Përçahen botuesit, krijohet Shoqëria e Librit Shqip

Apr 15, 2011 | 11:38
SHPËRNDAJE

Të pakënaqur nga mënyra se si është trajtuar çështja e librit shqip, një grup botuesish të njohur kanë vendosur të shkëputen nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë e të formojnë një tjetër të quajtur Shoqërinë e Librit Shqip. Kuvendim është bërë i njohur gjatë një konference për shtyp ku merrnin pjesë disa nga botuesit më të njohur, si përfaqësuesit e shtëpive botuese “Dudaj”, “Toena”, “OMSCA1” etj. Disa nga arsyet janë shkelja e të drejtave të autorit, organizimi i panaireve kombëtare e ndërkombëtare etj. Nga ana e tij, kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri është shprehur se të gjitha pretendimet e ngritura janë pretekste. Sipas botuesve të larguar “arsyeja kryesore pse krijohet Shoqata e Librit Shqip është që botuesit e përmes tyre shkrimtarët, përkthyesit, të gjithë njerëzit e kulturës të kenë mundësi më të mira të përfaqësimit të librit në gjuhën shqipe. Në Shqipëri, Kosovë e në vende të tjera, ku shkruhet dhe botohet në gjuhën shqipe vërehet në njërën anë shtimi i titujve nga autorë origjinalë e sidomos nga ata të përkthyer, në anën tjetër shpesh pakujdesi në paraqitjen e librit, përkthime të pakontrolluara, herë-herë deri dhe mosrespektim i të drejtës së autorit”. Një tjetër arsye është organizimi i panaireve kombëtare e ndërkombëtare, ku libri është trajtuar si një mall thjesht për t’u shitur. “Në panaire kombëtare mbizotëron shpesh shtytja për të shitur me çdo kusht, dhe jo dëshira për paraqitje sa më dinjitoze dhe estetike të librit shqiptar. Në panaire të rëndësishme ndërkombëtare të librit, Shqipëria ose paraqitet varfër, ose nuk paraqitet fare. Stendat tona nuk përbëjnë ngjarje kulturore, por banaqe për librin”. Botuesi Ardian Klosi solli rastin më të fundit, pjesëmarrjen në panairin e Lajpcigut, ku sipas tij stenda shqiptare linte shumë për të dëshiruar. “Libri rrezikon të kthehet në një mall të thjeshtë tregtimi. Përballë shtimit të formave elektronike të leximit e sidomos konkurrencës së librit elektronik, kjo gjendje nuk shënjon asnjë perspektivë të siguruar për librin shqip, përkundrazi”. Ndaj dhe SHLSH synon t’i japë librit vendin që meriton. Dhe kjo nis me aktivitetin e saj të parë, Panairin e Librit të Vlorës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura