Prapaskena, ja pse Tirana largoi Gjergji Muzakën dhe Erjon Vucajn

Jan 8, 2017 | 9:50
SHPËRNDAJE

Lajmi për largimin e Muzakës dhe Vucajt nga Tirana bëri jehonë të madhe. Surprizë nuk ishte vetëm për mediat, por mbi të gjitha edhe për tifozët. Askush nuk e priste që këta dy emra do të ishin jashtë listës turke. Megjithatë, “divorci” mes palëve nuk ishte kaq i papritur. Prapaskenat e zbardhura nga “Panorama Sport” dëshmojnë se krisja e marrëdhënieve ka nisur shumë herët.

muzaka vucaj

Çështja “Muzaka”

Ftohja erdhi kur Gjergj Muzaka u dëmtua vjet dhe u detyrua që të operonte gjurin. Lojtari nuk mori pagë të plotë, plus nuk iu hoqën as shpenzimet e rikuperimit. E gjithë kjo situatë mbeti e pandryshuar, deri në momentin që mesfushori u rikthye nga dëmtimi 5-mujor. Edhe me operacionin në shpatull, situata shkoi njësoi.

Por krisja u përforcua pas ndeshjes me Korabin (faza e parë), që Muzaka shënoi edhe golin e fitoren. Asokohe ekipi drejtohej nga Ilir Daja dhe ai e vlerësoi si një “blerje”. Fill pas atij goli, klubi i kërkoi që të dilte në televizion, pasi ishte i ftuar në një emision sportiv, por Muzaka ka refuzuar, duke e cilësuar si të tepërt faktin që Tirana u kujtua për të vetëm pas asaj ndeshjeje.

Pas atij momenti, hapësirat e lojtarit në formacion ishin minimale, për të mos thënë që u kthye në zgjedhje e dytë, edhe pse pat rifituar formë të mirë. Me fjalë të tjera, krisja e marrëdhënieve e ka penalizuar edhe për të luajtur. Kjo bëri që ai të mbetej edhe jashtë listës së Antalias. Jo vetëm kaq, por lojtari as nuk u njoftua për këtë fakt, ndërsa mungesën e emrit në listë e ka marrë vesh nga shokët e ekipit.

Sikundër edhe gazeta e ka bërë të ditur një ditë më parë, çështja mund të përfundojë në DHZK. Muzaka ka afro 14 muaj pa u paguar, ndërsa mësohet se paga e tij shkonte në afro 6 milionë lekë të vjetër dhe me një llogari të përafërt detyrimi shkon në 84 milionë lekë (ndoshta edhe diçka më pak, në varësi të klauzolës që mund të ketë pasur për rrogat që duhet të merrte kur ishte i dëmtuar).

Çështja “Vucaj”

Edhe largimi i Erjon Vucajt nuk ishte aq i beftë. Mungesa e hapësirave në formacion bëri që vetë lojtari të kishte një diskutim me stafin teknik për të ardhmen. Dhe, pas një bisede të hapur, rezultoi se nuk ishte në plane. Ndryshe nga Muzaka, shkodrani u njoftua se nuk ishte pjesë e listës. Megjithatë, zyrtare u bë vetëm gjatë mesnatës, pak orë para se ekipi të nisej në Antalia.

Mesfushori dje ka negociuar me drejtuesit më të lartë të klubit dhe mësohet se kanë arritur parimisht akordin, për të zgjidhur kontratën me konsensus. Gjithsesi, tashmë mbetet vetëm që të bëhen gati edhe shkresat dhe detyrimet e mbartura do të bëhen me këste. Ashtu si Muzaka, edhe ai ka pasur disa muaj pa u paguar, ndërsa rroga e tij mujore shkonte në 4.5 mijë euro. Sapo të mbyllë procedurat, Vucaj mund të rikthehet te Laçi, atje ku edhe hapësirat do i ketë më të mëdha.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura