Programi i Qeverisë ‘Rama 3’/ Zv.kryeministri jep detajet si do bëhet rritja e pagave! Ja çfarë pritet në fund të muajit shtator

Sep 17, 2021 | 12:39
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka shpjeguar me detaje se si do të realizohet rritja e pagave gjatë këtij mandatit të tretë qeverisës.

Ahmetaj-rama-zv.kryeministri-pagat

Në fjalën e tij të parë si zëvendëskryeministër, sipas Ahmetajt, në objektivat e programit 2030 është edhe rritja ekonomike mesatarisht me 4% në vit. Ndërsa për pagat tha se do të fillojë rritja graduale nga korriku i vitit 2022. “40% deri në fund të mandatit, për mësuesit, mjekët dhe infermierët.

30% deri në fund të mandatit për punonjësit e administratës publike. Paga mesatare në sektorin publik do të rritet nga 72 mijë që është aktualisht, në 85 mijë lekë/muaj deri në fund të mandatit. Vijojmë progresivitetin, duke rishikuar shkallën e sipërme të taksimit, pra niveli i taksimit prej 23% do të aplikohet për pagat mbi 200 mijë (nga 150 mijë që është sot) dhe gradualisht deri në fund të mandatit, pragu i tatueshëm do të zhvendoset në mbi 250 mijë”, tha Ahmetaj.

Ndërkohë, sa u përket politikave sociale, ai u shpreh se në planin e punës 2021-2022 prioritet do të jetë strehimi.

“4500 banesa të reja individuale do të përfundojnë brenda vitit 2021, duke strehuar të gjithë banorët që humbën shtëpitë e tyre. 12 mijë apartamente në lagjet e reja do të jenë ndërtuar brenda vitit 2022, duke strehuar të gjithë familjet që humbën apartamentet e tyre. 28 kantiere të reja të infrastrukturës publike do të kenë përfunduar deri në pranverën 2022.

Të gjitha shkollat e rindërtuara me financim nga buxheti dhe pjesa më e madhe e shkollave me financim nga donatorët do të kenë përfunduar në pranverën 2022 (donatorët do të vijojnë sipas afateve të parashikuara në marrëveshjet e nënshkruara me qeverinë shqiptare, në përputhje me procedurat e tyre)”, vijoi Ahmetaj.

INFRASTRUKTURA

Ndërkohë, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, dha lajmin se në fund të këtij muaji pritet të fillojë ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës.

Duke folur nga foltorja e Kuvendit, ajo tregoi se përveç kësaj linje hekurudhore, është dhe projekti i linjës Vorë-Hani i Hotit. Sipas ministres së rikonfirmuar, ndërtimi i kësaj hekurudhe nuk është shumë kompleks dhe pritet të përfundojë brenda mandatit të tretë.

“Një vëmendje të veçantë nga Komisioni Europian, kemi arritur të përmbyllim fazën përgatitore të projektit të parë që është hekurudha Tiranë-Durrës, duke pasur si pikë aksesi aeroportin, jemi në fazë përfundimtare dhe ne do nisim kantierin në fund të muajit shtator. Jemi në një fazë të avancuar negociatash për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit, që arrin të ketë një pikë bashkimi me kufirin malazez.

Kjo hekurudhë me komponentë të rëndësishëm ka disa elemente të tjera, duke qenë se hekurudha është ekzistuese dhe nuk kemi një paketë për shpronësime si në rastin e Tiranë-Durrësit.

Është një nga hekurudhat më të mëdha që kemi. Hekurudha Vorë-Hani i Hotit përkufizohet si një projekt me kompleksitet të ulët dhe jemi besimplotë se do të dorëzohet brenda mandatit. Javën e ardhshme në Tiranë do të kemi një delegacion nga Banka Europiane e Investimeve që na ka mbështetur me projektin tjetër, segmentin nga Durrësi në Pogradec e më pas në Maqedoninë e Veriut”, tha Balluku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura