“Peshku i madh” i kokainës/ Flet avokati i Arbër Çekajt: Policia nuk duhet të kishte ndërprerë operacionin. Ishin porositur banane të “pastra”

Sep 22, 2019 | 11:14
SHPËRNDAJE

Etleva Delia

Arbër Çekaj, pronari i firmës “Arbri Garden”, ku u sekuestrua kontenieri me 613 kg kokainë, në magazinat e kësaj kompanie në Maminas, i ekstraduar para tri ditësh nga Gjermania, është lënë në burg dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

arbercekaj

Ai u njoh dje me masën e sigurisë, që ishte dhënë më herët në mungesë për të, në kohën kur ishte ende në Gjermani. Ndërsa gjatë gjithë kohës, Çekaj ka buzëqeshur në sallën e gjyqit, duke tundur kokën gjatë kohës që lexohej vendimi për të.

Avokati i pronarit të “Arbri Garden” ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie sesa ajo e arrestit me burg. Ndërsa pretendoi se operacioni për kapjen e kokainës në shkurt të vitit 2018 është kryer qëllimisht për të prishur provat.

“Policia dhe Prokuroria nuk duhet të kishin ndërprerë operacionin në mes. Kontenieri duhet të ishte kontrolluar kur të dilte nga magazina. Arbër Çekaj kishte porositur banane, të cilat janë certifikuar nga firma kolumbiane si të pastra pa asnjë përbërje narkotikësh”, u shpreh avokati i Çekajt.

Arbër Çekaj u ekstradua të enjten nga Gjermania, pasi ishte shpallur nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, më datë 08.03.2018, kohë kur u lëshua urdhërarresti për këtë shtetas për veprën penale “Trafikimi i narkotikeve”, kryer në bashkëpunim.

VENDIMI PER EKSTRADIM

Afro një vit e gjysmë pas arrestimit, drejtësia gjermane ndezi dritën jeshile për ekstradimin e Arbër Cekajt në drejtim të Shqipërisë. Vendimi për lejimin e ekstradimit të pronarit të kompanisë “Arbri Garden” është marrë në fillim të muajit gusht, nga Gjykata Penale e Dusseldorfit.

Vonesa në marrjen e vendimit lidhej me faktin se biznesmeni nën akuzë për trafikimin e sasisë rekord të 613 kilogramëve kokainë kolumbiane drejt Portit të Durrësit, ka bërë kërkesa të shumta përpara autoriteteve të drejtësisë gjermane, me qëllim pengimin e ekstradimit.

Njëherazi, ai ka paraqitur edhe kërkesë për azil me argumentin se në Shqipëri i rrezikohet jeta. Pas vendimit që mori Gjykata gjermane, duke lejuar ekstradimin e tij, Çekaj e çoi çështjen në Apel, por edhe aty e humbi e si rrjedhojë, dje, u krye ekstradimi i tij.

Arbër Çekaj është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria për Krime të Rënda për akuzën e trafikut të narkotikëve kryer në bashkëpunim me menaxherin e kompanisë, Donald Lushaj, dhe shoferin e kamionit që transportoi kontenierët me banane nga Porti i Durrësit drejt magazinave të “Arbri Garden” në Maminas.

Sasia e drogës që vinte nga Kolumbia, më e madhja e kapur ndonjëherë në vendin tonë, u bllokua në mars të 2018-ës, në kontenierët me banane që ishin porositur nga biznesmeni.

Vlera e drogës përllogaritej 180 milionë euro. Biznesmeni Cekaj ishte cilësuar nga ish-ambasadori amerikan Donald Lu, si “peshku i madh” i kokainës

KOKAINA

Kontenieri me drogë mbërriti në Portin e Durrësit më 19 shkurt 2018, pasi kishte kaluar në Portin e Livornos më parë, ku ishte vonuar disa ditë. Autoritetet atje kishin pasur dyshime për të dhe kanë sinjalizuar Doganën shqiptare se diçka nuk shkonte me kontenierin. Edhe skaneri në Portin e Durrësit tregoi se në pjesën fundore të kontenierit ishte ndërhyrë dhe kishte prani silikoni.

Doganat, në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e hapën kontenierin fshehurazi dhe zbuluan drogën. Më pas, ata vendosën të bënin dorëzim të kontrolluar për të mësuar për destinacionin dhe porositësit. Kontenieri iu nënshtrua procedurave doganore dhe u la të shkonte në destinacion.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura