Preç Zogaj: Poezinë më të bukur, ende nuk e kam shkruar

Feb 10, 2016 | 14:21
SHPËRNDAJE

Ai ende kërkon, shkruan, nuk është i qetë, sepse e di që poezinë më të bukur ende s’e ka shkruar.

Preç Zogaj ka mbërritur tashmë në stacionin e radhës të poezisë. “Ushtrimet e melankolisë”, kështu titullohet vëllimi më i ri poetik, i poetit, publicistit e politikanit Preç Zogaj, botim i shtëpisë botuese “MAPO”. Edhe pse Zogajt i njihen kontribute të rëndësishme në publicistikë e memuaristikë, poezia është “vetja” e tij e dytë. Ajo është gjithnjë aty dhe ai i kthehet dhe i rikthehet, sepse “poezinë më të bukur ende s’e ka shkruar”.

prec zogaj

E le të themi se jemi me fat që ajo ende nuk vjen, çka e shtyn poetin drejt asaj që mund të jetë “më e bukura”. Vëllimi poetik është konceptuar nga poeti në katër nënkapituj me titujt “E paanë jeta, një klithmë larg fundit”, “Ushtrimet e melankolisë”, “Na ishte një herë poezia” dhe “Koha ka rritur shpejtësinë”, në të cilat janë përfshirë poezi të krijuara përgjatë një shtrirjeje kohore 25-vjeçare.

Gjen ndër to krijime qysh prej vitit 1991, deri në 2015. Koha, dashuria, humbja, poezia, nëna dhe vendlindja e tij, Lezha janë konstantet e poezive të tij.

Shumë e thjeshtë që poezitë e Zogajt t’i bësh të tuat (pavarësisht Lezhës). Ato jo vetëm që nuk të lënë indiferent, por janë “ngjitëse”, dhe arrijnë të të përfshijnë në një gjendje emocionale, qysh në leximin e parë.

Sqimatare dhe delikate njëkohësisht, jo gjithnjë poezia e ka këtë fat, ndërkohë që Zogaj, me gjithë merakun e poetit shprehur në vargun “po të më dojë poezia mua…” ia ka arritur. “Ushtrimet e melankolisë” është vëllimi i njëmbëdhjetë poetik i Preç Zogajt, i paraprirë nga vëllimet “Fundi, një fëmijëri tjetër”, “Nuk ndodh asgjë veç dashurisë”, “Gjallë unë pashë”, “Pas erës së re”, “Kalimi” etj.

I nderuar me disa çmime letrare, vepra e Zogajt ka njohur botime edhe në gjuhën frënge dhe atë angleze. Promovimi i librit më të fundit të Zogajt do të zhvillohet sot në orën 18:00, në ambientet e Hotel “Xheko Imperial” (ish-Carlsberg). * * * “Fillon prapë dita,/ Më masakrojnë/ në çdo degë ku vë këmbën si të zogut./ As më lëshon, /As më dënon / Bisha kohë”.

preci per poezine

Me poezinë “Koha” nis nënndarja e parë, ku koha, ikën pamëshirshëm, është shqetësimi konstant i poetit. Koha që ikën i ngjall trishtim, ndërsa duket se friket se ka ende shumë për të bërë dhe nuk do të mundet. E bashkë me kohën që ikën, ikin edhe njerëzit e dashur.

Ikja e nënës, vdekja e saj, është ajo dhimbja që nuk fashitet kurrë, një motiv që kthehet e rikthehet në poezitë e Zogajt. Me sa duket njeriu, kurdoherë, në çdo moshë, nuk është gati të humbasë nënën. Ajo ikën e lehtë, te krijuesi, teksa lë pas zbrazëti: “Pushon së qeni nënë nëna./ Ka ardhur krijuesi- shpëtimtari, ajo i afrohet/me hap të lehtë e të sigurt prej vajze,/Është me të, nuk duhet ta shohë,/Por Ai e sheh, mrekullia/ njofton sërish ekzistencën”. Një tjetër dimension i pashmangshëm në poezitë e Preç Zogajt është dashuria, sepse siç do ta thoshte poeti në një prej vëllimeve të tij të mëparshme, “nuk ndodh asgjë veç dashurisë”. Ajo është e pranishme bashkë me melankolinë.

Një buzëqeshje e trëndafiltë që nuk e kishte parë më parë, ajo rreze lumturie në sytë e vajzës, që tek ai përthyhet në trishtimin e pamundësisë për ta dashur po aq shumë, zbulimi se kishte dashur pa e ditur… Edhe pse, teksa lexon titullin “Na ishte njëherë poezia”, duket sikur poezia nuk krijohet më, pikërisht ky nënkapitull të thotë të kundërtën. Ai i kushtohet pikërisht poezisë, poetëve dhe librave. Ia dedikon këtë kapitull miqve të tij poetë apo poetëve të dashur.

Frymëzimi për të shkruar i vjen nga një motiv i Bërnsit, leximi i të cilit duket sikur e kthen pas në kohë dhe harron flokët e zbardhur, ndërsa Naim Frashëri me botën e tij të perëndishme, Ndoc Gjetja, njëri prej poetëve të Lezhës, i ndarë nga kjo jetë i harruar, Rudolf Marku nga Londra e zhurmshme, Fatos Arapi me shpirt prej deti, ku bashkohen Adriatik e Jon, Teodor Keko me vdekjen e befasishme si një gotë e kthyer me fund, Idriz Basha me kokëshkrepjen e një Uliksi, nuk e lënë të qetë pa ia marrë vargun.

Dhe sërish i rikthehet kohës, ankthit të ikjes së saj. Dhe sa më shumë ajo ikën, aq më shumë kthehet pas, në ato kohëra kur i kishte flokët e zinj e bluzë çunaku, te kujtimi i nënës dhe i babait.

Ndien se si stinët përsëriten, se si është sërish shtator, se si lulet vyshken, se si vajzat ndryshojnë brenda natës dhe se brenda vetes ndjen se “Po shembet shtëpia e shpirtit tim/Një natë do më zërë nën vete,/ Por s’kam ndërmend t’i arratisem/fatit tim dhe po ta di/ se lart në qiell krahëhapur/ më presin të parët e mi”. Por ai s’është ende gati t’i thotë jetës mirupafshim, sepse poezinë më të bukur, ende nuk e ka shkruar…

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura