Prapaskenat e Lazaratit, puseta me armë u spiunua nga të arrestuarit

Jul 10, 2015 | 22:02
SHPËRNDAJE

Arsenali i armëve të gjetura brenda një pusete në Lazarat, pak ditë pas vrasjes së policit Ibrahim Basha, është “spiunuar” që nga kryeqyteti. Burime të rezervuara bënë me dije se armët e fshehura në pusetë janë pohuar nga njëri prej personave të arrestuar. Pas përshkrimit të dhënë për vendndodhjen e pusetës, aty kanë mbërritur punonjësit e Policisë, të cilët nuk janë zhgënjyer.

Forca policie te FNSH dhe forcat RENEA ne Lazarat

Brenda pusetës janë gjetur armë të rënda, që nga antitanku, bazuka, mitralozi etj., e deri te kallashnikovi dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh të kalibrave të ndryshëm. Nga verifikimi paraprak që është kryer nga ekspertët në vendin ku u gjetën armët, duket se ato janë të gjitha në gjendje pune dhe funksionale. Pas gjetjes, ato janë sekuestruar si provë materiale dhe janë dërguar drejt Laboratorit të Kriminalistikës, ku do të kryhet ekspertimi balistik dhe verifikimi për gjurmë gishtash.

Bëhet e ditur se ekzaminimi i tyre ende nuk ka përfunduar. Aktualisht Prokuroria për Krimet e Rënda ka administruar deklarimet e dy prej të arrestuarve, të cilët kanë dhënë shpjegime. Ata kanë dhënë detaje për “grupin e zjarrit”, duke pohuar se ishin të ndarë në tri nëngrupe dhe përgatitur për të sulmuar forcat e rendit.

EKSPERIMENTI
Prokuroria për Krimet e Rënda do të zhvillojë një eksperiment hetimor në vendin ku u vra efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha, në Lazarat. Ky pritet të jetë një nga veprimet e mundshme hetimore për zbardhjen e mekanizmit të plotë të vrasjes së policit.

Burime pranë Prokurorisë bënë me dije se për realizimin e eksperimentit hetimor do të përdoren armët që u gjetën prapa shkollës së mesme në Lazarat, jo shumë larg vendit nga ku dyshohet të jetë qëlluar furgoni i policisë. Këto armë dyshohet të kenë qenë pjesë e arsenalit të armëve, që ka përdorur “grupi i zjarrit” në Lazarat, organizatorë të të cilit mendohet të jenë dy vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko.

Përmes këtij veprimi hetimor pritet të përcaktohet vendi i saktë ku ka qenë personi që ka shtënë drejt mjetit të Policisë, si dhe trajektorja që ka ndjekur predha. Po ashtu, përmes tij do të ngushtohet perimetri i vendit ku mund të ketë rënë predha e plumbit, që la të vdekur efektivin Basha dhe plagosi dy kolegët e tij, e cila ende nuk është gjetur.

ARMAND BAJRAMI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura