Priste fëmijën e tretë dhe abortoi, vdes në spital 34-vjeçarja! Prokuroria nis hetimet, mjekët: I thamë të mos largohej, por…

Feb 1, 2023 | 8:19
SHPËRNDAJE

Ditën e hënë në Elbasan ka ndodhur një ngjarje e rëndë. Bëhet fjalë për një nënë që ka ndërruar jetë pas një aborti të kryer në spitalin e këtij qyteti.

Pas ndërhyrjes së mjekëve, gruaja ka shkuar pranë fëmijëve të saj dhe pas disa orësh komplikacione ajo ka ndërruar jetë. Sipas të dhënave më të fundit që vijnë nga kjo ngjarje, bëhet me dije se mjekët, gjinekologu dhe anestezisti kanë thënë se gruaja është larguar vetë për në banesë, pasi ata i kanë kërkuar që ajo të qëndrojë, por ende nuk është marrë dëshmi familjarësh të së ndjerës. Mjekët janë vënë nën hetim, ndërkohë që viktima ka lënë pas dy fëmijë të mitur dhe sipas të dhënave edhe bashkëshortin e saj, i cili gjendet jashtë Shqipërie. Tashmë, do të jetë Prokuroria që do të hedhë dritë mbi të gjithë praktikën mjekësore që është ndërmarrë në rastin e së resë, e cila ka humbur jetën vetëm 6 orë pasi ka kryer abortin në spital.

NGJARJA

Një 34-vjeçare në Elbasan ka humbur jetën, vetëm 6 orë pasi kishte kryer një abort në Maternitetin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, ku 34-vjeçarja Etleva Çullhaj, ishte paraqitur rreth orës 12:00 për të kryer një abort e më pas ishte larguar për në banesë. Por pas disa orësh të së njëjtës ditë, gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar dhe ishte transportuar sërish në Maternitetin e Elbasanit, ku dhe ka ndërruar jetë. Në lidhje me rastin, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet penale për dy mjekë të Maternitetit, gjinekologu Arben Paralloj, 56 vjeç, si dhe mjeku anestezist reanimator Behar Gjevori, 60 vjeç, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.

POLICIA

Zyrtarisht Policia bëri me dije se: “Më datë 30.01.2023, rreth orës 12:00, një shtetase 34 vjeçe është paraqitur në ambientet e Maternitetit të Elbasanit, ka kryer një procedurë aborti dhe më pas është larguar në banesë. Rreth orës 18:00 të së njëjtës ditë, dyshohet se për shkak të komplikimeve të gjendjes shëndetësore, kjo shtetase ka njoftuar shërbimet e ambulancës, të cilat e kanë transportuar atë në Maternitetin e Elbasanit, ku kjo shtetase ka humbur jetën. Për këtë rast, oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan kanë iniciuar procedimin penal për shtetasit A. P., 56 vjeç dhe B. Gj., 60 vjeç, mjekë në Maternitetin e Elbasanit, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.’- njofton policia. 34-vjeçarja ishte nënë e 2 fëmijëve dhe po priste të tretin. Ajo banonte në lagjen “5 Maji” të Elbasanit dhe rrinte me qira në Elbasan, pasi ishte me origjinë nga Tirana.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura