‘Po mbahem kot në burg’/ Kërkoi pafajësi, Apeli i ul dënimin ish-deputetit Mark Frroku

Jan 9, 2018 | 9:31
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Ish-deputeti Mark Frroku, i dënuar me burg për akuzën e fshehjes së të ardhurave ka përfituar ulje dënimi.

Mark-Frroku-3

Gjykata e Apelit të Tiranës ka vendosur për Frrokun që t’i ulet dënimi me burg me 1 vit e 6 muaj. Në prill të vitit të shkuar, ish-deputeti u dënua me 7 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa tashmë dënimi i shkon në 6 vjet. Akuzat, që kishte ngritur Prokuroria ndaj tij, ishin “fshehje e të ardhurave” dhe “vrasje”.

Kjo e fundit, dyshohet se është konsumuar në Belgjikë, por ish-deputeti u shpall i pafajshëm nga Shkalla e Parë. Për këtë arsye, Prokuroria e Tiranës e kishte ankimuar vendimin në Apel, por kërkesa e saj është rrëzuar nga Dhoma Penale e Tiranës.

Nga ana tjetër, ish-deputeti Mark Frroku ka kërkuar pafajësi, por ka marrë vetëm ulje dënimi. Përveç dënimit me burg për fshehjen e të ardhurave, Mark Frrokut i ndalohet të zgjidhet apo emërohet në poste publike për një periudhë katërvjeçare.

Ish-deputeti Mark Frroku u vu nën akuzë dhe iu hoq mandati nga KQZ, pas kërkesës së autoriteteve belge për t’u gjykuar për vrasjen e Aleksandër Kurtit, e ndodhur në vitin e largët 1999 në Bruksel.

Me gjithë kërkesat për ekstradim, Mark Frroku u gjykua përfundimisht në Shqipëri, sipas një marrëveshjeje mes autoriteteve belge dhe atyre shqiptare. Por në prill të vitit 2017, Gjykata e Tiranës vendosi që ta shpallë të pafajshëm për vrasje. Frroku u shpall fajtor vetëm për fshehje të të ardhurave dhe ndërtim të paligjshëm. Vendimi i atëhershëm është dhënë me debate të shumta në seancë, ku Frroku pretendonte se ishte i pafajshëm.

“Kam dy vjet që mbahem në burg për vrasjen e një personi, të cilin nuk e kam parë ndonjëherë me sy. Madje, as një foto të tij nuk kam parë”, ka thënë Frroku në lidhje me akuzat për vrasje në seancën e prillit 2017. Lidhur me akuzat për fshehje të të ardhurave, Frroku ka insistuar se paratë ishin të fituara me punë dhe djersë.

“Kam punuar nga 16 orë në ditë. Prindërit e mi, që janë të moshuar sot, vijojnë të punojnë nga 10 orë në ditë. Unë kam qenë me armë të pabarabarta në gjykim”, shprehej Frroku në atë kohë, duke hedhur akuza ndaj aktekspertimit kontabël, i cili sipas tij ishte përgatitur nga ekspertë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe se atij nuk iu lejua që të zgjidhte ekspertë të pavarur.

Për ish-deputetin ka edhe një proces tjetër të hapur për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin “atentat” të dështuar ndaj deputetit Tom Doshi. Aktualisht, dosja është pa zot, pasi as Krimet e Rënda dhe as Gjykata e Lartë nuk po e marrin përsipër.

Prej dy vitesh, dosja kalon sa në njërën gjykatë në tjetrën, ndërsa pritet që të merret përfundimisht nga Gjykata Speciale, e cila nuk është ngritur ende. Në këtë çështje, janë nën akuzë Mark Frroku, Tom Doshi dhe Durim Bami, ai që pretendoi se mori porosinë për eliminimin fizik të deputetit. Por gjithçka, sipas Prokurorisë, ka qenë një sajesë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura