“Prilli perfekt, goditja politike është më e madhe”/ Zbulohen mesazhe të reja mes kontrollorëve për mbylljen e kullës në Rinas. Prokuroria: Plan i organizuar

Apr 10, 2021 | 12:44
SHPËRNDAJE

“Mesi i prillit është perfekt. Goditja është më e madhe politikisht, sepse nuk kanë kohë ta amortizojnë”.

Ky është vetëm njëri nga dhjetëra mesazhet e shkëmbyera mes kontrollorëve të Rinasit, të cilët me argumentin e “paaftësisë në punë”, bllokuan fluturimet në aeroportin e vetëm në vend, duke krijuar një situatë të paprecedent.

perfekt

Mesazhet e zbuluara në celularët e tre të arrestuarve, Muhin Mezini, Armand Fezga dhe Flora Ndreca, bënë që Prokuroria të ngrejë dyshime se bojkoti ishte i organizuar. Në dosje thuhet se të arrestuarit kanë koordinuar veprimet sipas një plani të caktuar, duke sjellë pasoja të rënda, pasi nxorën jashtë funksionit Kullën. Të ndaluarit mohojnë të kenë ndikuar te kontrollorët e tjerë, që të plotësonin deklaratën e paaftësisë së përkohshme në punë dhe sipas tyre, mbyllja e aeroportit erdhi për shkak se autoritetet kishin refuzuar të negocionin me ta, për çështjen e reduktimit të pagave, çka kishte sjellë akumulim të stresit te të gjithë. Argumentet e Prokurorisë u kundërshtuan nga avokati Rezart Kthupi, i cili la të nënkuptohet se arrestimet janë të motivuara politikisht. “Është një akuzë e ngritur për qëllime të ndryshme nga ai i respektimit të ligjit.

Deduksionin e bëni ju”, tha avokati. Kthupi mohoi që të ndaluarit të kenë pasur ndikim mbi kontrollorët e tjerë, ndërsa theksoi se gjendja e tyre pas arrestimit është e rënduar. Avokati nuk dha shpjegime nëse kontrollorët janë rikthyer në detyrë, ndërsa pyetjes se si ishte e mundur që të gjitha ata u “stresuan” dhe u bënë të paaftë për punë në të njëjtën ditë, iu përgjigj në këtë mënyrë: “Po ligji nuk ka ndonjë pengesë se kur mund t’u lindë kontrollorëve paaftësia e përkohshme për punë.

Mund t’u lindë që të gjithëve në të njëjtin moment, mund t’i lindë secilit individualisht në një moment të ndryshëm nga i të tjerëve”. Përgjatë orëve të mbylljes së Kullës rezulton se një avion i nisur nga Athina drejt Tiranës u kthye mbrapsht, ndërsa u anuluan dhjetëra fluturime. Po, ndërsa Prokuroria po vijon hetimet për ngjarjen, Gjykata e Tiranës ndërkohë nisi shqyrtimin e padisë së Sindikatës, e cila kundërshton vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë “Albcontrol”, firmosur në prill 2020, që iu reduktoi pagat kontrollorëve.

PJESE NGA DESHMIA E FLORA NDRECES

“Për të respektuar parimin se ne të gjithë kemi pasur dakordësi, nëse një kontrollor preket padrejtësisht, jemi prekur të gjithë. Duke qenë se u prekëm 5 kontrollorë, do të thotë se ishim prekur të gjithë. Kemi ndenjur te hoteli në afërsi të zyrave të ‘Albcontrol’ derisa unë vendosa që të shkoja në ‘Tv Klan’ për të bërë thirrje për negociata me qëllim që të hapet edhe hapësira ajrore për të mirën e pasagjerëve dhe të mirën e kompanive ajrore. Pasi kam plotësuar dhe dorëzuar deklaratë, siç e shpjegova, kam dalë nga ambientet e punës.

Arsyeja e mosvatjes në punë ishte se unë dhe Muhin Mezini, supervizori i turnit, jemi hequr nga grafiku dhe jemi njoftuar përmes e-mailit për ndërprerje të marrëdhënies së punës, ndërsa 3 kolegët e tjerë nuk janë njoftuar me e-mail. Në takimin me presidentin kam qenë unë dhe kontrollorët e tjerë: Eni Mehja, Olsi Petri, Ejona Kotoni, Ejron Pipero si dhe avokati ynë, Rezart Kthupi. Unë nuk kam pasur ndonjë rol me kolegët e mi se dhe ato kishin plotësuar deklaratën e paaftësisë në momentin që më është komunikuar ndërprerja e marrëdhënies së punës.

Nuk e di të them saktësisht se kur kanë filluar shqetësimet e kontrollorëve, por disa prej tyre një pjesë e tyre kanë kaluar COVID-19 si dhe situatën e tërmetit të datës 26.11.2019, duke qenë se ne nuk mund të largohemi nga vendi i punës dhe që nga kjo periudhë kanë filluar shqetësimet. Situata e krijuar që prej një viti, pra, ulja e pagës në mënyrë të njëanshme, mungesa e dialogut social dhe indiferentizmin e treguar nga institucionet ligjzbatuese dhe situata ishte e pritshme. Për sa i përket deklaratës së paaftësisë së përkohshme të plotësuar nga Muhin Mezini, po deklaroj edhe unë se me të kemi diskutuar në lidhje me këtë situatë të krijuar”.

OFICERI I RINASIT

Në dëshminë e tij, oficeri i Rinasit, Astrit Kurti, zbardh dy e-mailet e dërguara nga “Albcontrol”, ku njoftohet pezullimi i fluturimeve. Kurti shpjegon në raportin e shërbimit se rreth orës 11:00 ka shkuar te zyrat e load kontrollit për të marrë informacion për avionin që vinte nga Athina për në Tiranë dhe se aty i kanë konfirmuar punonjësit se nuk ka më fluturime, dhe se pasagjerët që kishin bërë check in do ktheheshin dhe nuk do fluturonin për shkak të pezullimit të fluturimeve. Ai rrëfen se është thirrur dhe është pyetur si personi që ka dijeni për veprën penale punonjësja e ODM Edona Pullazi, e cila ka deklaruar se prej 23 vitesh punon në aeroportin “Nënë Tereza”.

Pullazi deklaron se kolegu i saj e kishte njoftuar se kishte ardhur një e-mail nga “Albcontroll” për pezullimin e fluturimeve ajrore në aeroportin Nënë Tereza, ku e-mail i parë i orës 10:00 ka qenë për pezullimin e fluturimeve nga ora 09:30-12:00. Pullazi ka deklaruar më tej se më pas ka ardhur një e-mail tjetër po nga “Albcontrol”, i cili ka anuluar mesazhin e orës 10:00, ku në përmbajtje kishte lejimin e fluturimeve ajrore dhe më pas në orën 12:00 ka ardhur e-mail i fundit nga “Albcontrol” për pezullim të fluturimeve deri ditën e nesërme më datë 08.04.2021 në orën 12:00. Pullazi ka deklaruar më tej se nga momenti që ka ardhur e-mail për anulim të fluturimeve nuk është kryer asnjë operim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura