ngritja e një piste të “Formula 1”? Vitet e fundit, vendet që kanë ndërtuar pista për pritjen e garave të shpejtësisë, “Formula 1”, janë vende të fuqishme ekonomike, apo ato që kanë më shumë tifozë.

Pista e Jeddah është ndërtuar e re në Arabinë Saudite, e cila ka pritur gara, ashtu si edhe pista në Miami në SHBA. Ndërkohë, vitin tjetër do të presin gara edhe pista në Las Vegas në SHBA dhe pista e Hanoit në Vietnam.

Por, duke ditur që SHBA-ja i përballon kostot e ndërtimit, sa ka kushtuar pista në Hanoi? Sipas mediave, ndërtimi i pistës do të kushtojë plot 475 milionë USD. Këtu, pa specifikuar infrastrukturën mbështetëse.

Por, për kostot e pritjes së një gare të “Formula 1”, ka bërë një hulumtim revista “Forbes”, e cila ka specifikuar se një vend për të pritur një garë të tillë i duhen plot 1 bilion USD. Por, a e përballon dot Shqipëria këtë shumë?! Aktualisht, as Gjermania nuk ka një pistë që të mirëpresë garat e “Formula 1”, ndërsa një gjë të tillë e synon Shqipëria. Në morinë e pistave të reja dhe atyre tradicionale, shanset që vendi ynë të mirëpresë një garë të tillë janë shumë minimale. Mund të përfundojmë te F3, se garat e F2-shit bëhen në të njëjta pista si ato të F1-shit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura