Petraq Sotiri, njeriu që e ktheu vreshtarinë në shkencë/ Anëtari i Akademisë së Vreshtave e Verës në Itali, në pension pas mbylljes së instituteve

Jun 24, 2021 | 13:58
SHPËRNDAJE

petraqsotiri

Emra me titullin prof. dr. ka shumë në Shqipëri, madje dhe me tepri, por shkencëtarë me dobi të madhe për vendin ka pak. Njëri nga ata që i ka shërbyer shumë dhe mirë vendit tonë dhe veçmas bujqësisë, është prof. dr. Petraq Sotiri, i cili mbush 85 vite jetë (i datëlindjes 23 qershor 1936) dhe 60 vite punë në pemëtarinë shqiptare.

Dy emra agronomësh njihen si personalitetet më të shquara në pemëtari, më së pari është Abedin Çiçi, i vlerësuar si babai i pemëtarisë shqiptare dhe më pas ish-studenti e koleg me atë, prof. dr. Petraq Sotiri. Bazuar në dobitë e gjithanshme të sjella prej tij është vlerësuar shkencëtari që rrëfeu dhe zbatoi dijet më shkencore në bujqësi. Jeta e tij filloi në qytetin e Korçës, lindur nga prindër qytetarë. Prindërit zotëronin vresht, kantinë vere me pajisje të sjella nga Franca, shtëpi dykatëshe me qilar, ku ruhej vera për vjetrim, e degustuar dhe vlerësuar mbi verën Chianti nga Italia.

Në vitin 1954 kreu me rezultate shumë të mira gjimnazin “Raqi Qirinxhiu”, më parë i njohur si Liceu Francez. Pati fatin të merrte mësim nga pedagogë, ish-nxënës të liceut, të cilët kishin mbaruar studimet e larta në Itali, Gjermani dhe Francë. Në shkollën e mesme shfaqi prirje për krijimtari letrare, aktrim dhe në të mësuarit e gjuhës ruse. Me dëshirën e të atit dhe pëlqimin e tij, në vitin 1954-1958 vazhdoi studimet e larta në degën e agronomisë në Institutin e Lartë Bujqësor. Pedagogu Abedin Çiçi me mençuri përvijoi mësimdhënien bazuar te përvoja e shkollës amerikane te Fultz-it, ku të mësuarit teorik shoqërohej me atë të zbatimit praktik në objektet e punës.

Kjo gjë në vitin e dytë dhe të tretë mësimor zgjoi pasionin dhe interesimin e Petraqit për t’u lidhur me problematikat përtej programit mësimor për frutikulturën. Kjo dhunti dhe njohja e përdorimi i gjuhës ruse e bënë të vetën. U përzgjodh dhe u ngarkua për të ndjekur skemën standard të studimeve fenologjike dhe ampelografike në koleksionin e varieteteve autoktone të rrushit të grumbulluar. Pedagogu Çiçi ndjeu emocion, gëzim, vlerësim dhe besueshmëri nga njohja me pasurimin e skemës së studimit me elemente të reja që bëri ky student bazuar te literature e përdorur. Aty u gjendën plotësime të sakta nga vreshtaria franceze, italiane dhe ajo amerikane. Vlerësimi shkencor në këshillin pedagogjik e ktheu atë në temë: “Studimi ampelografik dhe agrobiologjik i disa kultivarëve autoktonë në zonën Përmet dhe Leskovik”, me të cilën me 5 korrik 1958 u bë mbrojtja e diplomës së parë në Fakultetin e Agronomisë me vlerësimin maksimal. Drejtori i Institutit, Pirro Dodbiba, e pati pikasur ta mbante pedagog, por nevoja për një specialist shumë të përgatitur, me përzgjedhjen e Abedin Çiçit, e bëri të nevojshme që ministri e Bujqësisë, Maqo Çoma, ta caktonte, madje me datën 14 shtator ta prezantonte në detyrën e agronomit të pemëtarisë në sektorin e Dushkut të N. B. Lushnje.

Aty me profesionalizëm të pashoq për 7 vite e 7 muaj udhëhoqi dhe realizoi ngritjen e 600 hektarëve vresht dhe 1200 hektarëve ullishte. Kjo përbënte investimin më të madh në zgjerimin e këtij sektori në sipërfaqe dhe me varietetet e përdorura e të shquara të vendit dhe të sjella nga vendet mesdhetare, si Italia, Franca etj. Ndonëse i ngarkuar me shumë punë dhe përgjegjësi, vazhdonte mësimdhënien si pedagog i jashtëm në ILB për lëndën e vitikulturës dhe i aktivizuar si anëtar në këshillin shkencor të IKB Lushnje. Vlerat shkencore janë pasqyruar në ngritjen e koleksionit të parë ampelografik autokton, me 112 biotipe vendi, me prodhimin e fidanëve të shartuar me 320 varietete të introduktuara, ngritjen e fidanishtes rajonale për prodhimin e fidanëve antifilokserik. Punime shkencore të vlerësuara si hop shkencor në transformimin e vreshtarisë sonë kanë mbetur punimet: përmirësimi gjenetik i fondit bimor të hardhive autoktone nëpërmjet seleksionimit klonal të formave me rëndësi kombëtare, si Kallmet i Kuq, Shesh i Zi, Vlosh, Pulëz i Bardhë, Debinat e Lesko vikut, Përmetit etj, si dhe hibridizimi seksual i varieteteve tona me kultivarë të huaj për përmirësim rrënjësor. Vlerat e studimit morën miratimin e këshillit shkencor në Ministrinë e Bujqësisë dhe certifikimin e katër varieteteve të reja rrushi me vlera të pasuruara, me tregues ekologjikë për prodhimin e verave cilësore të markës shqiptare.

Kontributet shkencore me vlera kombëtare e radhitën Petraqin në pararojë të grupit të specialistëve më të shquar në përbërje të stafit të drejtuar nga ministri i Bujqësisë, Pirro Dodbiba, ku hartohej strategjia e shtimit dhe rajonizimit të drufrutorëve. Si specialist dinamik i spikatur në dije dhe i lidhur fort me punën shkencore, në prill të vitit 1966 emërohet pedagog në Katedrën e Frutikulturës në IL Bujqësor. Me dëshirën për të ngritur nivelin e mësimdhënies në përgatitjen e studentëve, ideoi dhe realizoi ngritjen e bazës didaktike të vreshtarisë ku funksionuan laboratori i përmirësimit gjenetik dhe ampelografisë, fidanishtja e prodhimit të fidanëve të shartuar antifilokserik dhe laboratori (kantina) i prodhimit të verës. Larg privatësisë dhe monopolizimit në mësimdhënie, përforcoi lidhjet me bazën si njëri nga kushtet për të lidhur teorinë me praktikën, duke ftuar ligjërues të jashtëm, emra të njohur. Kulmim shkencor, madje risi të vërtetë, solli nxjerrja e tekstit vitikultura të drejtuar nga Petraq Sotiri, ku u përfshinë dhe T. Gjermani dhe T. Nini. Teksti u vlerësua si modeli më i kompletuar në përgatitjen e studentëve dhe në dobi të specialistëve dhe punonjësve shkencorë.

Kësaj kohe në hartën e leksioneve zunë vend përmbajtje e raporte të papara në morfologji, finologji, ekologji, teknologji e prodhimit të fidanëve, agroteknologji, përmirësim gjenetik, ampelografi etj. Puna mësimore u pasurua me mbulimin çdo vit të udhëheqjes së 10-12 studentëve për mbrojtje diplomash, me shtrirje në tërë vendin. Me mundin e shtegtarit, i hipur mbi një motoçikletë, me pasionin, këmbënguljen e profesorit dhe misionin e shkencëtarit, udhëtoi dhe u gjend anekënd zonave të Përmetit, Skraparit, Shkodrës, Matit, Korçës etj., duke krijuar e mbajtur lidhje pune në këto oaze të vreshtarisë me vreshtarë, mjeshtra të vjetër e me tradita për vreshtarinë. Kontributet akademike në mësimdhënie dhe vlerat e gjithanshme të punës shkencore, me shkëlqimin dhe rrezatimin e tyre trembën dhe verbuan më të pushtetshmin në kupolën e institutit dhe mediokrit, të cilët xhelozia ndaj këtij shkencëtari për frutikulturën dhe mbret i vitikulturës dhe verës, me kulisa sajuan dhe nxitën largimin e tij.

Studentët, si viktima të kësaj padrejtësie pedagogjike e shkencore, e ngritën zërin deri lart, madje dhe te Ramiz Alia e Foto Çami. Justifikimi se lëvizja bëhet për nevoja emergjente në bujqësi solli emërimin e tij kryeagronom në Kooperativën Bujqësore Zall-Dajti, ku merrej 5 lekë/ditë pune, ndonëse në provë ishin vënë disa kryetarë e specialistë. Asi Petraq Sotiri u vu në provë sa për t’i provuar aftësitë në këtë ngërç e boomerang e po aq për ta diskretituar e ulur reputacionin dhe imazhin e mirë. I dhënë tërësisht në njohjen dhe përdorimin e çdo rezerve dhe mundësie me dinamizëm të paparë, vuri në zbatim kombinimin e prakticizmit profesional të bagazhit shkencor që ai kishte të kombinuar me mekanizmin ekonomiko-financiar në disa hallka të paushtruara më parë. Nga bashkëpunimi me kolegët, drejtues të IMO Shkodër, akademikun prof. dr. Hysen Laçej dhe prof. dr. Ahmet Osja, siguroi specializimin dhe mori përsipër prodhimin e farës hibride të misrit, me ndërmarrjet tregtare të qytetit mori përsipër prodhimin për nevojat e tregut të patates së hershme verore dhe prodhimin masiv të hudhrës kokëmadhe për konsum të njomë e të thatë.

Specializimi në këto prodhime dhe nxitja e aktiviteteve ndihmëse nëpërmjet instalimit e vënies në punë të një gatri për prodhimin e ambalazhit për eksportin e fruta perimeve, shoqëruan me përmirësime në teknologjinë e prodhimit të bimëve të arave dhe zbatimin e masave zoo-veterinare, sollën që brenda vitit të merren 10 lekë/ditë pune dhe në vitin 1980 të merren 12 lekë, me rritje 2.4 herë nga sa ishte. Vullneti, këmbëngulja dhe aftësitë e gjithanshme e gjetën shkëlqimin në provën e vënë direkt me prodhimin e të ardhurat në bujqësinë malore, ku gjithçka ishte më e vështirë. Me integritet të lartë doli i parrëzueshëm dhe tejkaloi makthin e atyre që e vunë në provë, duke sfiduar me dëshminë për aftësi për t’u gjendur e punuar kudo e në gjithçka të sektorit të bujqësisë.

Me këshillimet e dhëna prej tij u ndikua në harmonizimin më të dukshëm të marrëdhënieve të Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj ushqimore për përmirësimin e teknologjive të prodhimit të rrushit për verë dhe të verërave autoktone shqiptare. Ndikime sollën rekomandimet nga studimi me vlerë kombëtare mbi gjendjen e vreshtarisë dhe atë të verëtarisë, udhëhequr prej tij, në bashkëpunim me specialistin e verave Vangjel Ziguri dhe me përbërjen e një grupi specialistësh të tjerë. Si i shquar në fushën e kërkimit shkencor, të rrëfimit dhe zbatimit të dijeve shkencore në bujqësi, u bë më i gjeturi për në Akademinë e Shkencave, në gushtin e vitit 1999 duke e vendosur në fushën e kërkimit biologjik, me detyrën e shefit të projektit të resurseve gjenetike të germoplazmës autoktone shqiptare në kulturat drufrutore. Aty, në jetën akademike, spikatën studime të veçanta e me vlera të mëdha, të udhëhequra apo kryera prej atij, të cilat zënë vend në memorien e historisë së shkencës së vendit tonë. Efektet e punës së bërë prej atij janë ndjerë dhe në vendosjen e lidhjeve e bashkëpunimit të ndërsjellë me Institutin e Studimeve Gjenetike “San Mikele” në Trento për genomën autoktone shqiptare, me Universitetin Teknik të Milanos për grumbullimin dhe vlerësimin gjenetik të germoplazmës autoktone shqiptare.

Lidhjet e ndërsjella me personalitete shkencore nga disa vende e kanë bërë atë të njohur përtej kufijve shtetërorë. E veçantë është lidhja me shkencëtarin spanjoll me famë botërore Luis Idalgo. Lidhje shkencore, ligjërime ka pasur me Universitetin e Laçes në Itali, në Greqi, me Institutin e Frutikulturës në Turqi, Universitetin e Prishtinës etj. Është pjesëmarrës në grupin shkencor ndërkombëtar të drejtuar nga prof. Attilio Scienza, figurë e shquar e gjenetikës botërore dhe drejtor i Institutit të Arborikulturës në Universitetin e Milanos, në kryerjen e studimit mbi gjendjen e vreshtarisë dhe të verëtarisë së Kosovës pas lufte. Si emblemë e shkencës bujqësore shqiptare është nderuar me qenien anëtar në Akademinë e Vreshtave dhe Verës në Itali, në pasqyrimin në mesin e 25 shkencëtarëve në monografinë shkencore ndërkombëtare.

Te ne është vlerësuar me urdhrin “Naim Frashëri” Klasi III dhe Klasi I i Artë dhe certifikatë mirënjohjeje nga qarku i Korçës. Muaji shkurt i vitit 2007 shënoi shkrirjen e institucioneve kërkimore shkencore, për të cilën ai shprehet se solli zhvendosjen e bujqësisë nga puna studimore shkencore dhe mbetjen e prodhimit në spontanitet. Me këtë rast Petraq Sotiri, së bashku me 200 dosje të punës shkencore dhe qindra referime e botime, del në pension. Pasioni dhe gjendja e mirë shëndetësore e nxitën profesorin për të qëndruar i gatshëm e dhënë gjithçka nga dijet dhe përvoja e tij në plotësimin e kërkesave të sipërmarrësve bujqësorë. Ky konvergim e ka mbajtur në punë sociale, të pashkëputur me projektet për të ngritur vreshta dhe kantina vere. Prof. dr. Sotiri është personalitet i veçantë i shkencës bujqësore, ku teoria dhe praktika e vreshtarisë dhe verës shqiptare mbajnë emrin e tij. Veprimtaria aktive e tërësisht shkencore përgjatë 60 viteve punë i bën nder kombit dhe e rendit atë në radhët e atdhetarëve të gdhendur në kujtesën e historisë, si shembull i shkëlqyer nga brezat e djeshëm, të sotëm dhe frymëzim për të ardhmen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura