Pensionet para ’96, sa do të jetë rritja për secilën nga kategoritë

Dec 2, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Gratë që kanë punuar në punë të kategorisë së parë dhe të dytë, si dhe minatorët e nëntokës, do të përfitojnë një shtesë më të lartë pensioni.  Një ditë pas miratimit të projektvendimit për ngushtimin e diferencave në masën e pensioneve të lidhura para vitit 1996, drejtoresha e Përfitimeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Solida Dibra, sqaron rritjen që do të përfitojë secila prej kategorive të përfshira rishtazi në skemë. Sipas Dibrës, shtesa nuk është fikse, por varion nga 196 lekë deri në 3737 lekë në muaj.

Drejtoresha e Përfitimeve në ISSH, Solida Dibra
Drejtoresha e Përfitimeve në ISSH, Solida Dibra

“Një minator i nëntokës, në pension të parakohshëm, në datën 01.12.1995, që plotëson moshën për pensionin e plotë, në datën 29.11.2016 dhe pensioni i rillogaritur si i plotë, në datë 1.12.1995, rezulton 4.400 lekë në muaj, në datën 29.11.2016 do të përfitojë pensionin në masën 24.018 lekë në muaj, nga 17.580 lekë në muaj, që përfitonte pa përcaktimet e këtij projektvendimi”.

Në intervistën dhënë për gazetën, drejtoresha e përfitimeve në ISSH ndalet edhe te pensionistët. “Një pensionist në pension maksimal pleqërie në datën 1.12.1995 përfitonte 4.400 lekë në muaj. Në datën 31.5.2016 masa e pensionit të tij të pleqërisë ishte 19.903 lekë në muaj. Nga data 1.6.2016, kjo masë pensioni do të marrë një shtesë prej 3.737 lekësh, për të arritur në masën 23.640 lekë në muaj dhe pas indeksimit të datës 1.8.2016, arrin në masën 24.018 lekë në muaj”.

Gjithsej janë 3 mijë të moshuar që do të përfitojnë nga ky vendim i ri që shumë shpejt do të dërgohet në qeveri për miratim. Dibra pohon se efektet e tij, pavarësisht ditës së zyrtarizimit, do të shtrihen prej datës 1 qershor 2016. Kjo do të thotë se pensionistët do të kenë mundësi që të tërheqin shtesën, e cila do të llogaritet prej muajit qershor.

Këshilli Administrativ i ISSH-së miratoi dje disa ndryshime nënligjore. Një ndër to ishte edhe ai për shkurtimin e afateve të shërbimit ndaj qytetarëve përmes përshpejtimit të verifikimit administrativ të vjetërsisë në punë dhe shmangies së proceseve gjyqësore. Çfarë përfitojnë qytetarët nga ky ndryshim?

Në mbledhjen e tij të datës 30.11.2016, Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore miratoi rregulloren e re “Për përbërjen, numrin dhe procedurën e funksionimit të Komisioneve të Ankimit pranë Drejtorive Rajonale dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore”. Kjo rregullore përcakton procedura të detajuara për trajtimin e rasteve problematike nga Komisionet e Ankimit për dokumentimin e periudhave të punës apo periudhave të sigurimit, duke pasur si qëllim të saj shkurtimin në maksimum të afateve për marrjen e vendimeve dhe shmangien e proceseve gjyqësore.

Çfarë parashikon shmangia e proceseve ligjore, do të thotë që vjetërsia në punë do të njihet vetëm me dokumentet që sjell qytetari?

Akti i miratuar nga Këshilli Administrativ i ISSH-së është në vazhdën e iniciativave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të rishikuar të gjitha procedurat e vlerësimit të dokumentacionit për vitet e punës në zbatim të Kodit të Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë (ligji Nr. 44/2015) si dhe Vendimit nr. 482, datë 29.6.2016, të Këshillit të Ministrave “Për disa çështje të dokumentimit të periudhave të sigurimit dhe vjetërsisë në punë, për efekt pensioni”.

Strukturat rajonale të sigurimeve shoqërore kanë detyrimin ligjor të shqyrtojnë çdo kërkesë dhe dokument të paraqitur nga qytetarët për llojet e ndryshme të përfitimeve. Dokumentacioni i vjetërsisë në punë mund të jetë pranë qytetarit, siç është një librezë pune apo vërtetim që ai disponon, mund të gjendet në qendrën e tij të punës, por pjesa më e madhe e dokumentacionit është e përqendruar në Arkivat e Sigurimeve Shoqërore, në atë qendror dhe arkivat rajonalë.

Detyrimi i punonjësve të ngarkuar me vlerësimin e dokumentacionit është të përcaktojnë qartë dhe saktë çfarë verifikimesh duhen kryer, si dhe t’i kryejnë këto verifikime të plota dhe në kohë. Komisionet e ngritura në këtë rregullore do të shërbejnë si një monitorues i zbatimit të të gjitha procedurave të mundshme administrative, me qëllim që, vetëm kur janë shteruar të gjitha mundësitë e verifikimit të periudhave të punës, janë vlerësuar të gjitha dokumentet e mundshme, dhe nuk është arritur një rezultat pozitiv, qytetari t’i drejtohet gjykatës për njohjen e viteve të punës.

Në vendim parashikohet ulja me mbi tre muaj e kohës së përgjigjes ndaj qytetarëve. Cilët janë qytetarët që përfitojnë nga ky ndryshim?

Sipas procedurave të mëparshme, personat që merrnin një përgjigje për mosnjohjen e viteve të punës, i drejtoheshin më pas dy komisioneve, një komisioni në rajonin ku kishin qendrën e banimit dhe më pas Komisionit Qendror të Ankimit, me qëllimin e vetëm për të marrë një vendim që refuzonte të drejtën e tyre për përfitim. Komisionet e ngritura tashmë kanë një objekt të qartë të shqyrtimit të kërkesave ankimore, për të orientuar drejt qytetarin në zgjidhjen e çështjes së tij. Nëse problematika ligjërisht mund të zgjidhet në rrugë administrative, këto komisione do të japin zgjidhjen e duhur, brenda afateve të mirëpërcaktuara, ndërkohë që nëse problematika nuk bën pjesë në juridiksionin administrativ, do të orientohen qartë personat e interesuar për rrugën ligjore që duhet të ndjekin, me qëllim zgjidhjen e çështjes së tyre.

Në vendimet e Këshillit parashikohet edhe shtesa e dy kategorive të reja që përfitojnë rritje pensioni, për periudhën 1993-1996. Cilat janë këto kategori?

Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore miratoi një projektvendim të Këshillit të Ministrave “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 409, datë 1.6.2016, “Për ngushtimin e diferencave në masën e pensioneve”. Ky projektvendim, i cili është në përputhje me programin politik të Këshillit të Ministrave, është i mbështetur në dispozitat ligjore të fushës së shpërblimeve dhe përfitimeve të tjera sociale dhe ka si synim përmirësimin e vazhdueshëm të nivelit të mirëqenies së pensionistëve.

Ai ka për synim rregullimin e masës së pensioneve të caktuara në vitet 1993-1996, dhe kryesisht për kategorinë e grave që kanë punuar në punët e kategorisë së parë dhe të dytë, dhe minatorëve të nëntokës që kanë dalë në pension të parakohshëm sipas dispozitave të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Në projektvendim është parashikuar që shtesë në masën e pensionit të përfitojnë jo vetëm gratë e arsimit dhe kulturës, por edhe ato gra që kanë bërë punë të vështira të kategorisë së parë dhe të dytë dhe pensioni që sot përfitojnë nuk i korrespondon pagës që ato kanë pasur.

Janë shtuar edhe dy pasqyra të ndryshimit të masës së pensioneve për harkun kohor 01.10.1994 – 31.12.1994, 01.10.1995 – 31.12.1995, periudha gjatë të cilave janë llogaritur kryesisht pensionet e grave të punësuara në punë të kategorisë së parë dhe të dytë, si dhe pensionet e minatorëve të nëntokës, për të saktësuar masën e tyre të pensionit dhe barazuar atë me pensionet e tjera të caktuara para dhe pas këtyre intervaleve kohore. Gjithashtu është shtuar edhe ndryshimi i masës së pensioneve të llogaritura dhe caktuara në harkun kohor 01.04.1996 – 31.12.1996. Nga miratimi dhe zbatimi i këtij projektvendimi pritet të përfitojnë rreth 3000 pensionistë të dalë në pension pleqërie në vitet 1993 – 1996.

Sa është rritja e pensionit që përfitojnë këto kategori, nëse mund ta ilustroni përmes shembujve?

Kategoritë përfituese, sipas këtij projektvendimi, do të përfitojnë nga 196 lekë – 3.737 lekë shtesë në masën e pensionit, me efekte nga qershori i vitit 2016. Gratë që kanë punuar në punë të kategorisë së parë dhe të dytë në pension të parakohshëm dhe më pas kanë plotë- suar moshën për pension të plotë pleqërie, si dhe minatorët e nëntokës, do të përfitojnë një shtesë më të lartë.

Kështu, një pensionist i dalë në pension të plotë pleqërie në datën 1.10.1995, me masën e pensionit në atë kohë 3.070 lekë në muaj, në 1.6.2016 përfitonte 13.892 lekë në muaj. Në zbatim të këtij projektvendimi, masa e pensionit të tij do të arrijë në 14.088 lekë në muaj dhe me indeksimin e datës 1.8.2016, arrin 14.313 lekë në muaj. Një pensionist në pension maksimal pleqërie në datën 1.12.1995 përfitonte 4.400 lekë në muaj. Në datën 31.5.2016 masa e pensionit të tij të pleqërisë ishte 19.903 lekë në muaj. Nga data 1.6.2016, kjo masë pensioni do të marrë një shtesë prej 3.737 lekësh, për të arritur në masën 23.640 lekë në muaj dhe pas indeksimit të datës 1.8.2016, arrin në masën 24.018 lekë në muaj.

Ndërkohë, një minator i nëntokës, në pension të parakohshëm në datën 01.12.1995, që plotëson moshën për pensionin e plotë, në datën 29.11.2016 dhe pensioni i rillogaritur si i plotë, në datë 1.12.1995, rezulton 4.400 lekë në muaj, në datën 29.11.2016 do të përfitojë pensionin në masën 24.018 lekë në muaj, nga 17.580 lekë në muaj, që përfitonte pa përcaktimet e këtij projektvendimi.

Kur do të nisë marrja e shtesës së re?

Efektet financiare të këtij projektvendimi janë parashikuar të fillojnë nga data 01.06.2016, por sidoqoftë pritet që ky projektvendim të miratohet nga Këshilli i Ministrave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura