Politekniku, si do caktohen fituesit në vitin e ri akademik

Jul 20, 2016 | 17:00
SHPËRNDAJE

Universiteti Politeknik publikon kriteret mbi të cilat do të pranojë studentët në ciklin e parë të studimeve gjatë vitit 2016-2017.

universiteti-politeknik-tirane

Në faqen e UPT-së janë zyrtarizuar kushtet mbi të cilat do të përzgjidhen më të mirët. Rolin kryesor do ta ketë shkolla e mesme, e cila mban 70% të peshës së vlerësimit, ndërsa pjesën tjetër, 30% do ta kenë rezultatet e maturantëve në lëndët: Matematikë, Fizikë e Kimi.

Formula që përcakton fituesit ka shumëzuar me zero maturën shtetërore duke mos i dhënë peshë në formulën e përllogaritjes së pikëve. Tashmë, maturantët janë në pritje të udhëzimit të Ministrisë që detajon mënyrën e aplikimit në universitete. Të gjitha kërkesat e kandidatëve do të menaxhohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, e cila do t’ua përcjellë universiteteve për të bërë seleksionimin.

KRITERET

Përfundimi me sukses i gjimnazit dhe mesatarja e shkollës së mesme mbi gjashtë e caktuar me vendim qeverie, është kushti primar për të aplikuar për ndjekjen e studimeve në Universitetin Politeknik.

“Mbështetur në Ligjin Nr. 80/2015, “Për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në Institucionet e Arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, për t’u pranuar në një program studimi të ciklit të parë, apo program të integruar studimi të ciklit të dytë, kandidati duhet të ketë përfunduar me sukses Maturën Shtetërore, ose të zotërojë një diplomë tjetër studimi të fituar jashtë shtetit, të vlerësuar nga MASH-i si ekuivalente me të, ose të zotërojë një diplomë të lëshuar nga një institucion i Arsimit të Lartë”, përcaktohet në udhëzimin e publikuar në faqen zyrtare të UPT-së.

Më tej, janë disa kritere specifike të vendosura nga universiteti si kusht për të ndjekur studimet e ciklit të parë. Kështu, në përcaktimin e fituesve finalë do të ketë rol mesatarja, koefiçenti i shkollës së maturantit dhe rezultatet e gruplëndëve përgjatë viteve të shkollimit.

“Modalitetet e renditjes së kandidatëve do të bazohen në mesataren e përgjithshme të shkollës së mesme, llojin e shkollës së mesme të ndjekur dhe notat në lëndët specifike”, përcaktohet në njoftimin e UPT-së. Renditja e kandidatëve sipas kriterit të mësipërm dhe kuotat për çdo program studimi do të përcaktojnë kandidatët fitues.

Për ciklin e parë të studimeve në vitin e ri akademik, senati i Politeknikut ka miratuar 1657 kuota të reja, të shpërndara në programet e studimit të gjashtë fakulteteve. Kundrejt ankesave për ambientet e pakta në dispozicion, UPT-ja ka vendosur të pranojë këtë vit mbi 200 studentë më tepër në auditore.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura