Pas ‘sherrit’, PS-PD bashkojnë votat, Shqipëria me 9 minoritete. Kush votoi kundër

Oct 14, 2017 | 13:06
SHPËRNDAJE

Parlamenti miratoi edhe projektligjin e debatuar “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”.

Kuvendi

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike bashkuan votat për të miratuar me 102 vota pro ligjin, ndërkohë që 10 deputetë të LSI-së në sallë, votuan kundër.

Një qëndrim të tillë e paralajmëroi mëngjesin e së premtes edhe kreu i Grupit të LSI-së, Petrit Vasili. Maxhoranca vendosi të rrëzojë me votë të 9 amendamentet e paraqitura në seancë nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

“Të gjitha amendamentet janë në të njëjtën frymë dhe kanë të njëjtin objektiv. Në vlerë- simin tim, ky ligj kërkohej me qëllim plotësimin e legjislacionit, implementimin e tij, përmirësimin e standardeve dhe të sillte ridimensionimin e politikave të minoriteteve në vendin tonë. Fatkeqësisht, në formën që ka ardhur dështon në përmbushjen e katër objektivave”, deklaroi Dule.

Me këtë vendim, që nga kjo e premte, zyrtarisht, në Shqipëri janë 9 pakica kombëtare, ku më e reja është ajo bullgare.

 

Zyrtarisht, Shqipëria numëronte 8 pakica kombëtare, të cilat janë: pakicat greke, maqedonase, vllahe/arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe. Me vendimin e Parlamentit, bullgarët bëhen grupimi i nëntë i pakicave kombëtare në vendin tonë.

Debati për pakicat kombëtare në Shqipëri u hap për shkak të një ligji të sjellë në Parlament nga qeveria, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”, ku aty u kërkua edhe mendimi i grupimeve të ndryshme, pjesë e këtyre pakicave.

JUXHIN MUSTAFARAJ/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura