Për shëndetin e të Madhit

Oct 21, 2018 | 13:49
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

tupe

Sigurisht që nuk bëhet fjalë në titullin e këtij shkrimi të përjavshëm, por jo detyrimisht të përvajshëm, për ndonjë dolli si ato që ngriheshin rëndom në dasma në kohën e diktaturës hoxhiste pikërisht për shëndetit e xhelatit tonë kombëtar, madje dolli që paraprinin në shumicën e rasteve, sidomos në fshatra, por edhe në qytete, dollinë që normalisht duhej ngritur së pari e para së gjithash për çiftin e ri. (Shpesh pyes veten: Po i “I Madhi” në dasmat e fëmijëve të vet për kë e ka ngritur vallë dollinë e parë? Për Partinë apo, pse jo, për Veten e Tij Perandorake?)

Për të qenë i sinqertë me ju, lexueset e lexuesit e mi, më duhet të pranoj që idenë fillestare për temën që do të trajtoj sot ma dha një ëndërr. E ndiej që ju jeni tashmë kureshtarë të dini se për ç’lloj ëndrre bëhet fjalë. Ishte një ëndërr, e cila, në njëfarë mënyre, kishte të bënte me lajmin që na dha zoti Kryetar i Këshillit tonë të Ministrave para pak kohësh kur bëri publikisht të ditur se kishte takuar Presidentin e Francës, zotin Macron, i cili i qenka përgjigjur pozitivisht ftesës së tij fantastike për të kryer një vizitë vizuale dhe, pse jo, vizionare në Shqipërinë tonë krenarisht demokratike ose demokratikisht krenare. Pra, fill pas lajmit të kësaj vizite, në ëndërr m’u shfaq François Mitterrand-i, President i Francës nga viti 1981 në vitin 1995. Unë isha caktuar si përkthyes i tij (në realitet, gjatë luftës në Kosovës, nga fundi i muajit mars 2000, i kam shërbyer si përkthyes Lionel Jospin-it, Kryeministrit francez të atëhershëm, por trurit tim gjithmonë i ka pëlqyer të më bëjë numra kur unë fle). Befas, në ëndrrën time, ndodhi çudia: unë nisa të përktheja në një gjuhë që nuk e dija as vetë se ç’ishte dhe, për çudi, Presidenti francez fliste po atë gjuhë, të cilën e kuptonte edhe homologu i tij shqiptar! Kur u zgjova në mëngjes, tek mendoja pikërisht François Mitterrand-in, m’u kujtua se gjatë mandatit të tij të dytë, francezët mësuan që ai, presidenti i tyre, ishte prekur nga kanceri i prostatës dhe, me këtë rast, disa personalitete kishin ngritur me të drejtë çështjen e informimit periodik të opinionin publik për shëndetin e shtetarëve të lartë dhe sidomos të të “Madhit” – president apo kryeministër, pak rëndësi kishte, sepse, çdo sëmundje mund të bëhej shkak për çrregullime çoroditëse jo vetëm të natyrës trupore, por edhe të karakterit mendor te shtetarët në fjalë, çka mund të ndikonte negativisht në mbarëvajtjen e punëve pikërisht shtetërore.

Rrjedhimisht, mendja më shkoi te thirrja që, para disa kohësh, zoti Berisha u drejtoi gjithë deputetëve tanë, të shumicës e të pakicës, për të bërë testin e drogës dhe u kujtova që kjo thirrje nuk u mor parasysh. Ky “incident” më shtyn sot të kërkoj faqe botës që jo vetëm deputetët e të dy krahëve, por edhe krerët më të lartë të shtetit tonë, President, Kryeministër, ministra, prokurorë, anëtarë të Gjykatës së Lartë e të Gjykatës Kushtetuese, duhet të bëjnë publike të paktën një herë në vit gjendjen e tyre shëndetësore nga pikëpamja fizike dhe mendore. Ah, do të më thotë në çast shumëkush, po cilët do të jenë ata mjekë – patologë, psikologë e psikiatër – dhe ata specialistë imazherie e laborantë, që do t’u kryejnë atyre tërë vizitat, ekzaminimet dhe analizat mjekësore? A do të jenë këto vërtet të besueshme? Apo dikush, nga maja e Olimpit, do të orvatet t’i përpunojë të dhënat në mënyrë që rezultatet përfundimtare të këtij lloj “check-up”-i të dalin siç ia kërkon interesi atij dhe jo siç janë në të vërtetë? Mos vallë, për të shmangur çdo lloj manipulimi, duhet t’u bëjmë thirrje specialistëve të huaj, amerikanë apo europianë qofshin ata? Gjithsesi, le ta zëmë se do të gjehet një ekip kompetent dhe i ndershëm, qoftë edhe nga ndonjë planet tjetër për ta kryer këtë detyrë të tipit “transparencë” në të mirë të shtetit e të popullit tonë të urtë e të nënshtruar apo të rraskapitur së shpresuari. Mirëpo, me të drejtë shumëkush mund të kërkojë që jo vetëm shtetarët aktualë, por edhe ata të viteve të shkuara, të paktën që nga shembja e diktaturës hoxhiste e këtej, t’i nënshtrohen të njëjtit “check-up”. Sidoqoftë, le ta zëmë se edhe kjo bëhet e mundur. Mirëpo, së fundi, por jo më së paku, ç’do të bëhet me ata që do të dalin me probleme shëndetësore tejet shqetësuese si, për shembull, sëmundje psikosomatike të tilla që ulin ndjeshëm koeficientin e tyre intelektual, pra të famshmin QI (quotient intellectuel) në frëngjishte ose IQ (intelligence quotient) në anglishte, aq sa mund të shpallen të paaftë ose, o tmerr, të rrezikshëm për të drejtuar shtetin në Shqipërinë tonë çmendurisht demokratike? Sidoqoftë, i “Madhi” ynë, pra, zoti Kryetar i Këshillit të Ministrave, para pak ditësh na u shfaq madhërisht në ekranet e televizorëve, duke kryer analizat e parashikuara nga “check-up”-i ynë, por vetëm për shëndetin trupor, kurse mua dhe miqve të mi Aqif Qifa, Françesk Armadhi dhe Vangjel Lezeti një si shqisë e gjashtë na pëshpërit se shumë shpejt ai do të na rishfaqet po aq madhërisht duke iu nënshtruar edhe “checkup”-it të shëndetit mendor aq vendimtar për fatet e Shqipërisë, e Bashkimit Europian e të mbarë njerëzimit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura