Burg babait, rilidhi dritat për aparatin e oksigjenit të djalit. Nëna: Mori leje te OSHEE, e prenë në besë

Feb 23, 2015 | 8:55
SHPËRNDAJE

Për të shpëtuar fëmijën hyn në burg. Një histori e rëndë për shkak të problemeve me energjinë elektrike u shënua në një fshat të Shkodrës.

Nena me djalin 7-vjeçar

Naim Dyli, 39 vjeç, ndodhet në qeli që prej mbrëmjes së të premtes, pasi rilidhi energjinë për t’i dhënë oksigjen të birit. Djali 7-vjeçar i tij, Eglisoni, vuan nga probleme të frymëmarrjes dhe e ka të domosdoshëm aparatin e oksigjenit në rast urgjence, ndryshe i rrezikohet jeta. Përballë këtij fakti, Dyli, banor i fshatit Gur i Zi, nuk ka marrë parasysh prangat, por ka vënë në funksion sistemin elektrik në banesë për të shpëtuar të birin. Mbrëmjen e 20 shkurtit, policia zbarkoi në familjen Dyli, pasi ka parë dritat e shtëpisë ndezur. Menjëherë uniformat blu, të informuara nga punonjësit e OSHEE-së, i kanë vënë prangat 39-vjeçarit me akuzën e rilidhjes së paligjshme të energjisë elektrike. Me gjithë deklaratat e familjarëve për gjendjen e vështirë të Eglisonit 7-vjeçar, asgjë nuk u mor parasysh nga policia, e cila menjëherë bëri ndalimin e babait të fëmijës. Nga ana tjetër, nëna e fëmijës u detyrua të shkojë te fqinjët e saj për t’i vënë në prizë aparatin dhe ta shpëtonte atë.

DËSHMIA
Prej 7 vitesh, djali i familjes, Eglison Dyli, është i sëmurë kronik në rrugët e frymëmarrjes dhe në raste krizash atij i nevojitet të kryejë mjekimin me një pompë oksigjeni (aspirator), e cila punon me energji elektrike. Në rast se kjo ndërhyrje nuk realizohet në kohë, fëmija mund të vdesë në pak minuta. “Të enjten mbrëma, të ndodhur në një situatë krize të djalit tonë, i thashë burrit që të takojë çelësin pasi djali është i sëmurë. Por sapo Naimi ka ndezur dritat, pas pak ia behu policia. Të parat fjalë që i thanë, ishin: Pse i ke ndezur dritat pa bërë kontratën? Megjithëse Naimi u mundua t’ua shpjegojë gjendjen e djalit, një fakt i tillë nuk u mor fare parasysh nga policët. Më pas, ata i thanë se do të shkonte me ta për të hedhur një firmë që i ka ndezur dritat pa lidhur kontratë, ndaj dhe e morën me vete. Duke parë gjendjen e djalit u detyrova të shkoj te fqinjët për t’i vënë aparatin në punë me oksigjen djalit”, tregon gruaja. “Më pas, kur u përmirësua gjendja e djalit, mora vesh se Naimin e kanë arrestuar. Ai prej 3 ditësh ndodhet në ambientet e policisë dhe ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me të”. Ndërkohë që Eduarda me sytë e përlotur ka shtuar se në rast se djalin e saj do ta kapin sërish krizat, ajo do të lidhë energjinë edhe sikur të futet edhe vetë në burg. “Nuk mund ta lë djalin të vdesë”, tregon ajo.

Pompa e oksigjenit qe perdor femija

KONTRATA
Familja Dyli rezultonte të ishte debitore ndaj OSHEE-së. Naim Dyli ka shkuar disa herë për të lidhur kontratën që të bëjë likuidimin e debisë me këste, por punonjësit e OSHEEsë nuk e bënë një veprim të tillë, pasi libreza nuk ishte në emrin e babait të tij i vdekur prej kohësh. Atij i kanë thënë se mund ta lidhte kontratën e ëma, e cila ndodhej jashtë vendit dhe kthehej me 23 shkurt, (sot). Atëherë, nga ana e OSHEE-së i është thënë 39-vjeçarit se do të ulin çelësin e matësit të energjisë dhe deri në lidhjen e marrëveshjes për likuidim të debisë do të qëndronin në errësirë. Gruaja tregon se kur i shoqi u ka treguar për sëmundjen e të birit, punonjësit e OSHEE-së kanë pranuar që ai të lidhë energjinë në raste emergjente. “Por Naimi u pre në besë”, reagon Eduarda.

Ridvan Dibra 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura