Pranimet në universitete/ Ja degët që u ezauruan në krye të herës dhe ato ku garohet. Mijëra kuota të lira

Sep 21, 2021 | 11:18
SHPËRNDAJE

Mbi shtatë mijë maturantë që nuk kapën asnjë degë apo atë që dëshironin në shtatë fazat e raundit të parë bashkë me një mijë të tjerë që shlyen detyrimet e Maturës Shtetërore në vjeshtë, garojnë për vendet e paplotësuara në universite.

rektor

Nuk janë pak, por mijëra syresh, si në universitetet publike dhe ato private, që janë gati të presin aplikime edhe përgjatë ditës së sotme. Në fund të muajit do të shpallen listat e dyta të fituesve, ndërsa pesë fazat e regjistrimeve do të zhvillohen nga 30 shtatori deri në 9 tetor. Më i madhi, njëherësh më i kërkuari universitet në vend, ai i Tiranës, ndonëse ka ezauruar një pjesë të madhe të vendeve në degë preferenciale, ka ende kapacitete për të pranuar studentë të rinj.

Bëhet fjalë për 1874 vende të lira, nga më shumë se pesë mijë të ofruara në total. “Kuotat në Universitetin e Tiranës janë 5133, do të thotë 78 kuota më shumë nga viti që shkoi. Numri i regjistrimeve është 3258”, tha rektori Artan Hoxha në konferencën e djeshme për mediat. Edhe këtë vit, preferencat e maturantëve janë të njëjta për degët e studimit Informatikë Ekonomike, Informatikë, Financë, Drejtësi, por edhe gjuhët e huaja.

“Drejtësia ka 46 aplikime më shumë, Informatika Ekonomike ka 270 më shumë. Po ashtu, 270 ka Informatika aplikime më shumë, Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit ka 534 aplikime më shumë, Inxhinieria Matematike dhe Informatike 181 aplikime më shumë”, nënvizoi Hoxha.

Të rinjtë që kanë zgjedhur të bëhen mësues, këtë vit janë përballur me më shumë kritere pranimi, për të rritur nivelin e arsimtarëve të rinj. “Disa programe të tjera të mësuesisë ne i kemi me problematikë. Në gjuhët e huaja, për shembull, kemi pasur gjuhën ruse dhe greke me problematike, pastaj kemi dhe programe të tjera siç janë Fizika, Kimia, Filozofia, të cilat kanë pak regjistrime”. Mjekësia mbetet dega më e preferuar nga aplikantët maturantë, duke u mbyllur regjistrimit në këtë fakultet që në raundin e parë.

Në Drejtësi, Ekonomi dhe Psikologji janë regjistruar mbi 94 % e aplikuesve. Mënyra se si do të nisë apo vijojë mësimi në auditorë, varet nga përqindja e personelit akademik dhe studentëve të vaksinuar. Do të jetë Komiteti i Ekspertëve ai që do të marrë vendimin në prag të 11 tetorit, data e paracaktuar për hapjen e universiteteve.

22 mijë e 780 maturantë aplikuan në krye të herës për të fituar një program studimi. Por nga ky kontingjent, arritën të regjistroheshin vetëm 15 mijë prej tyre. Shtatë mijë të tjerët bashkë me maturantët që dhanë provimet në sesionin e vjeshtës si edhe ata që plotësuan së fundmi formularët A1/A1Z do të garojnë në raundin e dytë. Por ndryshe nga i pari, ata do të konkurrojnë për vendet e mbetura bosh. Gjithashtu, nuk do të kenë më shtatë faza të njëpasnjëshme 48-orëshe për t’u regjistruar, por vetëm pesë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura