Profili i Sokol Mjacajt, ishte i dënuar “model” nuk ra në sy për 4 vjet

Jul 9, 2015 | 13:07
SHPËRNDAJE

Sokol Mjacaj, personazhi i ditëve të fundit i njohur për ngjarjen e vrasjes me plumb pas koke të dy turistëve çekë, nuk ka lënë asnjë mbresë në kujtesën e punonjësve të dy burgjeve, ku ka qëndruar si i paraburgosur e si i dënuar gjatë katër viteve të fundit.

Sokol Mjacaj

Njëzetvjeçari që pranoi me gjakftohtësi marrjen e dy jetëve për shkak të një teke të tij për të grabitur një automjet, ka qenë një i dënuar “model”. Paqësor dhe aspak problematik. Gjatë qëndrimit të tij në qeli, ai nuk është përfshirë në asnjë konflikt. Në skedën e tij personale në Institutin e të Miturve në Kavajë dhe në burgun e Shën Kollit në Lezhë nuk ka asnjë masë disiplinore.

Ai ka manifestuar sjellje krejtësisht normale në qelitë e vuajtjes së dënimit deri në kufijtë e krijimit të bindjes se ishte rehabilituar. Interesimi i gazetës “Panorama” në këto dy institucione zbuloi dje “standardin” tjetër të Mjacajt, që nuk ka asnjë të përbashkët me sjelljen e tij jashtë hekurave të burgut.

NË KAVAJË DHE SHËN KOLL
Mjacaj ka ndier ajrin e qelive të Institutit të të Miturve në Kavajë më 6 shkurt 2012, për t’u larguar nga ky burg një vit më pas, më 22 shkurt 2013, për shkak të kalimit të moshës madhore. Gjatë qëndrimit në këtë institucion, ndaj tij nuk është evidentuar asnjë shkelje e rregullores.

“Kur dëgjuam emrin e tij, kishim dyshime nëse ishte apo jo në institucionin tonë. Ka qenë aq i urtë, sa nuk e mbajmë mend për asgjë”, tha një punonjës i burgut. Pjesën tjetër të dënimit të tij me 4 vjet burg, Mjacaj e ka kryer në Shën Koll. Vetëm pak muaj pas lirimit ai është kthyer aty për shlyerjen e një dënimi me një vit burg për grabitje. Këtë herë ai ka qëndruar i izoluar nga korriku 2014 deri në prill 2015. Edhe gjatë kryerjes së këtij dënimi Mjacaj nuk ka lënë asnjë “gjurmë”.

Ai ka qenë një ndër të rregulltit e burgut. Asnjë thyerje disipline dhe, rrjedhimisht, asnjë masë ndaj tij. Mjacaj ka vijuar përditshmërinë e tij, duke ndarë hapësirën e qelisë në paqe me bashkëvuajtësit e tij. “Njeri normal që nuk ka rënë në sy për asgjë të veçantë”, pohoi një prej punonjësve socialë. Ai nuk është angazhuar në asnjë veprimtari në ambientet e burgut dhe as ka shfaqur ndonjë talent apo aftësi të veçantë.

Ndonëse në ambientet e burgut ka kënde të caktuara që shërbejnë për lutjet e besimtarëve myslimanë apo të krishterë, Mjacaj nuk ka marrë pjesë ndonjëherë dhe as ka shfaqur ndonjë bindje fetare. Takimet e tij me familjarët kanë qenë të rralla. “Nuk ka shfaqur asnjë lloj devijance. Ka qenë aq i rregullt me rregullat e institucionit dhe korrekt, sa askush nuk e kujton për asgjë”, tha punonjësi.

RAPORTI PSIKOLOGJIK
Gjatë qëndrimit të tij në qeli, Mjacaj u është nënshtruar raporteve psikologjike, të cilat, sipas procedurës, përpilohen për çdo të dënuar një herë në gjashtë muaj. Për psikologët, Mjacaj ka qenë rasti i të dënuarit që po shkonte në “rrugë të mbarë” drejt rehabilitimit.

Në raportin e fundit ndaj tij në burgun e Shënkollit, Lezhë, ai është vlerësuar pozitivisht. Punonjësit socialë në ambientin e izoluar kanë dalë në këtë përfundim, referuar faktit që i dënuari gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit nuk ka manifestuar asnjë shkelje të rregullores së brendshme të institucionit dhe ka pasur sjellje korrekte me të dënuarit e tjerë dhe me punonjësit e institucionit. 

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura