Presidenti Meta dekoron dirigjenten e spikatur Suzana Turku

Mar 8, 2021 | 17:35
SHPËRNDAJE

Në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi dirigjenten e spikatur znj.Suzana Turku me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

158371142_3826965117349733_4053327923833278672_o

Kreu i Shtetit i akordoi kwtw vlerwsim me motivacionin: “Në vlerësim të veprës artistike shumëvjeçare për krijimin dhe pasurimin e vlerave artistike në gjininë e muzikës operistike shqiptare; për realizimin me sukses, njohjen dhe vlerësimin e muzikës korale shqiptare, si krijimtari dhe interpretime, duke vënë në skenë brenda dhe jashtë vendit, vepra nga më të njohurat nga fondi i zgjedhur i krijimtarisë sonë dhe asaj botërore. Me mirënjohje institucionale për kontributet e saj të vyera si artiste e spikatur, si dirigjente e talentuar e korit të Universitetit të Arteve dhe njëkohësisht pedagoge frymëzuese e edukimit, krijimit dhe aktivizimit të talenteve të reja ndër breza.

Fjala e Presidentit: 

“Është privilegj për mua, që sot në 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Grave, të vlerësoj një nga personalitetet më të shquara të kulturës, të artit dhe muzikës sonë, zonjës Suzana Turku.

Një zonjë, që me vullnet të hekurt dhe me punë këmbëngulëse e plot pasion është bërë një shembull për të gjitha gratë shqiptare, duke thyer tabu e stereotipe dhe duke merituar një vend shumë të vlerësuar në shoqërinë tonë.

Lidhjet e dirigjentes Turku me profesionin, dashuria e saj për punën dhe artin kanë qenë lidhje të forta shpirtërore.

Të jesh një grua dirigjente është e rrallë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende më të zhvilluara. Por zonja Turku e zgjodhi këtë profesion, duke iu përkushtuar atij me dashuri, duke besuar fort, se me punë dhe pasion arrihet gjithçka.

Në rrugëtimin e saj të gjatë në fushën e artit ka punuar pa bërë kompromise me profesionin dhe duke u frymëzuar nga shembulli i zonjave të shquara, paraardhëse të saj, drejtuese të korit si Jorgjia Truja apo Rozmari Jorganxhi.

Gjatë gjithë karrierës së saj të gjatë dirigjentja Turku ka realizuar koncerte të suksesshme me muzikë të kompozitorëve më të shquar shqiptar si Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Limoz Dizdari, Tonin Harapi, Nikolla Zoraqi e shumë të tjerë.

Po ashtu ka bashkëpunuar me mjeshtrat e dirigjimit si Rifat Teqja, Mustafa Krantja, Ermir Krantja, etj. për të vënë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit vepra madhështore botërore si ‘Traviata’, ‘Rigoleto’, ‘Trovatore’, ‘Carmen’, etj.

Edhe pas viteve ’90-të zonja Turku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për artin, duke themeluar grupin e parë koral në Shqipëri.

Për të vazhduar më tej me drejtimin e korit të vajzave dhe korin e të vegjëlve, e më pas dirigjimin koral në Akademinë e Arteve, ku vazhdon të japi kontributin e saj.

Ndër të tjera, personaliteti i zonjës Turku, do të mbahet mend edhe për drejtimin dhe konsolidimin për një kohë të gjatë të politikave kulturore, ngritjen e nivelit profesional dhe përfaqësimin e denjë, që shpalosën institucionet e artit dhe kulturës, gjatë viteve kur ajo drejtoi e bashkëpunoi me komunitetin artistik në Shqipëri, në Europë edhe kudo.

Ndërkohë, angazhimi i fortë për komunitetin i dirigjentes Turku është shpalosur edhe në këtë periudhë të vështirë pandemie, me organizmin e disa eventeve të ndryshme muzikore, në solidarizim me të gjithë qytetarët në këto momente të vështira.

Në vlerësim të gjithë kontributit të jashtëzakonshëm shumëvjeçar, si dirigjente e drejtuese kori, si një nga personalitetet e muzikës, por edhe si një pedagoge me cilësi të larta akademike, që ka edukuar e frymëzuar breza të tërë të rinjsh, në rrugën e artit e muzikës, kam kënaqësinë të vlerësoj sot zonjën Suzana Turku me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ e t’i uroj suksese në të ardhmen.

 

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.