Prapaskenat/ “Lufta” në Mamurras mes të afërmeve të ish-deputetit dhe patrullës, policia bën përgjegjës efektivin

Apr 14, 2021 | 15:03
SHPËRNDAJE

Në lidhje me përplasjen me armë që ndodhi dje në Mamurras, Policia duket se deri tani bën përgjegjës një efektiv të patrullës, që sipas saj, ka qëlluar me armë e për pasojë u plagosën dy kolegët e tij si edhe një qytetar.

Megjithatë nuk saktësoi nëse të tre janë plagosur nga arma e efektivit apo ka pasur shkëmbim me armë zjarri, duke ia faturuar hetimet Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Burime nga grupi hetimor thanë se patrulla me tre efektivë kanë tentuar që të ndalojë të rinjtë që udhëtonin me makinën e tyre, pasi kishin kryer manovra të rrezikshme dhe kishin kaluar kundërvajtje, si edhe nuk i janë përgjigjur thirrjes së uniformave blu për të ndalur.

Efektivët i janë vënë në ndjekje të tyre duke mundur t’i ndalojë në qendër të Mamurrasit. Të rinjtë kanë hapur krahun dhe kanë ndaluar, e më pas është afruar edhe patrulla e Policisë.

Brenda makinës kanë qenë dy persona, por sapo kanë parë që janë ndaluar nga uniformat blu, rreth 5-6 persona të tjerë janë afruar pranë të rinjve.

Në këtë moment Nikollë Vorfi ka dalë nga makina dhe ka qëlluar ndaj efektivëve të Policisë, duke goditur njërin prej tyre me sende të forta.

Pas kësaj, një nga policët, i identifikuar me inicialet D.M., ka hapur zjarr duke e qëlluar në këmbë, por të plagosur kanë mbetur edhe dy kolegët e tij.

VERSIONI SHÇBA

Ndërkohë një ditë pas ngjarjes, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat doli në një njoftim zyrtar duke dhënë versionin e ngjarjes.

Sipas tyre, tre shtetas goditën me sende të forta, punonjësin e policisë, i cili në kushtet e vetëmbrotjes ka nxjerrë armën e shërbimit dhe pasi i ka paralajmëruar ata, fillimisht duke gjuajtur në ajër.

Më pas sipas Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat nga goditja me sende të forta e shtetasve, efektivi ka kryer qitje të pakontrolluar duke plagosur shtetasin Nikoll Vorfi dhe dy kolegët e tij, punonjësit e policisë Ilir Zekaj dhe Flamur Lleja, të cilët ndodhen jashtë rrezikur për jetën.

Të arrestuarit të afërm të ish-deputetit Mhill Fufi

Ndërkohë janë vënë në pranga Nikoll Fufi (Vorfi) , 36 vjeç, Gjon Fufi 40 vjeç, dhe Rudolf Fufi 31 vjeç. Ata mësohet se janë të afërm të ish-deputetit Mhill Fufi, i cili aktualisht është drejtues i Drejtorisë së Kontrollit të Mjeteve në Laç.

Gjithashtu pas përplasjes u shoqëruan në Komisariat edhe 7 persona nga fisi i ish-deputetit Mhill Fufi.

Ndërkohë janë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë pranë vendit të ngjarjes për të zbuluar përmes pamjeve se si ka ndodhur kjo përplasje.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura