POSTBLLOK versus BLLOK-ut të RI!

Sep 24, 2015 | 12:30
SHPËRNDAJE

ARDIAN ISUFI

   Dy fjalë për paradoksin e krahasimit të “bunkerëve” në qendër të Tiranës dhe paralelizmin e pavend ndërmjet tyre:
Së pari, bunkeri si pjesë e instalacionit në Memorialin e Izolimit Komunist – POSTBLLOK është një ARTEFAKT, që sipas matrikullimit daton që nga viti 1976 dhe ka qenë i instaluar qysh në këtë kohë në hyrje të BLLOK-ut, ku pa dyshim u analizua nga ne artistët (F. Lubonja – A. Isufi) si një zonë e caktuar (site specifik) ku ka gjurmë historike, duke e integruar në një “triptik artefaktesh” me Murin e Berlinit që është dhuratë nga qyteti i Berlinit dhe trupat e betonit të nxjerrë nga galeritë e minierës së Kampit famëkeq të Spaçit. Pra, nuk u soll apo u prodhua asnjë bunker i ri, por u evidentua ai që ishte pranë bulevardit si gjurmë historike në memorien humane.

Së dyti, bunkeri në hyrje të bllokut të ministrive pranë pedonales është një bunker i ri dhe i realizuar në formën dhe mënyrën estetike KITSCH, duke përdorur beton e hekur të ri jashtë çdo lloj konteksti historik, por thjesht si “hyrje butaforike” në tunelet e nëndheshëm që gjenden aty poshtë.
Dallimi është se në rastin e parë qëmtohet me vërtetësi historia e diktaturës komuniste dhe në rastin e dytë kemi një mediokritet  jo vetëm estetik për të të çuar në këtë histori, por ajo që është edhe më rëndësishme dhe që duhej ngritur si pyetje e munguar në shkrimin tuaj përtej arsyetimit tuaj të lojës banale politike është se:
A duhet të ndërtojmë BUNKERË TË RINJ?!
Unë mendoj se JO!

Shqipëria ka me qindra-mijëra bunkerë dhe në psikikën tonë ky objekt betoni është metaforë e IZOLIMIT dhe DHUNIMIT TË TË DREJTAVE TË INDIVIDIT, dhe nëse i ribëjmë të reja, do të thotë që jemi në të njëjtat pozita metaforike, apo QEVERIU dashje-pa dashje ka nevojë për të rievidentuar simbole të tilla, që të betonojë në syrin e publikut “pushtetin me dorë të fortë”.

Nëse do të niseshim edhe nga eksperienca botërore në raste të ngjashme, ose kanë përdorur objekte origjinale (si në rastin e POSTBLLOK), ose kanë bërë interpretime duke përdorur forma të njëjta, por materie kryekëput të kundërta, si p.sh. materiale të tejdukshme për të hequr konceptin e izolimit dhe për të dhënë konceptin e transparencës dhe tolerancës.

Pra, parë edhe në kontekstin politik, “bunkeri” në POSTBLLOK është domosdoshmëri historike për të MOS HARRUAR DIKTATUREN dhe për të kujtuar të keqen e saj, ndërsa përkundër bunkeri i ri te ministritë tenton të RESTAUROJE PUSHTETIN e kësaj DIKTATURE, duke instaluar një kërpudhë të re të vanitetit të pushtetit të sotëm.

Së fundi, i pëlqen apo nuk i pëlqen dikujt që me anë të mjeteve të informimit tenton të turbullojë ujin për përfitime të mbrapshta politike, do të shtoja se POSTBLLOK është një nga sitet artistike, historike dhe turistike më të vizituara në qytetin e Tiranës dhe kjo është analizuar nga statistikat dhe opinionet e vizitoreve që vijnë nga gjithë bota, ku pa dyshim Bashkia e Tiranës në kohën e Bashës ishte shumë inteligjente që e mirëkuptoi këtë instalacion artistik dhe dha një kontribut konkret në përshfaqjen e një segmenti me rëndësi të historisë sonë të së shkuarës së afërme.
*Bashkautor i POSTBLLOK

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura