Prodani: Pritet një dënim 10-vjeçar për një klub, ja ku gaboi Fino në zgjedhje

Feb 13, 2018 | 23:12
SHPËRNDAJE

Eduard Prodani, ish-sekre tari i Përgjithshëm i FSHFsë, bën një analizë të thelluar të zgjedhjeve në këtë institucion. Ai vë në dukje disa nga shkaqet që e penguan Bashkim Finon të fitonte ndaj Dukës, problemet që ka sot FSHF, nevoja urgjente për reformim i saj, si dhe faktin që, për shkak të autoritarizmit të tepruar të Dukës, ky institucion, sipas Prodanit, ka mbetur shumë mbrapa.

Prodani-Eduard

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-numri 2 i federatës, sot një opozitar i deklaruar, thotë se Duka në mandatin e tij të pestë nuk mund të bëjë asgjë më shumë se sa tani.

Ç’mendim keni për Asamblenë Zgjedhore?

Asambleja së pari provoi se zoti Duka nuk ka shumicën në komunitetin e futbollit që voton. Diferenca prej 14 votash nuk thotë asgjë po të kemi parasysh që në asamble votuan së paku 16-17 persona, pseudodelegatë, të caktuar si të tillë nga administrata e FSHF-së. Së dyti, zhvillimi i asamblesë dhe vendimet e saj janë lehtësisht të ankimueshme si në gjykatat e Shqipërisë, ashtu dhe në ato sportive ndërkombëtare. Kështu, në rast se nuk do të mungojë vullneti nga kandidatët konkurrentë, mbledhja e datës 7 është vetëm pjesa e parë e një akti, në fakt komedi, që mund të mos ketë mbaruar.

Çfarë nuk shkoi, sipas jush, në zgjedhjet e fundit?

Çështja themelore është legjitimiteti i Asamblesë, i cili është vënë në dyshim nga mënyra dhe kriteret se si u bë verifikimi i anëtarësisë dhe delegatëve që kjo anëtarësi emëroi në asamble. Shpjegimi juridik që u dha në asamble nga një anëtar i organeve drejtuese dhe nga drejtori juridik i Sekretariatit të Përgjithshëm, ishte i pavend dhe i pabesueshëm, sepse të dy janë në konflikt të plotë interesi.

Shpjegimet duheshin dhënë nga kryetari i Komisionit të Verifikimit të Asamblesë i asistuar nga juristë të pavarur. Përpjekjet që u bënë nga delegatë të caktuar për ta diskutuar këtë çështje u shpërfillën për të mos thënë që u dhunuan procedurialisht nga drejtuesi i seancës, edhe ky në konflikt të plotë interesi. Në fakt, FSHF është shndërruar në një institucion që nuk e shtron në asnjë parim rëndësinë e shmangies së konfliktit të interesit dhe jo më ta zbatojë atë në praktikë. Ka dhe çështje të tjera të ankimueshme në lidhje me këtë asamble, por preferoj të mos zgjatem më tej.

Po a ka vullnet për ta çuar çështjen më tej, si thoni ju?

Në kandidimin dhe platformën e zotit Fino, vlerësova dëshirën e mirëfilltë për të sjellë ndryshime në futbollin shqiptar. Por, në qoftë se ai dhe pasuesit e tij do ta lënë me kaq, atëherë do të provojnë se e gjithë sa ndodhi, ishte thjesht një përpjekje për zëvendësim emrash dhe se pajtohen me situatën e sotme në futbollin tonë. Duke iu përgjigjur drejtpërdrejt pyetjes suaj, konfirmoj se, unë besoj në vlerat dhe bindjet e zotit Fino, pra dhe në vullnetin e tij për ta çuar çështjen deri në fund.

Pse nuk ia doli Fino? Ku gaboi dhe çfarë mund të kishte bërë ndryshe?

Zoti Fino gaboi kur e konsideroi fushatën për kreun e FSHF-së si një konkurrencë programesh. Ai e pa veten si një kandidat alternativ ndaj një drejtuesi në pushtet, të cilit lehtë- sisht mund t’i ngarkohen përgjegjësi për shumë nga problemet që kalon futbolli sot. Në të vërtetë nuk ishte kështu.

Për kreun e FSHF-së nuk përplasen programet, por tarafet. Nuk konkurrojnë cilësitë individuale, por përfitimet materiale të lobuesve. Nuk votojnë klubet anëtare, por persona, interesat e të cilëve shpesh s’kanë të bëjnë fare me ta. Zoti Fino nuk e dinte se po hynte në një garë ku kundërshtari kishte edhe gurin edhe arrën. Ai nuk e merrte me mend se, lista e votuesve do t’i jepej vetëm pasi atë ta kishte përpunuar kundërshtari.

Zoti Fino u çudit pa masë kur kuptoi se, statuti dhe rregulloret e FSHF-së janë një kurth për ata që guxojnë të sfidojnë kreun ekzistues. Se, ne FSHF s’ke kujt t’i drejtohesh kur sheh se po të vjedhin, se atje të rrahin dhe s’të lënë të qash. Zoti Fino në fakt mundi të zhvillonte një përpjekje vetëm 20-25- ditore me pak mbështetës në dispozicion, ndërkohë që kundërshtari kishte një vit që përgatitej me tërë strukturat dhe “superstrukturat” e sistemit të FSHF-së.

Pjesën më të madhe të atyre pak ditëve, zoti Fino u detyrua ta kalojë më shumë duke u endur në “labirintet” pa fund të sistemit të ngritur nga kundërshtari i tij, se sa me punë për të bindur votuesit. Së fundi, zoti Fino nuk mund ta imagjinonte që të kishte aq vështirësi aksesi në media, shumë prej të cilave u vunë dukshëm në shërbim të kundërshtarit të tij. Pra, zoti Fino nuk mund të arrinte rezultat tjetër. Madje, në ato rrethana, ai arriti një rezultat shumë të mirë.

Keni qenë një zë opozitar së fundmi ndaj Dukës, por edhe ndaj FSHF-së. A mendoni se në mandatin e tij të pestë mund të bëjë më mirë se sa në 4 të parët?

Në fakt, zoti Duka ka thënë gjithmonë që i vlerëson kritikat dhe se ato i shërbejnë për të përmirësuar punën. Me fjalë të tjera, ai propozon gjithmonë që të lihet në krye të FSHF-së, sepse i ka kuptuar gabimet dhe se do t’i përmirësojë gjërat në proces. Por, nuk funksionojnë kështu sistemet demokratike.

Logjika e tyre është që, ai që gabon, duhet të largohet si një garanci që gabimet nuk do të përsëriten. Nuk besoj se, zoti Duka do të bëjë më mirë në një mandat të pestë (nëse konfirmohet). E kam thënë dhe gjetkë që ai është peng i autoritarizmit që vetë ka krijuar. Është një i izoluar që e shikon botën me sytë e pak mentorëve dhe vartësve servilë. Ka shumë pak shanse që ai të shpëtojë nga ky kurth dhe të rilindë. Burra më të zot nuk ia kanë dalë.

Si ka mundësi që figura të rëndësishme të futbollit, si Shkëlqim Muça, por edhe ju, nuk mundët të fitonit votat e mjaftueshme për t’u bërë anëtar Komiteti?

Presidenti ka aq pak kompetenca të drejtpërdrejta, sa anon aq shumë nga një figurë honorifike se sa ekzekutive. Komiteti Ekzekutiv është në të vërtetë organ shumë më i rëndësishëm dhe drejtuesi i vërtetë i FSHF në periudhën midis dy asambleve të përgjithshme. Por ky realitet statutor është zhbërë nga praktika shumë autoritare e drejtimit këto dekadat e fundit, ku çdo iniciativë dhe vendim fillon dhe mbaron me presidentin, ndërsa komiteti vetëm sa i certifikon ato.

Me sa duket, një realitet i tillë pëlqehet dhe nuk bëhet asgjë për ta shmangur. Vetë fakti që zgjedhjet për komitetin, insistohet të zhvillohen pas atyre për presidentin, e reflekton këtë dëshirë. Pasi shpallet votimi për president, mjaft delegatë ikin. Shumë nga ata që mbeten, nxitojnë që të “urojnë” presidentin e ri edhe me votën pro emrave të listës së tij për komitet dhe kështu situata nuk ndryshon kurrë.

Një komitet cilësor dhe i pavarur nga presidenti, do të ishte një fillim i mirë për ndryshimin e realiteteve në FSHF. Për sa u përket emrave që përmendni, ju them që dhe Pele nuk do të merrte më shumë vota po të mos ishte në listën e presidentit fitues. Unë personalisht nuk zhvillova fushatë kokë më kokë si kërkohet në këto lloj zgjedhjesh. Kandidimi im ishte më shumë gjest dhe dëshirë për të hedhur në treg ide dhe vizione që kam përpunuar këto vite se sa një dëshirë për t’u rikthyer në organet drejtuese të FSHF-së.

Unë mora vetëm 15 vota në raundin e parë të votimit, një pjesë e të cilave vinin nga miq dhe dashamirës të krahut tjetër. Kjo provon edhe një herë që, grupi që mbështeste zotin Fino, ndryshe nga sa u etiketua si grup politik kompakt, nuk arriti asnjëherë të konsolidohet dhe të ndërgjegjësohet si duhet për këto zgjedhje. Përkundrazi, grupi tjetër demonstroi kompaktësi perfekte, për t’u pasur zili. Ç’t’i ketë bashkuar kaq fort vallë? Bindja në cilësitë e zotit Duka? Dyshoj!

Kush mund ta mundë Dukën në të ardhmen dhe si mund të mundet një njeri që komandon një institucion prej 20 vitesh?

Përmenda më sipër që, zgjedhjet mund të mos kenë mbaruar. Megjithatë, është e vërtetë që, rrëzimi i një presidenti federate që komandon prej kaq vitesh, është vërtet ndërmarrje e vështirë. Është statuti, rregulloret, praktikat korruptive dhe shumë elementë të tjerë që formë- sojnë këtë rigjiditet. Në fakt, federatat e vogla kanë kopjuar modelin e krijuar këto 20-30 vitet e fundit nga FIFA dhe UEFA.

Por, mos harroni përmbysjet që ndodhën në këto institucione dhe faktin se ato po reformohen. Po ashtu, duhet të dini se, në pak vitet e fundit në Europë, janë larguar me përmbysje, shpesh radikale, shumë drejtues “shekullorë” federatash, disa prej të cilëve dhe nëpërmjet ndërhyrjes së organeve të drejtësisë. Jetëgjatësia e pakuptimtë në pushtet sjell pa dyshim autoritarizëm dhe ky i fundit korrupsion. Ky është një mësim që na jep historia. Keq për ata që s’e kuptojnë këtë.

Çfarë duhet të ndryshojë në FSHF?

FSHF duhet, në radhë të parë, të ndërmarrë një reformim të shpejtë të sistemit të saj statutor dhe rregullativ. Është urgjente që, aparati dhe organet e saj drejtuese të detyrohen të punojnë në standarde krejt të tjera profesionalizmi, paanësie dhe transparence. FSHF është e komunitetit të futbollit dhe duhet t’i rikthehet atij. Kjo quhet mirëqeverisje. Këtu mund të flitet shumë gjatë, por unë do të përmend vetëm domosdoshmërinë e krijimit të një hallke shumë të rëndë- sishme garancie që, FSHF ndoshta është e vetmja federatë në Europë që nuk e ka.

Bëhet fjalë për komisionin e auditit, që përbehet nga ekspertë dhe që duhet të zgjidhet nga asambleja dhe t’i raportojë vetëm asaj. Nuk e kam fjalën për audit llogarish kontabël, por për kontroll dhe verifikim të vendimeve dhe mënyrës së funksionimit të organeve dhe strukturave të FSHF midis dy asambleve. Nuk është një hallkë tjetër burokratike, përkundrazi. Një strukturë auditi profesionale dhe me integritet, do të ishte thelbësore për një FSHF në shërbim të klubeve dhe të futbollit.

Cilat duhet të jenë prioritetet e FSHF-së në të ardhmen për zhvillimin e futbollit?

Edhe kjo është një temë shumë e gjatë për t’u trajtuar. Por, urgjente është që FSHF të ndërgjegjësohet se ajo nuk është një ndërmarrje ndërtimi për stadiume apo komplekse zyrash. FSHF është qeveria e futbollit dhe, si e tillë, ka për detyrë të kujdeset për të dhe vetëm për të. Detyra themelore është shtrirja sa më e madhe gjeografike dhe demografike e kësaj loje. Kjo do të sjellë pa dyshim dhe cilësinë që aq shumë e kërkojmë dhe do të vërë mbi baza të qëndrueshme dhe sukseset në kompeticionet sportive ndërkombëtare. Vetëm në vitet e fundit, FSHF ka shpenzuar 26 milionë euro për stadiume dhe zyra. Sikur vetëm një pjesë e këtyre fondeve të kishin shkuar drejtpërdrejtë në futboll, tani do të kishim një situatë krejt tjetër në futbollin tonë.

Flitet për dënim që pritet të vijë për një klub shqiptar nga UEFA, ndërkohë që Skënderbeu pret një vendim të CAS-it për çështjen e titullit të hequr nga Etika e FSHF-së. A keni ndonjë informacion për këto meqenëse ndoshta keni ende lidhje në UEFA?

Në fakt, lajmi se në CAS po zhvillohet një proces për titullin e hequr nga etika e Skënderbeut, më ka çuditur pa masë. Kjo, sepse Kodi i Etikës së FSHF përcakton se apelimi i vendimeve të Komisionit të Etikës, bëhet në Komisionin e Apelit të FIFA-s. Duke ditur që shkallët e gjykimit përgjithësisht nuk mund të kapërcehen, them se në qoftë se sot po zhvillohet një proces në CAS, kjo do të thotë që ne nuk qenkemi informuar se në Komisionin e Apelit të FIFA-s, ky proces do të jetë humbur. Megjithatë, nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë veprimi juridikisht gjenial i juristëve të çiftit FSHFSkënderbeu për dërgimin e procesit direkt në CAS.

Koha do të na tregojë për të vërtetën e këtij procesi, por dhe për performancën e përfaqësuesve të FSHF-së në të. Sa për fjalët për një dënim të pritshëm për një klub shqiptar, kam dëgjuar se dënimi duhet të kishte mbërritur në janar, por meqë klubet ishin të zënë me asamblenë, menduan ta shtyjnë për më vonë.

Emri i klubit mbahet shumë konfidencial, por thuhet se dënimi qenka 10- vjeçar së bashku me një gjobë shoqëruese prej një milion eurosh. Them se asgjë nga këto s’është e vërtetë. FSHF, me siguri, nuk do të na kishte lënë në errësirë.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura