Parkut të Liqenit i shtohen 150 pemë të reja, Veliaj: Edhe dy muaj kohë për të kaluar 100 mijë pemët

Mar 2, 2019 | 12:39
SHPËRNDAJE

Thirrjes së Bashkisë së Tiranës për dhurimin e pemëve për qytetin i janë përgjigjur qindra biznese dhe sipërmarrje private. Për të dytin vit radhazi, Telekom Albania iu bashkua nismës së Bashkisë së Tiranës për shtimin e gjelbërimit në kryeqytet, duke dhuruar 150 pemë, të cilat u mbollën në pjesën jugore të Parkut të Liqenit Artificial.

lali

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi solidaritetin e qytetarëve dhe të bizneseve për të kontribuar në shtimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet. “Çdo dhuratë është për të thënë faleminderit, por sidomos dhuratat e mira, të bukura dhe të shëndetshme si këto 150 pemë, janë një bekim i vërtetë. Jam shumë krenar që jam kryetari i bashkisë së një qyteti ku njerëzit e shohin solidaritetin si pjesë të rëndësishme të jetës; siç shohin të bërit biznes, të shkuarit në shkollë, sportin, kështu shohin edhe bujarinë e solidaritetin, sidomos për t’i kthyer diçka mbrapsht natyrës”, u shpreh Veliaj.

lali1

Falë projektit transformues të Bashkisë së Tiranës, Parku i Madh i Liqenit ka dyfishuar hapësirat e tij, që deri 4 vite më parë ishin të zaptuara nga ndërtimet pa leje. Në një kohë të shkurtër, pavarësisht skeptikëve, Liqeni Artificial është kthyer në një nga vendet më të preferuara për qytetarët e Tiranës, jo vetëm për të kaluar kohën e lirë, por edhe për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive.

“Bashkia i ka kthyer qytetit diçka mbrapsht me Liqenin, është dyfishuar si sipërfaqe, tani duhet të dyfishojmë edhe pyllëzimin. Kemi vendosur që pemët që kemi marrë sot dhuratë të konturojnë shtigjet e vrapit dhe të biçikletave në pistat e reja që janë hapur. Mbaj mend, po flisnim para katër vitesh kur e nisëm këtë betejë, jo mos ma prek këtë, jo mos ma prek atë! Mbaj mend që ka qenë një pjesë e madhe landfill, digjeshin qese, plehra, shishe, mbeturina; herë pas here konflikt, herë pas here binte zjarr. Edhe komuniteti rom sot ka kushte shumë më të mira, por ama edhe qyteti ka rifituar një pjesë të parkut që s’e kishte parë prej vitesh”, deklaroi Veliaj.

Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me intensitet të lartë projektin e mbjelljeve të pemëve dhe të krijimit të Pyllit Orbital. Veliaj theksoi se për qytetin është e rëndësishme që kësaj nisme t’i bashkohen të gjithë ata që kërkojnë t’iu lënë fëmijëve të tyre një qytet më të pastër.

“Këtë vit jemi shumë pranë 100 mijë pemëve, por kemi edhe dy muaj kohë, ndaj do të ftoja të gjithë ata që duan t’i japin mbrapsht diçka Tiranës, kësaj Tirane të bukur e të madhe që i jep gjithmonë dashuri njerëzve, nëse duan t’i dhurohet diçka mbrapsht, dhurata më e bukur do ishte një pemë. Kemi plot arsye për të dhuruar dhe besoj se duke filluar nga kompanitë më në zë të vendit tonë e deri tek një shtëpi modeste, dhurimi i një peme është ndoshta gjëja më e bukur që mund të bëjmë në këtë sezon, për t’i dhënë Tiranës pak dashuri nga ajo që na jep përditë”, deklaroi Veliaj.

Përfaqësuesja e Telekom Albania, Ornela Bego deklaroi se nisma për mbjelljen e pemëve është një nga mënyrat për të shprehur kontributin në ruajtjen e mjedisit. “Ne ruajmë përgjegjshmërinë tonë edhe së brendshmi dhe dua të jap këtë mesazh edhe për kompanitë e tjera, por edhe për qytetarët, sepse edhe ruajtja e energjisë, e ujit, riciklimi i letrës, i mbetjeve, që çdo kompani ka brenda ambienteve të saj, është një kontribut mjaft i rëndësishëm përpos asaj që japim si qytetarë dhe individë”, theksoi Bego.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura