“Porta e hapur” e Beratit

Oct 21, 2018 | 14:21
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

Pellumb Nako

I mbytur nga kronika e zezë, duket se lajmi mbi aktet e mira, me fytyrë njerëzore nuk po gjen dot vend për të dalë në dritë. Ai është këmbyer me shfaqje të stisura artificialiteti televiziv. Por, mesa duket, edhe në këtë shkretëtirë me mungesë vlerash pozitiviteti, mbin ndonjë lule e ndrojtur njerëzore dhe të bën të mendosh se ka ende shumë shpresa. Edhe e mira është këtu mes nesh.

E nëpërkëmbur e padukshme, po aty është. Patjetër larg shkëlqimit të dritës së kamerave për përfitim makut.Në Berat turizmi po rritet nga viti në vit. Qyteti ose më saktë pjesa historike e tij është kthyer në një destinacion për shumë e shumë vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit. Duket se stërgjyshërit e banorëve të qytetit të sotëm kanë qenë vërtet të ndritur. Edhe sot, disa shekuj më pas, stërnipërit e tyre po jetojnë me të ardhura të siguruara pikërisht nga arkitektura e ndërtimeve në lagjet e kohërave të dikurshme. Dhe jo vetëm. Sepse aty nuk ka vetëm ndërtim. Ka edhe shpirt. Ka filozofi. Mirësi që trashëgohet. Lagjet e vjetra mbi të gjitha të japin ndjesinë e jetës në komunitet. Mbështetje për njëri-tjetrin, afërsi. Kaq shumë të munguara sot. E mbizotëruar nga dritaret si dëshirë për diell e dije, nga portat për të qenë të hapura, mikpritëse, arkitektura historike të Beratit ofron shumë ngrohtësi. Edhe kjo e fundit e po aq e munguar sot.

Me të drejtë, beratasit po ia ndjejnë kënaqësinë talentit të stërgjyshërve të tyre. Edhe ata po shtojnë diçka për të. Ndonjë hotel, bujtinë apo restorant sipas modelit të vjetër. Natyrshëm, qeveria nuk do të mungojë të mburret deri në kupë të qiellit me sipërmarrjet e brezave të tanishëm për të ndërtuar apo riparuar ndonjë hotel mikpritës, restorante me gatim të shijshëm. Të gjitha arritjet individuale ajo i përvetëson si të saja, pavarësisht kalvarit të gjatë që taksidarët e saj arrogantë dhe të “rreptë” në zbatimin e ligjit u shkaktojnë atyre pak investitorëve vendas. Në fakt, ligje dhe ligjruajtës të rreptë janë tipike të vendeve me korrupsion të lartë.

Në Berat të gjithë e dinë se ushqimi tradicional është i veçantë. Madje, në sezonin turistik jo pak herë restorantet me emër janë plot dhe në to nuk gjen dot vende. Edhe ushqimi, si arkitektura. Ai tradicional shijon dhe ngjall më shumë interes. Por Berati nuk mbaron këtu. Brenda tij ka më shumë thellësi dhe prej andej bukuri të tjera. Pak larg turistëve, medias. Ka shpirt të mirë, modest, të mishëruar në veprime bamirësie. Është restoranti “Porta e hapur”. Pak e dinë, të shumtë e frekuentojnë. Kjo nuk është reklamë restorantesh. Është nxjerrje në dritë e një akti human, njerëzor i një individi. Beratas larg bujës, zhurmës.

“Porta e hapur”, në fakt është një zemër beratase e hapur. Është një restorant me fillime në vitin 2017 që jep 10 000 vakte falas në vit për të vobektit e qytetit. Se edhe në Berat, tutje shkëlqimit marramendës tredimensional të videove kryeministrore, ka edhe shumë njerëz të zhveshur nga çdo lloj mjeti për të jetuar. Të braktisur. Të pazotë të përballen me mizoritë e fatit, që u ka rezervuar jeta. Që kanë nevojë për një apo dy vakte të ngrohta. Për solidaritet njerëzor. Veprim i ndjerë ky i këtij qytetari, i cili ka vendosur të ndajë me bashkëqytetarët e tij më shumë në nevojë një pjesë të parave që fiton. Për t’u sjellë pak dinjitet. Kjo nuk është retorikë. Është fakt. Secili prej tyre ka ndjesi turpi për arsyen se po ushqehet falas. Por uria detyron. Ajo nuk pyet për dinjitet. Ndaj dhe ata hyjnë në restorant të heshtur, kokulur thuajse rrëshqasin. Hanë pa ngritur sytë. Madje, edhe vetë restoranti është i vendosur në një vend pak diskret, që nuk bie në sy. Për të ruajtur privatësinë, dinjitetin e atyre që e frekuentojnë. Personeli shërbyes, po ashtu i punësuar nga qytetari, është rreptësisht i kualifikuar. Kokulur në respekt të plotë të klientëve.

Bujtësit nuk janë në gjendje të thyejnë rregullat e natyrës. Pasi janë ushqyer, të ngopur bëhen më të zhurmshëm. Fillojnë të diskutojnë. Janë mirënjohës, por nuk dinë kë të falënderojnë. Nuk e njohin “bosin”, “shefin”, “pronarin” madje dhe “presidentin” që u mundëson të ushqehen. Sepse ky beratas, ateist, kryen misionin e tij kundrejt së mirës, njerëzores. Bën atë që mundet për të zbutur sado pak të keqen. E bën në heshtje me para nga xhepi i tij dhe në këmbim nuk kërkon asgjë. Nuk u del para bujtësve për t’i respektuar. Për të mos i vënë në siklet. Nuk ka nevojë t’i thonë “marrsh nga ditët tona”. Dhe nuk bëhet fjalë as për shirita inaugurimi, as vizita vip-ash, as kamera. Madje as ky shkrim nuk është i autorizuar për të dhënë detaje.

Diskutimeve të tyre nuk i shpëton as politika. Kjo edhe për arsyen e një rastësie në dukje periferike. Gërmat “Porta e hapur” dhe ambientet e restorantit dominohen nga ngjyrat blu me të bardhë dhe klientët, të të gjitha simpative partiake, ngatërrohen duke e quajtur “presidentin” si të PD-së. Në fakt, këto dy ngjyra “presidenti” i përdor në çdo simbolikë të aktivitetit të tij sepse personifikojnë ngjyrat Urdhrit të Nënë Terezës. Dukshëm, idhulli i tij. Në fakt, kjo rastësi ngjyrash të Nënë Terezës me PD-në duhet të kthehet në një thirrje për këtë forcë politike për t’iu paraqitur shqiptarëve projektin e ndërtimit të një shoqërie dhe sidomos të një qeverisjeje me fytyrë humane. Nuk ka asgjë të papërputhshme ndërmjet kapitalizimit dhe humanizmit. Ajo t’u ofrojë shqiptarëve politikanë me mision shërbimin për të bërë më të mirën.

Qeverisje me realizime konkrete, larg ideologjisë. Larg shfaqjeve. Qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës nga skena të parapërgatitura me kryetarë bashkish, që veshin nga një përparëse dhe bëjnë çunin e mirë, duke shërbyer ndonjë vakt për të vobektit në Tiranë. Por vetëm para kamerave. Prapa tyre realiteti radikalizohet në të kundërt. Asgjë nga xhepi personal. Mjaft më me shfaqje ulëritëse të hipokrizisë. Mjaft më ky model qeverisës me poza duke folur qetësisht para kamerave, i patrazuar, aspak i mallëngjyer të paktën, përkrah ndonjë të mituri që qan në krahët e tij për vëllanë e larguar nga kjo jetë, thjesht në kuadrin e një nisme të lidhur me vendosje stolash në ndonjë hapësirë publike.

As si në rastin e modelit të kryeqeveritarit, që fare rastësisht, në prani të kamerave, nga larg, një nënë rome e lumtur i bërtet që të merrte jetë edhe nga ditët e saj, kurse ai ia kthen me një puthje të dashuruari, plotësisht dakord për t’ia marrë ato ditët. Mundësisht edhe ne të gjithëve.

As si në rastin e organizatave të shumta jofitimprurëse që paradoksalisht pagesën e personelit të tyre e kanë shumë më të lartë nga ato fitimprurëse, gjithmonë në kërkim të fondeve, po asnjëherë ose shumë pak vullnetarizëm.

Beratasi ynë ndërton kapitalizmin, por me fytyrën e Nënë Terezës. Nuk është utopi. Është fakt. Ai po e bën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura