Pensionet, efektet dhe kategoritë përfituese nga reformimi i skemës

Jul 13, 2017 | 21:35
SHPËRNDAJE

Kur ka kaluar më shumë se një vit nga reformimi i skemës së pensioneve, efektet që rrjedhin prej saj nuk janë ato të priturat. Hendeku mes numrit të kontribuuesve nga njëra anë dhe pensionistëve në anën tjetër, vijon të mbetet sfidë për qeverinë.

pensioniste1Sipas ekspertit të ekonomisë, Koço Broka, forca punëtore jo vetëm po ulet, por po zëvendësohet nga stanjacioni dhe rënia, duke krijuar disbalanca serioze midis forcave që punojnë dhe atyre që marrin pension. Në një intervistë për Konica.al, Broka ndalet edhe në ndryshimet që solli skema e re që ka nisur zbatimin pas 1 janarit 2015 dhe në ndryshimet që lipset të kryhen në të ardhmen për të mos lejuar thellimin e deficitit buxhetor.

Çfarë efektesh po jep skema e re e pensioneve për përfituesit, kontribuuesit dhe buxhetin e shtetit?

Pyetja që shtrohet është sesi do të procedohet me sistemin “pay as you go” të sigurimeve shoqërore-pensioneve, kur forcat e punës që paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore jo vetëm nuk tejkalojnë atë të viteve 1990, por kanë rënë dukshëm pothuajse në gjysmën e tyre, si për shkaqe të emigracionit, informalitetit dhe tani së fundi, edhe për intensifikimin e shkaqeve demografike. Mjafton të shihet se tani i jemi afruar momentit kur shtesa e popullsisë në moshën e tretë, që kërkon dhe ka nevojë për pension, shtohet në përmasa jo vetëm relative, por dhe absolute më shumë se ajo e forcave të punës, po ku ritmi i rritjes së numrit të këtyre të fundit jo vetëm po ulet, por nga shtimi po zëvendësohet nga stanjacioni dhe rënia, duke krijuar disbalanca serioze midis forcave që punojnë dhe atyre që marrin pension.

Natyrisht, në zbutjen e këtyre dukurive kanë luajtur rolin e vet reformat dhe masat parametrike të ndërmarra në vite në fushën e sigurimeve shoqërore, si ajo që mosha minimale për të përftuar pension të plotë të pleqërisë u rrit nga 25 vjet gjatë komunizmit në 35 vjet, u rrit mosha e daljes së grave në pension në 60 vjet dhe e burrave në 65 vjet, u vendos ngritja dhe filloi nga funksionimi sistemi i pensioneve private, u vendosën kufizime për pensionin maksimal, i cili nuk mund të ishte më shumë se raporti 2/1, kur ai i pagimit të kontributeve ishte 5/1 etj. Si rezultat i informalitetit masiv, sidomos në sektorin rural, megjithëse roli i tyre u ul dukshëm, shkalla e zëvendësimit të pensionit mesatar nga 70% e pagës në monizëm në rreth 40% në pluralizëm.

Megjithatë, thellimi kreshendo i deficitit të skemës së pensioneve me efekte të drejtpërdrejta ekonomike e sociale në mbarë shoqërinë dhe gjendjen fiskale të buxhetit të shtetit, e bënin imperative kryerjen e kësaj reforme pas vitit 2013.

Gjithnjë po bëhej më e qartë se pa këtë ndërhyrje, pa reformimin e sistemit të pensioneve të detyrueshme dhe aplikimin e drejtë të pensioneve vullnetare, në një moment do të bëhej e pashmangshme ulja e përfitimeve. Ndërkohë pranohet lidhja e dobët midis kontributeve të paguara dhe pensioneve të përfituara.

Cilat ishin efektet që dhanë ndryshimet ligjore në skemën e pensioneve?

Disa nga masat kryesore të reformës aktuale të pensioneve, në funksion të shpalljes së harmonizimit më të mirë midis kontributeve dhe përfitimeve janë: Heqja e tavanit të pensionit maksimal, rritja graduale e viteve të kontributit të sigurimeve shoqërore nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2025, mesatarisht 4 muaj çdo vit; rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, heqja e privilegjeve për njohjen e periudhave pa paguar kontribute për gratë, siç ishte njohja e viteve të studimit si vite të siguruara; vendosja e elementeve dekurajuese për dalje në pension të parakohshëm dhe inkurajimi i daljes vonë në pension, njehsimi i pagës minimale të kontributeve me pagën minimale zyrtare dhe indeksimi i pagës maksimale të kontributeve me rritjen e pagës mesatare, ndryshimi i formulës dhe koeficienteve të llogaritjes së pensioneve, me synim përforcimin e parimit kontributiv mbi bazën e kontributeve të realizuara gjatë gjithë periudhës së punës; vendosja e rregullave të përshtatshme për indeksimin e pensioneve duke aplikuar indeksimin (jo rritjen) vetëm mbi bazën e indeksit të çmimeve, vazhdimi i rritjes së normës së kontributit për zonat rurale duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane deri në vitin 2017 etj.

Reforma në vetvete dhe sidomos harmonizimi me luftën kundër informalitetit dhe evazionit në pagimin e sigurimeve shoqërore në zonën urbane dha frutet e veta, të cilat u shprehën qartë në rritjen e kënaqshme dhe relativisht të lartë të të ardhurave për vitin 2016 me një ritëm rritjeje prej 10.9 për qind, e cila mundësoi një raport pozitiv midis ritmit dhe shtimit të të ardhurave me shpenzimet. Por mjaftoi vetëm shtesa e shpërblimit në fundin e ri për pensionet, që ndonëse gjatë 2016-s u sigurua një ritëm më i lartë rritjeje i të ardhurave se ai i shpenzimeve, këto të fundit u shtuan në masën 6967 milionë lekë, ndërsa të ardhurat e sigurimeve shoqërore 6558 milionë lekë, pra më pak sesa shpenzimet. Kjo dukuri ka ndodhur, midis të tjerash, jo vetëm për efekt të shtesës së kënaqshme të shpërblimit të pensionistëve në fund të vitit 2016, por edhe për faktin se ecuria e reformës nuk ka dhënë efektet e pritshme, sidomos për pensionet në zonën rurale.

Ndryshe nga kontribuuesit dhe për rrjedhojë të ardhurat e ISSH në zonën urbane gjatë vitit 2016 janë rritur me ritme të larta, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me ato në zonën rurale. Sipas statistikave të ISSH-së, nëse për 9-mujorin janar-shtator të ardhurat e sigurimeve shoqërore nga të vetëpunësuarit në bujqësi për 2015-n ishin 1397 milionë lekë, në vitin 2016 ishin 1371 milionë lekë.

Pra, nuk ka ndodhur asnjë përmirësim në bilancin-deficitin e skemës së pensioneve të zonës rurale, ku shpenzimet shkojnë deri në 16 miliardë lekë, pra mbi 10 herë më tepër sesa të ardhurat. Po të kemi parasysh se edhe në vitet 2017-2019 në vazhdim deficiti i sigurimeve parashikohet të rritet duke vepruar si një faktor që shpie në thellimin e deficit të buxhetit të shtetit, bëhet e qartë se sfida për uljen e borxhit publik është një sfidë reale për financat dhe ekonominë shqiptare.

A ka nevojë për reformim të mëtejshëm skema e pensioneve?

Kjo sfidë është vështirë për t’u përballuar edhe për shkaqe alternativash politike, po të kemi parasysh se alternativa kryesore e forcës më të madhe politike aktualisht në opozitë është ulja e tatimtaksave, përfshi kontributin e sigurimeve shoqërore.

Kur ishte në pushtet që nga viti 2005, edhe kjo forcë politike ka ndjekur politikën e rritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore në zonën rurale. Ajo vazhdoi edhe nga maxhoranca deri në vitin 2015, por pa e rritur për vitin 2016, megjithëse në përputhje me reformën e pensioneve, ka një angazhim për vazhdimin e rritjes së kontributit për zonat rurale, duke e barazuar skemën e pensioneve të zonave urbane me ato rurale brenda vitit 2018, për të ulur subvencionet për sektorin rural. Por, me sa duket, reforma e pensioneve për sektorin rural ka ngecur si për sa i përket angazhimit për të shmangur evazionin e informalitetin, ashtu dhe për rritjen e nivelit të kontributit, duke mos e zvogëluar as deficitin e skemës së pensioneve në sektorin rural.

Ndërsa atakimi politik partiak i kryerjes së reformës së pensioneve, veçanërisht në këtë sektor, me prapavijë të mirëfilltë politike dhe elektorale, duke pretenduar se bëhet në emër të zbatimit të parimit të solidaritetit, është në fakt koracimi i egalitarizmit-barazitimit, që nuk ka munguar të shfaqet edhe në kushtet e ekonomisë së tregut. Por edhe vetë kryerja e reformës së pensioneve është penguar. Kjo duket qartë në mungesën e transparencës nga ana e ISSH, por dhe qeverisë për metodologjinë e llogaritjes së pensioneve në zonën rurale, për të ardhurat ose pagat e referencës që mbahen parasysh gjatë kësaj llogaritjeje, krahasuar me rastet e llogaritjes së pensionit në rastet e pagës minimale në sektorin urban.

Në këto rrethana nuk ka vend për vetëkënaqësi për kryerjen e reformës së pensioneve dhe aq më tepër të konsiderimit të saj si një bazë për reduktimin kreshendo të borxhit publik gjatë viteve 2017-2020. Kjo për faktin se shkaku është niveli i ulët i produktivitetit të punës së bujqësisë në zonën rurale, e cila i ushqen si evazionin e pagimit të kontributit të sigurimeve shoqërore, por nuk nxit dhe nuk mundëson as rritjen e nivelit të këtij kontributi deri në nivelin e pagës minimale në zonën urbane.

Koha kërkon që ISSH të mundësojë sa më shpejt e të informojë kandidatët për pension, si për nivelin e pagave për të cilat kanë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore në vite, pagat e referencës që përdoren për llogaritjen e tyre, metodologjinë e përdorur, por dhe pasqyrën konkrete të llogaritjes së pensionit për çdo individ. Kjo do të mundësojë që secili të shohë nëse shteti me legjislacionin e rregulloret përkatëse u ka hyrë në hak me pensionin e përllogaritur apo i ka favorizuar duke u dhënë më shumë sesa kanë kontribuar. Kjo është jo vetëm e nevojshme, por dhe e domosdoshme edhe për faktin se reforma e kryer gjatë vitit 2014, kishte në thelb një kontradiktë në vetvete.

Nga njëra anë kërkonte harmonizim më të mirë të përfitimeve me kontributet në dobi të këtij të fundit, ndërsa nga ana tjetër vendosi pensionin social. Siç dihet, pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotë- son kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social. Masa e pensionit social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura