Piktori rrëfen prapaskenat e filmave para ‘90: Vizita e Kadaresë te ‘Radiostacioni’ dhe si e zbuluam Ndrenikën

Sep 4, 2019 | 14:45
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ 5 dekada pas, “Prita”, si imazh, zë qoshkun e katit të parë të Kryeministrisë, në Qendrën për Hapje dhe Dialog. Përballë pllakatit të famshëm qëndron krijuesi i saj, si dhe një prej bashkëpunëtorëve të filmit.

SHYQYRI SAKO (MAJTAS) ISMAIL KADARE E ROBERT NDRENIKA
SHYQYRI SAKO (MAJTAS) ISMAIL KADARE E ROBERT NDRENIKA

Petrit Omeri e gjen portretin e tij me veshjen e partizanit, mes 85 punimeve të ekspozuara të piktorit Shyqyri Sako, në “Duke pikturuar filmin”. Duken të dy të emocionuar. Çfarë ndjesie e rrallë të takosh veten pas gjysmë shekulli, të fiksuar në një vizatim! Portreti, më në fund, do të jetë i modelit që e frymëzoi gjatë xhirimeve të “Pritës”, artistikut të shumëdëshiruar nga regjisori Mithat Fagu.

“Ia premtova, do ta marrësh pas ekspozitës – i thashë”, tregon Sako, ndërsa një vajzë e re e impresionuar nga punët e tij, i kërkon një fotografi. Ndërkaq, vërejmë kuadrot kryesore, të cilat, siç artisti shpjegon, realizohen para filmit. Është një nga leksionet bazë që mori gjatë studimeve 3-vjeçare në Moskë, ku pati si pedagog udhëheqës Josif Shpinelin, piktorin e “Skënderbeut”. Rusi i njohur me origjinë hebre, e priti Sakon 20 -vjeçar duke i folur në gjuhën shqipe. I dha këshilla të arta, si ajo e të përqendruarit punën në literaturë, e mandej, kur Sakos iu desh të kthehej, pedagogu do ta porosiste: “Atë që unë nuk arrita ta zbuloj, kërkoje ti!”.

Kohën që ka kaluar në Rusi, e kujton me nostalgji. Është një nga periudhat më të bukura të rinisë së tij, ku mundi të thithë ajër lirie! Nudoja e vetme e ekspozitës vjen si dëshmi e asaj epoke. Me kthimin në Shqipëri, pas prishjes së marrëdhënieve me BS-në, s’do mund të realizonte më dot të tilla. Krahas imazheve të skalitura të filmave, ekspozita përmban edhe peizazhe, portrete e vizatime familjare.

Shkrimtari Bashkim Shehu
Shkrimtari Bashkim
Shehu

Për ta pasuruar rrëfimin e tij, artisti mban në duar albumin që i biri i dhuroi në 76-vjetor, si përmbledhje të krijimtarisë së tij 50-vjeçare. Është entuziast dhe thekson se ekspozita e tij koincidon me veprën e plotë të Da Vinçit, ekspozuar në Muze (imitim). “Vajta dje, e pashë. Si u takuam në një datë, – i thashë. Ndihem mirë, se kishte njerëz atje edhe këtu. Do të, shkoj përsëri, është babai i pikturës”.

Zoti Sako, 40 vite krijimtari në kinematografi, por sa e hershme është lidhja juaj me pikturën? Kush e pikasi talentin tuaj?

Që në vegjëli kam dashur të dallohesha nga të tjerët. Ja edhe këtu! (Tregon foton ku më pak se 7 vjeç qëndron larg të tjerëve për t’u evidentuar). Kam jetuar në jetimoren e Korçës së bashku me vëllanë dhe motrën. Unë isha fëmija i vogël dhe në ato vite kisha nisur të vizatoja. Mund të them se në njëfarë mënyre u vetëdijesova vetë për talentin që kisha. Nëna ime, e cila u vra gjatë luftës, qëndiste dhe ime motër e trashëgoi këtë dhunti prej saj. Ndërsa vëllai vizatonte, unë ndoqa rrugën e tyre, po munda të ecja edhe më tej.

Në “Shtëpinë e Pionierit” në Korçë morët leksionet e para nga artistë si Guri Madhi e Vangjush Mio, si i kujtoni këto figura?

Unë jam bërë piktor falë Vangjush Mios. Ishte një model, që unë e konsideroj si Da Vinçin shqiptar. Mio dhe Guri Madhi nuk ishin vetëm dy artistë të mrekullueshëm, por edhe shumë të respektueshëm edhe nga ana humane. Me Guri Madhin më ka ndodhur një koincidencë shumë e bukur. Unë nisa të mësoj me të në “Shtëpinë e Pionierit” në moshë të hershme dhe ndodhi që pas kthimit nga ish-BS, edhe vitin e katërt e përfundova po me të. Ishte pa dyshim nga më të mirët. Përpos kësaj, njerëzit e donin shumë, pasi dinte si të sillej.

Ismail Kadare
Ismail
Kadare

Studiuat në Moskë për 3 vite dhe jeni i vetmi i diplomuar si piktor filmi. Sa ju ka ndihmuar eksperienca në Rusi për kontributin e dhënë në kinemanë shqiptare?

Më ka ndihmuar shumë. U mundova që literaturën që kisha lexuar t’ua jepja dhe të tjerëve në Kinostudio. I udhëzoja. Si ishte ajo periudhë në Rusi? Një nga më të mirat e jetës sime. (Tregon foton-kartolinë që shoku i tij, Sergej nga Rusia, i ka nisur me mbishkrimin “I dashur mik Shykyri”). Kam mall për atë kohë, miqtë… (emocionohet). Le ta bëjnë këtë ekspozitë në Moskë edhe jam i kënaqur! Të jetë edhe si një pikë takimi. Kanë qenë vite të gëzuara, në dhomë ishim të gjithë me nacionalitete të ndryshme. Ishte një ukrainas, një djalosh nga Kazakistani dhe një indonezian, djali i ministrit të Kulturës në atë kohë. Kam kaluar çaste shumë të bukura. Të jesh në kulmin e moshës në një ambient plot gjallëri, kur vije nga një vend pa jetë si i yni, do të thoshte shumë. Ja kjo liri ndihet edhe në art. Atje të luteshin për të bërë një nudo, ndërsa këtu edhe ta diskutoje ishte me rrezik.

E nisët punën në Kinostudio 56 vite më parë në grupin e kostumeve. Sa e vështirë ka qenë në atë periudhë të gjeje veshjet, por edhe ambientet e duhura?

Atje ku bëheshin xhirimet, unë shkoja shtëpi më shtëpi. Kërkoja si kostumet, ashtu edhe ambientet. Ka pasur edhe raste të sikletshme, por fatmirësisht nuk kam qenë i turpshëm. Për shembull, më është dashur t’u kërkoja ndonjë prej banorëve të zonës të vishnin kostumin e vdekjes që të krijoja ide më të qartë, por ka pasur mirëkuptim.

radiostraciioh

Është e vërtetë se keni zbuluar edhe disa karaktere, që më vonë i kemi parë si protagonistë filmash?

Ka ndodhur kështu në disa raste, si me “Montatoren” më regji të Muharrem Fejzos, të cilën e kam pjesë të ekspozitës. Fatbardha Cani jetonte pranë shtëpisë sime. Kisha vërejtur portretin e saj interesant dhe në kohën kur kërkohej “Montatorja”, u thashë: “E kam gjetur unë! Kur t’jua sjell do të habiteni”. Edhe kështu ndodhi. Vajza çame u bë protagoniste e filmit. Në pllakat, figurën e saj e kam nxjerrë në plan të parë, sepse në atë kohë gruaja vlerësohej, por jo aq sa do të duhej. Dhe unë me timen mundohesha edhe në këtë aspekt. Mandej, edhe në sheshxhirim, kur kishte ndonjë karakter të veçantë, si përshembull aktori Ndrek Luca, unë e merrja pas kamerës për ta vizatuar. Kisha qëllimin tim, ndoshta shpresoja se do të vinte kjo kohë. Nga ana tjetër, kjo u vinte në ndihmë edhe aktorëve figurantë pasi ngjallnin më shumë interes edhe te regjisorët.

1

(Përballë pllakatit të filmit komik “Duke kërkuar 5- orëshin”, zëri i piktorit bëhet më i ngrohtë: Ja dhe miku im!- thotë ai, teksa qëndron përballë Robert Ndrenikës, 45 vite më i ri).

PIKTORI SHYQYRI SAKO
PIKTORI SHYQYRI SAKO

Duket se keni një lidhje të veçantë me Ndrenikën…

Kemi qenë shumë shokë dhe e kam punuar pllakatin e filmit me shumë qejf. Miqësia jonë është e hershme, pasi në njëfarë mënyre u bëra shkas që të futej në Kinostudio. Ndërhyra te Vaskë Aristidhi. I thashë: Dua të bëjmë diçka bashkë, ta marrim Robertin në Kinostudio. Ai në fillim shtangu disi.

-Po si do ta marrim, i ka ikur vëllai në Greqi?,-më tha. Unë doja ta lehtësoja situatën edhe ia ktheva:

Po punë e madhe! Ka ikur vëllai, jo ai. Do ta marrim e do ta fusim si figurant. Kështu, ai pranoi. Ishte e lehtë ta kuptoje se Ndrenika ishte talent, kishte lindur për atë punë. Kur i jap lajmin, sa është gëzuar!

“Do festojmë – më tha!”. Sepse e donte me zemër filmin. Aty filloi. Unë e kisha në Mëhallë, e takoja gjithmonë. E takoj edhe tani, është pak pa qejf. Edhe atij, i është ndarë gruaja nga jeta. Edhe kjo është tepër e vështirë. Prandaj, ai mallkimi që thotë “të vdektë gruaja në pleqëri”, duket se na ka zënë. Unë, edhe pse kam hequr dorë nga filmat, mundohem ta kaloj kohën duke pikturuar.

Cilët qenë kineastët e tjerë, të cilët i kishe më përzemër?

Janë disa. Po këta të fundit kanë qenë si të thuash nipat e mi. Kristaq Mitro, Ilia Terpini, më kanë shoqëruar edhe në ekspozitat e mia (tregon foton bashkë në 2012-ën). Kësaj here nuk ishin… (emocionohet) Pllakati “Operacioni i zjarrit” me portretin e protagonistit sjell një frymë gati perëndimore, e ngjashme me imazhet e kaubojsave.

Kam nostalgji për Llazi Serbon. Ka qenë shoku im më i ngushtë dhe aktorë shumë i mirë. Kur pa të përfunduar pllakatin, u hodh nga gëzimi. I dukej vetja si në filmat dondulerë amerikanë. “Më ke vënë në një pozitë që unë të shikoj drejt e në sy”, më tha.

“Ti më ke parë në sy, ndaj e bëra kështu!”, ia ktheva unë me përzemërsi.

Te “Rrugë të bardha”, pllakati fikson një nga momentet më të famshme filmike të kinemasë shqiptare. Një film i realizuar në kushte të vështira 45 vite më parë. Si e kujtoni?

Unë mendova që ta realizoj pllakatin në atë formë, që “Zana” (Elida Cangonji) të ndientë rrezikun që i kanosej Dedës (Rikard Larjes) dhe ky i fundit ta lajmëronte se ishte mirë. Është një film i ndjerë, të cilin e kemi xhiruar në Kërrabë të Pukës, në 2 m dëborë. Temperaturat ishin shumë të ulëta. Aty kishim një dhomë e një sobë, natën Rikardi na bënte zjarr.

Si ishte të pikturoje skenarin e ekranizuar të Kadaresë?

Kur po realizohej “Radiostacioni”, Kadareja dhe Bashkim Shehu vinin shpesh në sheshxhirim. Me Ismailin rrinim e bisedonim herë pas here. “Do dalë i mirë filmi?”, më pyeste. E kishte me merak. E donte, se ishte lufta e Tiranës. Ishte film me përgjegjësi, pasi kishte ngjallur interesin e zyrtarëve të lartë.

Jepnin sugjerime për filmin?

Jo, ata vetëm shikonin. Dukeshin të emocionuar, se është shumë interesante të shikosh procesin e ekranizimit të asaj që ke shkruar. Ne xhironim në ambiente të fshehura, nëpër bodrume.

Disa nga pllakatet janë nga dy herë, ndihet në to boja e freskët…

Ato që ishin marrë nga shtypi, unë nuk i doja. Ngula këmbë që në ekspozitë të ishte dora ime. Kështu që i mora nga Arkivi i Filmit dhe i ribëra gjatë këtyre muajve. Vetëm kështu kisha të drejtë t’i firmosja.

Përsëri miku juaj Ndrenika, “Odiseja e Tifozëve”, duket tepër moderne për kohën (1972)?

Unë mendoj se është nga më të mirat, edhe kopja është shumë e mirë. Këmbëngula atëherë ta printonin me kujdes se i doja ngjyrat e gjalla.

“Dimri i fundit” qe i acartë si në Pukën e “Rrugëve të bardha”?

Jo. Këtë film e xhiruam në Dardhë, moti ishte i ngrohtë po erën e krijonim përmes ventilatorëve. Unë e parashikova që filmi do kishte sukses sapo shfletova skenarin. Bëra pllakatin. Pastaj u thashë regjisorëve, Kristaq Mitros dhe Ibrahim Muçajt, se pllakati do t’ua impononte ta bënin skenën siç e kisha menduar unë. S’ndodh kjo tjetërkund. Gratë të marrin armët e të shkojnë në mal.

Shoqëruat Mishel Pikolin dhe Marcello Mastrojanin në Shqipëri në ’82-shin për xhirimin e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”. Pati kohë për të ngritur dekoret që realizuat?

Aktori Marcello Mastroianni
Aktori Marcello Mastroianni

Unë dekoret i bëra, po nuk u ngritën. Filmi nuk u xhirua se Enveri tha që “po na vijnë spiunët nga jashtë”. Kështu, më preu hovin e një filmi kryevepër. Kisha shkuar në Itali, për skenarin i kishim menduar të gjitha. Dhe këtu i gjetëm vendet dhe ata ishin të kënaqur. Por, në fund, u thanë “jo”.

“E diela e fundit” dhe “Plumbi prej plasteline”, dy filmat tuaj të fundit. Pse nuk vijuat më tej?

Mendoj se i thashë ç’kisha për të thënë. Përpos kësaj, mbasi dola në pension, nuk u bënë më filma në Kinostudio.

“VALENTINA IME”

Dy sy të mëdhenj plot shprehi. Veshur mban një xhaketë lëkure e kollare. Përpiqesh të kujtosh se në cilin film mund ta kesh parë. Zëri i piktorit thyen heshtjen: “Të prezantoj me bashkëshorten, Valentinën!”. Rrëfen se kur e pikturonte, s’kishte nevojë për shtojca. Edhe pse ishte ngaherë e qeshur, në pikturë pozonte më hijerëndë. Mungon fizikisht prej tre vitesh, malli ndihet në fjalët e tij, piktura i shërben si ngushëllim. “Më përkrahte shumë, po ka qenë edhe pak xheloze, punoja në kostumografi me emra si Margarita Xhepa. I thosha të mos shqetësohej, se i zhvishja në distancë (qesh)”. Mandej, duke shfletuar albumin e tij, ndalet tek autoportreti i bërë së fundmi “Këtu jam tërësisht në allçi, s’ka lëvizje, nuk flas, vetëm shikoj”…/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura