Pas vitit elektoral, rimbursimi i TVSH shënoi ulje me 62% në janar-mars 2022

May 3, 2022 | 10:50
SHPËRNDAJE

Rimbursimi i TVSH-së ndaj bizneseve në tremujorin e parë 2022 shënoi një rënie të thellë me mbi 62 për qind në raport me të njëjtën periudhe të një viti më parë.

tvsh-kupona-fiskal-630x349

Në janar-mars 2022 u rimbursuan 2.8 miliardë lekë nga 7.5 miliardë lekë në të njëjtën periudhe të vitit 2021. Rënia e madhe e fondeve këtë vit reflekton rritjen e pazakonte të vitit të kaluar, ku qeveria në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dyfishoi fondet e rimbursimit. Gjithsesi në 3-mujorin e parë të këtij viti fondi i rimbursimit të TVSH-se ishte me i ulëti në katër vitet e fundit edhe pse të ardhurat buxhetore u rriten mbi 27%.

Në tremujorin e këtij viti i rimbursuan 5.8 për qind e arkëtimeve të TVSH-së bruto, ndërsa gjatë të njëjtës periudhe të vitit 2021 u rimbursuan 19 % të arkëtimeve.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatime raportoi se gjatë periudhës Janar – Dhjetor 2021, janë rimbursuar në total 24,101 milion leke, rreth 46 % me shume se në 2020 (nga 15,608 milionë lekë e rimburësuar ne 2020) dhe rreth 42 % me shume se plani 2021 (17,000 milion lekë).

Vitin e kaluar janë miratuar dhe rimbursuar 1,244 kërkesa me një rritje 23 % krahasuar me 2020, pa llogaritur detyrimet me marrëveshjet që tatimet kanë me disa nga kompanitë e mëdha të investimeve që përfitojnë vlera të larta rimbursimi. Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2022 tregojnë se, nuk po mbahen të njëjtat ritme për rimbursimin edhe pse ekonomia ka vijuar të rritet.

Duke filluar nga 7 marsi i këtij viti aplikimet për rimbursimin e TVSH-së do të bëhen vetëm përmes platformës digjitale. Përmes këtij sistemi, Drejtoria e Tatimeve synon të eliminojë kontaktet fizike të punonjësve të administratës tatimore me tatimpaguesit, si një mënyrë për të shmangur çdo rast abuzimi.

Sistemi synon të garantojë transparencë të plotë në trajtimin e kërkesave sipas radhës, duke mundësuar në kohë reale përmes numrit të referencës edhe gjurmimin e statusit të aplikimit nga vetë tatimpaguesi, nё llogarinё e tij nё e-Filling.

Sipas ligjit personat e tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, që rezultojnë me tepricë kreditore mbi 400.000 mijë lekë, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për rimbursimin e TVSH-së pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Kjo kërkesë paraqitet sipas formularit të miratuar “Kërkesë për rimbursimin e TVSH-së” (online si dhe zyrtarisht pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve).

Ligjit thotë se, nëse një rimbursim, i cili duhej kryer nga administrata tatimore, nuk kryhet brenda afateve të mësipërme, administrata tatimore paguan kamatëvonesë për shumën e paguar më tepër. Psh kur një shumë e paguar më tepër kreditohet kundrejt një detyrimi tatimor tjetër, kamatëvonesa paguhet duke filluar nga data e pagesës më tepër deri në afatin e pagesës së tatimit, kundrejt të cilit bëhet kreditimi.

Gjithashtu kur një shumë e paguar më tepër rimbursohet, kamatëvonesa paguhet për periudhën nga 30 ditë pas bërjes së pagesës më tepër deri në kryerjen e rimbursimit.


Burimi: MFE

/Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura