“Përplasje mes pështymës dhe ligjit”- Drejtori i Arkivës së Shtetit reagon për përplasjet në Himarë! Çfarë tregoi vota politike e himarjotëve

Mar 29, 2024 | 14:41
SHPËRNDAJE

Drejtori i Arkivës së Shtetit, Ardit Bido ka reaguar pas përplasjeve në Himarë, ku mbledhja për zgjedhjen e kryetares së komanduar të Himarës u shoqërua me tensione, ndërsa një mbështetës i Fredi Belerit pështyu në fytyrë prefektin e Qarkut Vlorë, Vangjel Tavo.

Ardit Bido shprehet se ajo që ndodhi në Himarë tregoi se ka një përplasje ideore mes shtetasve shqiptarë pa dallime që duan begatinë e vendit dhe pështyrësve të ligjit.

“Këtu ka një përplasje ideore mes shtetasve shqiptarë pa dallime që duan begatinë e këtij vendi dhe nuk duan pengmarrjen e tij dhe pështyrësve të ligjit që shëmtojnë fytyrën e vetë më keq se e shëmton gëlbaza fizike që hedhin sepse kanë pështymën njerëzore të akumuluar në masakrat e MAVI-t, në përçundimin e simboleve kombëtare dhe në përdorimin e mekanizmave agimartase për t’u imponuar me qëllime antishqiptare brenda shtetit shqiptar!”, shkruan Bido.

Reagimi i plotë:

Pështyrësit dhe ligji

Çka ndodhi sot në qytetin e Himarës, në jug të Republikës së Shqipërisë, dëftoi më së miri atë që them prej kohësh:

këtu nuk ka asnjë kundërshti as mes shqiptarësh e as mes shumicës dërrmuese me vetidentifikim shqiptar dhe pakicës paqësore me vetidentifikim grek.

Këtu ka një përplasje ideore mes shtetasve shqiptarë pa dallime që duan begatinë e këtij vendi dhe nuk duan pengmarrjen e tij dhe pështyrësve të ligjit që shëmtojnë fytyrën e vetë më keq se e shëmton gëlbaza fizike që hedhin sepse kanë pështymën njerëzore të akumuluar në masakrat e MAVI-t, në përçundimin e simboleve kombëtare dhe në përdorimin e mekanizmave agimartase për t’u imponuar me qëllime antishqiptare brenda shtetit shqiptar!

Këtu, kemi të bëjmë me përplasjen mes pështymës dhe ligjit. Fakti që sot pamë se ligjin e do edhe PS, edhe PD (zyrtare dhe e rithemelimit), edhe PL, edhe çdo forcë tjetër politike reale që përfaqësohet me votat e himarjotëve në Këshillin Bashkiak rrëfen me dritën e paerrur nga asnjë pështymë se kush është përballë: agimartasit që qimen ndërrojnë por ideologjinë neonaziste nuk e harrojnë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura