Pasi përgënjeshtroi lajmin për arrestimin në Turqi, del fotoja e Ibrahim Licit së bashku me vëllain në Stamboll

Oct 27, 2022 | 18:02
SHPËRNDAJE

Panorama.al ka siguruar foton e të shumëkërkuarit Ibrahim Lici nga Turqia. Nga pamjet ai shihet në krah të vëllait të tij Mustafa Lici, në Stamboll. Në sfond të fotografisë shihet dhe ura e Bosforit.

ibrahim-lici

Mediat raportuan pak ditë më parë se Ibrahim Lici është arrestuar nga autoritetet turke për llogari të policisë shqiptare në lidhje me vrasjen e Endri Mustafës. Por ka qenë vetë Lici i cili në një reagim të kësaj të enjteje ka hedhur poshtë arrestimin e tij.

Ai ka deklaruar se ndodhet i liri dhe se për ngjarjen të cilën akuzohet ka dërguar në prokurori qelizat telefonike, që provojnë sipas tij se në momentin e krimit ndodhej në Tiranë.

“Jam i lirë. Nuk jam arrestuar. Lidhur me ngjarjen për të cilën akuzohem për vrasjen e Endri Mustafës, kam dorëzuar kamerat në prokurori dhe qelizat telefonike që vërtetojnë që unë kam qenë në Tiranë në momentin që ka ndodhur krimi.

Kjo është e vërtetuar me pamje dhe qeliza telefonike.

Unë pres vendimin e gjykatës për të zbardhur ngjarjen dhe për të çuar përpara drejtësisë autorët e vërtetë. Edhe për vrasjen e vëllezërve Bilali nuk kam qene asnjëherë nen hetim nga prokuroria dhe jam shpallur në kërkim nga policia, pra në kërkim policor si person për t’u marrë në pyetje vetëm se nuk jam gjetur në banesë.

Nuk kam pasur asnjëherë konflikt me vëllezërit Bilali. Shumë e çuditshme të kërkohet ekstradimi im në një kohë që nuk jam arrestuar dhe i bëj thirrje policisë të dalin në deklaratë se ku dhe kur më ka arrestuar sepse unë jam i lirë dhe në pritje të drejtësisë. Jetoj i lire ne Turqi dhe pres te zbardhet ngjarja”, deklaroi Lici.

SI U EKZEKUTUA 31-VJEÇARI ENDRI MUSTAFA

Endri Mustafa u ekzekutua në mënyrë makabre në mes të muajit maj të vitit 2021. Mustafa, baba i tre fëmijëve, u gjet në afërsi të bregut të liqenit të Shkodrës, në një vend i njohur si zona e Livadheve. Ai ishte vrarë me 6 plumba, njëri prej të cilëve në pjesën e gojës, dy të tjerë në kokë dhe 3 në gjoks. Nga këqyrja e trupit dyshohet se fillimisht ai është dhunuar dhe më pas është qëlluar me armë zjarri. Trupi i pajetë u gjet tri ditë pas denoncimit të zhdukjes në mënyrë të mistershme të 31-vjeçarit.

Ndërsa organet e hetimit akuzojnë si autor të vrasjes Ibrahim Licin, bashkëshortja e viktimës tha një vit më parë se me këtë familje kishin marrëdhënie të mira dhe se nuk ishin ata që e kishin kryer vrasjen. Prapa hekurave për ngjarjen është Ergys Malja, 16-vjeç, i cili dyshohet se e çoi viktimën në vendin e ngjarjes.

Nga hetimet e Prokurorisë, rezulton se Malja ka qenë ai që ka çuar Endri Mustafën në zonën e quajtur Livadhe, duke pretenduar se atje kishte mbjellë rreth 150 rrënjë kanabis. Në këtë zonë, ka ndodhur edhe vrasja e tij dhe sipas dëshmisë paraprake, Lici ka ardhur me motor dhe e ka qëlluar për vdekje me armë zjarri. Atë natë, adoleshenti ka shkuar në shtëpi dhe vetëm të nesërmen, ka çuar Policinë në vendin ku ishte fshehur trupi i pajetë.

“Më 15 maj, solla në banesë një qengj të blerë në Postribë pasi ma kërkoi Endri Mustafa, i cili më dha fillimisht 40 mijë lekë të vjetra dhe më pas, rreth orës 19:00 më dha edhe 70 mijë lekë të tjera.

Atë ditë kemi biseduar për punë hashashi, pasi i thashë se kisha mbjellë 150 rrënjë hashash ‘3-muajsh’ në Livadhe me dy shokë dhe doja t’i merrja. Endri më tha se do të më ndihmonte që t’i merrja t’i çonim në shtëpi për t’i tharë.

Pas kësaj bisede, u nisëm për në shtëpi. Rreth orës 22:00, u nismë për në Libvadhe, pasi u takuam te shtëpia e Endrit, u nisëm në këmbë, duke kaluar rrugën e ‘Bypass’-it dhe u kthyem djathtas për të dalë në vendin e quajtur ‘Gropa e ekskavatorit’, ku kisha hashashin.

Aty na doli përpara Ibrahim Lici me armë në dorë, duke qëlluar direkt mbi Endrin. Ai u shtri në tokë, duke i thënë: ‘aman mos më vrit pasha Zotin se kam fëmijë’. Ai e ka qëlluar përsëri edhe në fytyrë, duke i thënë ‘qofsh i xhenetit’. Pas kësaj, Ibrahim Lici është larguar me motor nga vendi i ngjarjes”, ka dëshmuar ai.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura