Shkolla gjermane një sistem i sëmurë? Problematikat me dhunën fizike edhe psikologjike, zonat ku janë më të përqëndruara

Apr 30, 2024 | 8:06
SHPËRNDAJE

Sipas barometrit gjerman të shkollave gati çdo i dyti mësues shikon probleme në shkollën e tij si me dhunën fizike ashtu edhe psikologjike. Më problematike gjendja është në shkollat ne zona me probleme sociale.

 SHKOLLA

Rezultatet e barometrit të shkollave gjermane të publikuara nga Fondacioni Robert Bosch në Shtutgart tingëlluan si një zile zgjimi këtë javë. Sipas sondazhit gati çdo e dyta shkollë ka probleme me dhunën, mungesë personeli dhe klasa problematike. Shkolla është një sistem i sëmurë: Këtë kritikë të ashpër e ushtrojnë autorët e sondazhit me mësuesit gjermanë.- Bashkëautorja e barometrit, Dagmar Wolf, thotë se “ne shohim tek këto rezultate një regjistrim momental të një sistemi të sëmurë”. Mësuesit vuajnë nga mungesa e madhe e personelit dhe duhet të përballojnë gjithmonë një barrë gjithnjë e më të madhe në shkolla.

Sipas sondazhit gati çdo i dyti mësues shikon probleme me dhunën fizike ose psikologjike në shkolla. Veçanërisht të prekura janë shkollat në zonat që kanë probleme sociale. Pasojat i ndjejnë drejpërdrejt mësuesit. 36% e të anketuarve thonë se janë disa herë në javë “emocionalisht të lodhur”. 27% do të ishin gati të dorëzonin punën, në të njëjtën kohë 75% kanë thënë se janë të kënaqur në profesionin që kanë zgjedhur.

Duhet të veprohet në arsim

Aspektet më problematike shikohen në sjelljen e vështirë të nxënësve dhe vështirësitë që paraqiten në klasa, ku mësojnë fëmijë e adoleshentë me kultura komplet të ndryshme, me sfond të ndryshëm social dhe gjuhësor. Mësuesit shikojnë një nevojë të madhe urgjente në tejkalimin e mungesës së personelit, rinovimin e shkollave dhe pajisjen digjitale të tyre.

Ministrja e Arsimit, Bettina Stark-Watzinger (FDP) i quajti rezultatet si alarmuese. Ky raport bën të qartë, se sa e madhe është nevoja të veprohet në fushën e arsimit, tha ajo për grupin mediatik Funke. “Që gati çdo i dyti mësues vëren se ka dhunë, duhet që t’i alarmojë të gjithë pjesëmarrësit.” Siguria është një premisë bazë për të mësuar dhe dhënë mësim. “Ne duhet të mbështesim më shumë mësuesit dhe t’u japim si shoqëri vlerësimin që duhet.”

Fondacioni Bosch ka kritikuar sistemin gjerman që si në asnjë vend tjetër është shumë i orientuar nga “seleksionimi, homogjeniteti dhe konkurrenca”. Në vend të “seleksionimit”, sistemi gjerman i shkollës duhet të reagojë ndaj “shoqërisë super të diversifikuar” dhe të zhvillojë koncepte të reja të inkluzionit.- Po ashtu autorët theksojnë nevojën e mbështetjes individuale të nxënësve. Për barometrin e shkollave, Fondacioni Robert Bosch ka pyetur në fund të vitit 2023 1.608 mësuese e mësuese. Fondacioni bëri fjalë për një studim përfaqësues./DW

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura