“Poshtë” Shqipëria, rroftë Italia?

May 22, 2018 | 12:35
SHPËRNDAJE

besnik-dizdari-470x264BESNIK DIZDARI

Të shtunën, duke pa emi sionin e lajmeve të ndonjë televizioni që ka statusin kombëtar, përjetova një rast krejt absurd, madje kundërshqiptar. Kur shkoi te lajmet sportive, TV-ja në fjalë, i qiti fundin ditës së mbrame të Kampionatit të Futbollit të Italisë. Mirë e bukur! Kush ka fituar, kush ka humbur, si ka humbur, lamtumira e Buffoni-t, deri te shqetësimi për rënien e Crotones  (a vërtet e dinë shqiptarët se kush është Crotone?). Madje, edhe se çka do të ndodhte në ndeshjen e mbrëmjes.

Mbasi mbaroi, pra, bukur e mirë, me këtë rubrikë të italianizimit krejt të papranueshëm e artificial, “papritmas” dha një lajm që, për të, dukej se ishte i dorës së dytë: që Kombëtarja e Shqipërisë – e shtetit të cilit i përkiste ky televizion – kishte fituar 3-0 me Gjeorgjinë për Ligën e Europës në volejboll për femra. E kaloi sikur Serie A të ishte Kampionati i Shqipërisë, ndërsa fitorja e bujshme, që me të drejtë gazeta “Panorama Sport” e titulloi në faqen e parë si “Start mahnitës i vajzave kuq e zi” , TV në fjalë, pra, e trajtoi sikur kjo fitore të kishte të bënte me një shtet tjetër, joshqiptar! Është pak të thuash skandal gazetarie.

Në të vërtetë është shkombëtarizim tejet domethënës në fushën e medias kombëtare, çka nuk e gjen në asnjë vend të botës. Dhe, për fat, kjo ndodh vazhdimisht. Deri dhe psikologjikisht ia vlen për t’u studiuar. Kështu, nëse do t’i psikologjisësh fytyrat e folësve kur përshkruajnë a komentojnë ngjarjet e Serie A të Italisë, vetvetiu fytyra iu merr një pamje vetëkënaqësie, madje dhe impozante, doemos edhe krejt artificiale. Kur shkon më vonë (gjithmonë më vonë) për te lajmet e Shqipërisë, fytyra iu merr një pamje si “për të ikë sa më parë”.

E, edhe kur janë në rolin e “analistit” apo të “pseudoanalistit”, e pranojnë me eufori se janë tifozë, bie fjale të Juventusit të Italisë!? Kjo është Shqipëria e sotme megalomane me “veprat e të tjerëve” dhe krejt “modeste” apo e mpakur me veprat e kombit të vet. Tash, nëse dikush gjen një prej shteteve të Ballkanit, pra, jo të Europës që është plot mend, që në lajmet qendrore të ditës, i jep në TV kë- sisoj hapësire Kampionatit të një shteti tjetër, qoftë dhe të Serie A të Italisë, kështu si Shqipëria, le të na e thonë. Keq kemi përfunduar! Kemi sendërtuar një ndjenjë kundërshqiptare pompoziteti “sui generis”. Që më rëndësi për Shqipërinë ka se la futbollin 40-vjeçari Buffoni (punë e madhe fort!) sesa që Shqipëria fiton 3- 0 në volejboll me Gjeorgjinë për Europën.

Madje, me atë Gjeorgji që vjen nga shkolla e volejbollit të Bashkimit Sovjetik, që ka qenë dhe është ndër më të përparuarat në botë. Kjo prepotencë kundërshqiptare përmes spekulimit në politikën e dhënies së lajmeve sportive, gati për natë deri dhe për çikrime të Kampionatit të Italisë Serie A, është vetëm një shpikje televizive e Shqipërisë, e cila aty e ka shqetësimin. Pra, se si fitoi Juventusi titullin e Italisë dhe, jo te Shqipëria që fiton 3-0 me Gjeorgjinë ne volejboll për Europën – që dikur ka qenë një nga sportet më të përparuara të Shqipërisë. Vështirë të gjeje dje një gazetë të përditshme josportive që e jepte lajmin e fitores shqiptare me Gjeorgjinë për Ligën e Europës.

Pa, sa për fundin e Kampionatit të Italisë, shkoni e i shihni sa me “origjinalitet”, e aty-këtu edhe me sa pompozitet, që e jepnin… E pra, a nuk duhet ndalë kjo dukuri nënshtruese, për të mos thënë fyese dhe e një ndjenje inferioriteti për një komb, për formimin kombëtar të rinisë shqiptare? Është një ndjenje Qeveria e Edi Ramës është praktikisht me mision të kompromentuar rëndë edhe nga këndvështrimi politik socialist dhe europianist. Shpirti i kësaj qeverie, i njollosur pareshtur me dallavere, mashtrime të turpshme e të vazhdueshme, është zvogëluar, zvetënuar, ndryshkur dhe menteshat e banalitetit mbisundojnë veprimin e saj kundërshqiptare.

Këtu, shteti, qeveria, ministria duket që nuk kanë njerëz të një kulture a të një dije kësisoj, për ta njohur e as dëshirë për ta përvetësuar. Këtë e di fort mirë autori i këtij shkrimi, i cili kritikon rregullisht këtë dukuri. Këtë sigurisht e dinë po aq mirë edhe mijëra e mijëra shqiptarë atdhetarë. Dhe çudi vërtet! Ndërsa “autorët” e këtyre bëmave, edhe kur në një shkrim të vetëm kritikohen për 12 rrena që botojnë, prapë i varin buzët e ankohen. Në vend që të thonë “faleminderit, se nuk do të rrej më”. E, po përsëris edhe këtu thënien emblematike të Indro Montanellit: “Dita më e lumtur e imja është kur botoj ndonjë pasaktësi në gazetë, sepse ky është rasti i vetëm që më jep mundësinë t’i kërkoj të falur lexuesit, padronit të vetëm që kam”!

Mirëpo, kush kërkon të falur në këtë vend, kush pyet këtu, në këtë rast për shikuesin?… E njohin për injorant, që mezi pret që t’ia tregosh ti sesi do të luajë Interi a Roma ndeshjen e mbrëmjes a të ditës, apo cilët lojtarë do të blejë apo do të shesë Juventusi. Harrojnë se ky shikuesi i ka në xhep televizionet e gazetat e Europës, lajmet e menjëhershme, madje me germa të shkruara, me zë e figurë, që i sheh edhe duke shëtitur në qytet. Për fat, ndoshta mezi gjen fitoren shqiptare të volejbollit kundër Gjeorgjisë, mu atë, që ti gati ia fsheh! Ndonëse është një ngjarje fort e rëndësishme jo italiane, por shqiptare. Si i bëhet pra? Këtë duhet ta dinë e pakta dy ministri, ajo e Arsimit dhe e Sporteve dhe ajo e Kulturës, pa shkuar te institucioni i AMAs.

Më kujtohet para nja 20 a 30 vjetësh se si organizime kësisoj të Francës gjobitën një TV se kishte kaluar përqindjen e transmetimeve muzikore në pakësim të muzikës franceze. Ndoshta e italianizuar edhe ajo si Shqipëria për madhështinimin e Serie A… Çka në Shqipëri, kësisoj, nuk ka ndodhur as gjatë pushtimit fashist italian… Dhe, mu për këtë, po i shoqëroj këto radhë me frontespice faqeje të marra nga gazeta “Fashizmi” 1939, doemos e komanduar nga pushtuesi. Për çudi, shihet qartë, se nuk ka përparësi Kampionati i Serie A të Italisë, e cila një vit përpara ishte bërë madje deri kampione e botës e ne ishim pjesë e saj.

E kështu pra, te “Fashizmi”, siç shihet, përparësi ka sporti modest shqiptar aq sa ai ishte. Shihni titujt e shkrimeve. Do të gjeni Berat e Vlorë, Tiranë e Shkodër, madje edhe emra të tillë sportistësh si Vllas Arapi, Perlat Rexhepi, Lef e Mitaq Sallata e të tjerë, të cilët po bëheshin gati të rrëmbenin pushkën dhe të jepnin jetën për çlirimin e Shqipërisë. Ishte viti 1939. Sot më 2018-n e Shekullit XXI nuk na mbetet gjë tjetër veçse të thërrasim: “Poshtë” Shqipëria dhe rroftë Italia e Serie A!… Por jo!

Ne i urojmë fitoren e çmueshme volejbollisteve të Shqipërisë e arritur pikërisht në vitin e 60-vjetorit të shpërthimit të volejbollit shqiptar në Europë. Ka qenë 1958 dhe Shqipëria midis 11 ekipeve më të mira të Europës: 3-0 Austrisë, 3-1 Turqisë, 3-1 Tunizisë, 3-0 Egjiptit, 3-1 Finlandës, 3-2 Holandës… Do t’i kthehem më vonë këtij jubileu të madh sportiv, që i bën nder jo sportit të Shqipërisë, por historisë së Shqipërisë. Asaj historie që qenka errësuar krejt prej Serie A të Italisë!…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura