Presidenti Meta vlerëson Luan Omarin me dekoratën ‘Gjergj Kastriot Skënderbeu’

Jun 11, 2020 | 11:12
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ /Akademiku Luan Omari, themeluesi i vetëm i Akademisë në jetë, u nderua dje në ambientet e institucionit më të madh të shkencave, me dekoratën e lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.meta omari1

I pamundur për të qenë i pranishëm në këtë ceremoni të mbajtur në kuadër të 95- vjetorit të tij, Presidenti Ilir Meta ia dorëzoi dekoratën së bijës, gjuhëtares Anila Omari. “Çfarë mund të nderoj më parë në personalitetin e akademikut Luan Omari; antifashizmin e një djali të ri idealist, dijetarin konstitucionalist, njeriun e kushtetutave, pa dyshim edhe një përfaqësues të shquar të Shqipërisë në Komisionin e Venecias.

Profesor Luan Omari, me kontributet e tij të jashtëzakonshme për rreth shtatë dekada, profesionale dhe morale, meriton sot mirënjohjen e shoqërisë dhe të shtetit tonë”, tha dje Meta. Ndërsa e bija shprehu mirënjohjen për nderimin që i bëhet të atit, duke ndalur edhe te shqetësimi i tij për drejtësinë, për konsolidimin e së cilës ka kontribuar përgjatë një jete, qoftë si autor i shumë veprave të kushtetutshmërisë dhe shtetit të së drejtës, drejtues i universiteteve apo përfaqësuesi i Shqipërisë në Komisionin e Venecias.

Presidenti Meta, duke i dorëzuar dekoratën vajzës së Luan Omarit
Presidenti Meta, duke i dorëzuar dekoratën vajzës së Luan Omarit

“Një nga detyrat e tij të rëndësishme ka qenë Kushtetuta. Edhe në Komisionin e Venecias është marrë po me të. Ndaj, kjo mbetet një nga preokupimet e jetës së tij”, u shpreh gjuhëtarja. Kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, solli në vëmendje angazhimin profesional dhe atdhetar të Omarit që prej rinisë së tij.

“Ka qenë një prej pjesëmarrësve më të rinj në Luftën Antifashiste. Luan Omari, menjëherë pas fitores mori përgjegjësi intelektuale e zyrtare në drejtimin e institucioneve të arsimit të lartë, që përgatitën themelimin e Universitetit të Tiranës jo vetëm si drejtues, por edhe si hartues i programeve dhe teksteve universitare, si formues e riformues i brezave të rinj”, tha ai. Gjinushi vlerësoi impenjimin e Omarit si një intelektual, që në çdo kohë i është dedikuar të mirës së vendit.

“E ka bërë këtë si me forcën e armës, ashtu edhe me atë të ligjit, me dije e me përgjegjësi shembullore qytetare. Ishte kjo gjeneratë njerëzish të ditur e të guximshëm, që përgatitën hap pas hapi edhe themelimin e Akademisë së Shkencave, me të cilën dija shqiptare njohu shkallën më të lartë të organizimit të saj institucional”, tha më tej ai.

AKADEMIKU BARDHYL GOLEMI: NJERI ME VLERA TË MËDHA

Akademiku Bardhyl Golemi veçon nga ana humane dhe profesionale mikun e tij, Luan Omari. Ai tregon se ndihet me fat që ka punuar me të për një kohë të gjatë. “Nëse punon me një njeri që ka kaq vlera të mëdha, ke përfitime të mëdha. Ai dallohet si një punëtor i palodhur, njeri i përkushtuar, specialist që ka konsultuar mendimin juridik brenda edhe jashtë, por mbi të gjitha është njeri i denjë për vendin që ka pasur dhe dekoratën që mori. Dekorata e Luan Omarit ‘ha bukë’ veç, është dekoratë me peshë morale, shkencore dhe juridike. Ai e ka merituar plotësisht, por me të do të rrezatojë në mjedisin ku ka punuar dhe është”, shtoi më tej. Akademiku tregon se kryefjalë e diskutimeve të Omarit janë ato profesionale si jurist. “Ai ka merak që punët të bëhen dhe të çohen deri në fund, qoftë për gjykatat e çdo gjë që ka të bëjë me profesionin e tij. Mund të them se Luani është një burim i pashtershëm, sepse prej tij mëson nga drejtësia, arsimi e shumë fusha të tjera”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura