Pjatat e javës së modës në Milano

Sep 22, 2014 | 14:23
SHPËRNDAJE

Në javën e modës në Milano, përveç sfilatave, stilistët me famë ndërkombëtare nuk humbasin rast për të promovuar edhe restorantet e tyre. Jo se kanë nevojë, por meqenëse edhe rregullimi i përbërësve në një pjatë po kthehet gjithnjë e më shumë në sfidë se kush ta modelojë më bukur, kuzhina i afrohet gjithnjë e më shumë modës. Në fotografitë e mëposhtme prezantohen disa nga pjatat e restoranteve më të famshme në Milano, që mbajnë emrin e stilistëve që i zotërojnë. Në mos i provofshi ndonjëherë, të paktën shihini…

Ilirika nga Bledar Kola
Pjata Ilirika u prezantua një javë më parë në Itali në Festivalin Internacional të Lëngut dhe Supës së Peshkut. Autori i kësaj pjate, Bledar Kola, fitoi me të çmimin e dytë, pas atij të parë që u fitua nga një shef italian me një yll Michelin. Emri i pjatës, sipas Bledit, është përftuar nga bashkimi i emrit Ilir dhe Lirika. Nëse e provoni, do ta riprovoni sërish.


Përbërësit:

Sepje 70gr
karkalec 3 copë
koran 80 gr të pastruar
qefull 80 gr të pastruar
peshkatriçe 80 të pastruar
kockat e peshkatriçes duhen për lëngun e peshkut
domate jeshile 1 copë
domate e kuqe 1 copë
hudhër një thelb
sardele 2 copë
pluhur bajamesh 100 gr
vezë 1 kokërr
qepë 1 kokërr
vaj ulliri
krip
uthull molle

Përgatitja:
Fillojmë punën me prerjen në feta të holla të 40 gr të peshqve koran, qefull, peshkatriçe dhe të sepjes.
I shtrojmë në një pjatë dhe i marinojmë me pak vaj ulliri dhe uthull molle. I lëmë aty deri sa të përgatisim supën.
Njëkohësisht marinojmë edhe 2/4 e domates jeshile në vaj dhe uthull molle.
Përgatisim lëngun e peshkut me kockat e peshkatriçes, duke e zier për 10 minuta dhe e vendosim në një enë. Shtojmë brenda domaten e kuqe të prerë në feta të holla nga 2 cm.
Ndërkohë marrim një tenxhere gjysmë të thellë dhe kaurdisim qepën me hudhrën deri sa qepa të lëshojë pjesën e sheqerit të saj dhe pastaj shtojmë peshkatriçen. E kaurdisim pak dhe pastaj shtojmë lëngun e peshkatriçes, i cili duhet të jetë i ngrohtë në mënyrë që të mos ulet temperatura e tiganit.
Shtojmë sepjen e, pasi të jetë zier pak, hedhim karkalecin.
Përpara se ta heqim nga zjarri, shtojmë qefullin dhe koranin dhe e largojmë nga zjarri.
Pastrojmë sardelen dhe e kalojmë në veze dhe pluhur bajamesh dy herë. E skuqim në tigan për një minutë në të dyja anët.
Rregullimin e pjatës e bëjmë siç është në fotografi, duke filluar nga domatet e kuqe poshtë dhe pastaj vendosim peshqit e gatuar.
Përfundojmë me sardelen dhe zemrën e domates jeshile të marinuar.
Sipër vendosim lule begonia dhe nostartium dhe i hedhim lëng peshku sipas dëshirës.

Tiramisu light
Me 5 lëvizje të thjeshta mund të realizoni një tiramisu dietike. Ndiqini…
1. Në vend të biskotave, zgjidhni amaretat pa sheqer të cilat do t’i thërrmoni në fundin e një gote që do zgjidhni për të servirur ëmbëlsirën.
2. Pasi të keni shkrirë pak çokollatë të bardhë, përziejeni me djathin maskarpone dhe shtojuani biskotave duke formuar një shtresë të plotë mbi to.
3. Shtoni një shtresë tjetër biskotash të thërrmuara, këtë herë më të hollë dhe të përzierë me bajame të grira.
4. Në këtë fazë, ëmbëlsira është gati për t’i shtuar pluhurin e kakaos së hidhur.
5. Përpara se t’i shërbeni, lërini gotat në frigorifer të ftohen për disa orë.

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura