Pëllumb Kulla i përgjigjet Leka Bungos: Se mban një valixhe gati, nuk bën keq!

SHPËRNDAJE

Aktori Leka Bungo në një deklaratë të tijën ditën e djeshme sqaroi pozicionin e tij, pse kishte firmosur peticionin e dytë për Presidentin ku kërkohej dekretimi i ligjit që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar.

Por sot në një letër të hapur, regjisori Pëllumb Kulla i është përgjigjur kolegut të tij.

Kulla në letrën e hapur  ndër të tjera shkruan:  Nuk e di se çfarë hapash do të ndërmarrë ambasada, për evakuimin qytetarëve amerikanë, por mua nuk më merakosin të tjerët. Mbase për ty mund të dërgohen marinsat dhe ndonjë avion i posaçëm që të të heqë që andej, por ku i dihet!

leka bungo

LETRA E PLOTË

Përgjigje Bungos

I dashur Lekë,

U qetësova për fatin tënd vetëm kur Presidenti Meta i trembur, e dëgjoi kërcënimin me luftë të kryetarit teatërdashës të PD-së, iu bind dhe e shpëtoi Shqipërinë nga Lufta Civile.

Por qetësimi përfundimtar ende nuk është siguruar, se ata që miratuan ligjin janë të çmëndur, nuk përfillin refuzimin e Metës dhe do të vazhdojnë atë që kanë në kokë. Dhe Basha, dihet, e mban gjithmonë fjalën, po përgatitet për luftë në vend të përgatitet për votime.

E kështu, atdheu i të parëve tanë është në prag të konfliktit të madh vëllavrasës.

Pra, se ti Leko, mban edhe një valixhe gati, nuk bën keq.

Nuk e di se çfarë hapash do të ndërmarrë ambasada, për evakuimin qytetarëve amerikanë, por mua nuk më merakosin të tjerët. Mbase për ty mund të dërgohen marinsat dhe ndonjë avion i posaçëm që të të heqë që andej, por ku i dihet!

Ik ti njëherë se je shumë i mënçur, (e kam thënë këtë!), je dhe shumë i vlefshëm (këtë s’e kisha thënë akoma, po ja e thashë tani. Fute në të thënat e mia dhe përdore sa herë të të nevojitet!) Largohu ti një herë, pa aty, pas ikjes tënde, le të bëhet qameti!

Veçse unë ta dij kokën dhe e dij që nuk do t’ia mbathësh. Unë të them bëj gati valixhen, por e dij që ti në vend të saj do të hedhësh mbi kurriz çantën e ushtarit. Dhe para syve të bashkëkohësve do të nisesh i vendosur drejt frontit të luftës.

Pak rëndësi ka se pastaj do kërkosh një vend ku të fshihesh! Se edhe këtë cilësi ta njoh mirë. Ti je i ndërgjegjshëm se teatrit botëror i duhesh i gjallë, jo i vdekur!

Të them të drejtën në këtë skenar të përgjakshëm, mua më vjen keq për të dyja palët ndërluftuese. Duhen kursyer dhe aktorët që manifestuan te oborri i dy ndërtesave, por edhe ca drejtorë që rrijnë në tako, si ato makinat e parkuara në hangar dhe presin të ndërrohen pushtetet që të marrin çelësat e drejtorive të teatrove të Tiranës. Edhe gjaku i tyre nuk ka pse të vejë dëm nëpër konflikte të tillë.

Pastaj si të mos të të dhimbset shoqëria civile, paçka se me luftën ajo mban të njëjtin epitet?! Mua psh më vjen keq edhe për z. Kabo. Në vitin ‘92 ai ishte ende profesor në katedrat e Shkollës së Partisë “Vladimir Iliç Lenin” dhe në dramaturgji kishte idhull Fadil Paçramin, po asnjeri nuk i mban mëri për këtë. Aq më tepër që ai i ka kthyer kurrizin të dy idhujve: edhe Iliçit dhe Fadilit. Asnjërin nuk e përmend më.

Se njeriu evoluon, Lekë. Është dialektike kjo. Njeriu ndërron mendje.

Por ja, Andi i Bushatajve nuk ia fal Robert Ndrenikës që të ndërrojë mendje! Edhe pasi falë këmbënguljes së këtij kryeaktori të rrallë, qeveritarët e sotmë u detyruan të ruajnë të paprekur truallin dhe ta ngrenë godinën, aty, ku teatri i ka mbledhur tërë jetën artdashësit! Andi, ky djalë i fismë që ka mend, sa të mbajë me bukë të tërë kanalet televizivë të Ballkanit, duhet të ishte më i kujdesshëm në fjalorin e tij për një individ që për nga vlerat që ka, nuk i gjen dot të dytë. Por prapë edhe për Bushatin më vjen keq të rrezikojë në luftë. Dituritë që ka ai për tëra fushat, nuk ia vlen t’i humbin në një palo luftë civile. Le të sakrifikohen të tjerë, por jo ai!

Një ndërkallje të shkurtër… Ore Lekë, është e vërtetë ajo ngjarja që më treguan, që në maternitetin e Tiranës një shtatzënë u ndodh në një lindje tepër të vështirë dhe tërë gjinekologët e vendit nuk i gjenin dot zgjidhje? Vërtet u detyruan të thërresin specialistë të gjinekologjisë nga Franca ,e Gjermania dhe tok me ta edhe dy kinezë? Dhe pasi edhe ata ngritën duart, se nuk dinin si të vepronin, pa, ç’pa, Shtëpia e Lindjes u detyrua të thërresë Andin?

Kjo më bën të vlerësoj jo vetëm atë por edhe Fevziun, Eni Vasilin dhe të tjerë, që për hallet e kombit e thërresin atë djalë, për “pleqërime” natë për natë.

Le t’i lutemi Zotit që flakët e luftës të kusejnë qoftë edhe një dorë të vetme artistësh që ashtu, si feniksi nga hiri, të ngrihen e të venë themelet e një teatri, daç me ndërtesë të re daç me këtë të vjetrën e në vëndin e rrafshuar, mes gërmadhave, të fillojnë shfaqjet e para.

Më vjen keq për njerëz që do të japin jetët pa e ditur përse i japin, por kur i përgjigjen apeleve si ky i Bashës, ata meritojnë respekt

Epo, more mik, të shuhet një popull në luftë të brendshme civile për një teatër! A nuk na bën krenarë kjo sakrificë sublime e një populli teatërdashës? E shmangëm luftën kur qe rasti i piramidave, ku njerëzit humbën shtëpi e katandi, shitën lopët dhe tufat e dhenve, vunë krahëve kallashnikovët e zotëruan tanke dhe avionë dhe ja ku jemi! Punë e madhe fort, për ca lopë e për ca topa! Por të prishet ai teatër që pas orës tre pasdite i perëndon dielli, ngaqë i bie hija e atyre ministrive të mëdha që ka përpara vetes, njerëzit nuk do ta lejojnë kurrë!

E në rast se ka vetëflijime biblike si ky, e derdhet gjaku i një populli për të, atëherë hapni rrugën, o grekë të vjetër të Eskilëve dhe Aristofanëve, edhe ju, o anglezë të mesjetës, me Shekspirët tuaj. Qëndroni në gatitu, para therrorisë së shqiptarëve, që për teatër, nuk ka popull të dytë t’ia kalojë në dashuri!

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.