“Politikë grindavece e denigruese”/ Arben Malaj reagon pas qëndrimit të Edi Ramës për liderët e Kosovës: Egoja dhe demagogjia, shërbimi më i keq! Kjo është periudha…

Aug 11, 2021 | 12:02
SHPËRNDAJE

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama një ditë më parë per liderët e Kosovës. Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh për Haradinajn se në një takim në sy të Merkelit dhe Macronit kishte thënë se “mu nuk më han luli për këta!”.

arben malaj-edi rama

Me anë të një postimi në Facebook, Malaj thotë se denigrimi i çdo udhëheqësi legjitim të Kosovës nga një pjesë e vogël e lidershipit politik në Shqipëri është dëmi më i madh që po i bëhet rritjes dhe konsolidimit  të Kosovës.

Sipas Malajt, kurrë nuk ka pasur një udhëheqës shqiptar që të angazhohej publikisht për të nënvleftësuar udhëheqësit e Kosovës.

“Gjithmonë ka pasur qëndrime preferenciale, krahinore apo partiake, ka pasur gjithmonë qejfmbetje dhe pakënaqësi midis udhëheqësve të dy vendeve. Ka pasur shpesh ngurrim për të bashkëpunuar, por kurrë nuk ka pasur një udhëheqës shqiptar që të angazhohej publikisht për të nënvleftësuar, denigruar, penguar apo spostuar  udhëheqësit legjitim të Kosovës, sipas preferencave personale  ose të imponuara”, shkruan Malaj.

Ish-ministri thotë se në historinë e marrëdhënieve midis dy shteteve të pavarura të kombit shqiptar – kjo do të jetë periudha më e errët.

“Egoja, demagogjia, fushatat denigruese për udhëheqësin e Kosovës- janë shërbimi më i keq, direkt dhe indirekt  kundër konsolidimit të shtetit të Kosovës ecjes përpara në çdo kollonë shtete-formuese  dhe proceseve euro-atlantike – që do të mund të konsolidojnë paqen dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor”, mbyll postimin e tij Arben Malaj.

Shënimi i plotë i Arben Malajt

Lodhja e sforcuar dhe e mirë marketuar  e denigrimit të çdo udhëheqësi legjitim të Kosovës nga një pjesë e vogël e lidershipit politik dhe mediatik në Shqipëri– është dëmi më i madh që po i bëhet rritjes dhe konsolidimit  të Kosovës : (i) si shteti pavarur;  dhe (ii) përfaqësimit të saj dinjitoz në çdo iniciativë, tryezë të rrumbullakët dhe vendimmarrje konkrete në projektet rajonale dhe në procesin e integrimit euro-atlantik.  Kjo “politikë grindavece e denigruese” nuk ka ndodhur kurrë më parë me të njejtin negativitet dhe përkushtim, të paktën që nga viti 1991, kur kam ndjekur nga afër marrëdhëniet politike midis udhëheqësve legjitimë të Kosovës dhe udhëheqësve shqiptarë të  “Shqipërisë së vogël” për ambiciet  e tyre deri globale.

Gjithmonë ka pasur qëndrime preferenciale, krahinore apo partiake, ka pasur gjithmonë qejfmbetje dhe pakënaqësi midis udhëheqësve të dy vendeve.

Ka pasur shpesh ngurrim për të bashkëpunuar, por kurrë nuk ka pasur një udhëheqës shqiptar që të angazhohej publikisht për të nënvleftësuar, denigruar, penguar apo spostuar  udhëheqesit legjitim të Kosovës, sipas preferencave personale  ose të imponuara.

Në historinë e marrëdhënieve midis dy shteteve të pavarura të kombit shqiptar – kjo do të jetë periudha më e errët ku lidershipi shqiptar është përpjekur të pengojë, zvogëlojë, minimizoj përfaqësimin e drejtpërdrejtë dhe vendimmarrës të udhëheqësve legjitim të Kosovës,vetëm për shkak se ata  nuk pranojnë një kujdestari nga Lideri Suprem i Shqipëtarëve, që sipas tij po e pengojnë të bëhet udhëheqës i të gjithë shqiptarëve “shqip-folës”.

Kontributet për Kosovën nuk maten me atë që kërkoj nga serbët në Beograd, por me atë që ai dhe Shqipëria nuk po bën akoma : – Udhëheqja legjitime e Kosovës me fuqinë legjitime të votës së popullit të vet, të ketë autoritetin dhe respektin në çdo rast, tryezë, kancelari, nismë dhe projekt rajonal, evropian apo global.

Egoja, demagogjia, fushatat denigruese për udhëheqësin e Kosovës- janë shërbimi më i keq, direkt dhe indirekt  kundër konsolidimit të shtetit të Kosovës ecjes përpara në çdo kollonë shtete-formuese  dhe proceseve euro-atlantike – që do të mund të konsolidojnë paqen dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura