Paralajmërimi i Ramës: Veting edhe për politikanët, nga më i gjati te më i shkurtri

May 3, 2018 | 10:08
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Kryeministri Rama tha dje se pas prokurorëve dhe gjyqtarëve, vetingu do të vijojë dhe me politikanët. Qeveria nisi dje procesin e llogaridhënies para qytetarëve, ndërsa Kryeministri Rama, në dy takime me qytetarët, tha se para drejtësisë do të shkojnë të gjithë politikanët për të provuar se janë të ndershëm.

edi rama

VETINGU

“Ndërkohë, të gjithë atyre që thonë se si mund të mbarojë me kaq, domethënë, si mundet që njerëz që demonstrojnë pasuri marramendëse, ta mbyllin historinë vetëm duke u larguar nga sistemi, u them se ky është vetëm fillimi. Ky është vetëm fillimi, sepse ajo çka ne presim të realizohet përmes këtij procesi, është të ndërtohet një sistem, i cili është realisht i pavarur, është realisht efikas dhe është realisht i guximshëm mbi bazën e të gjitha atributeve që jep Kushtetuta, duke garantuar që të gjithë, pa përjashtim, edhe gjykatësit e prokurorët që largohen sepse janë ata që janë, edhe politikanët që prej 28 vitesh nuk kanë bërë gjë tjetër, përveçse kanë akuzuar njëri-tjetrin dhe kanë krijuar idenë se jemi të gjithë njësoj e të gjithë duhen futur në një thes, të përballen me këtë sistem dhe të ndahet më në fund shapi nga sheqeri, sepse nuk ka askund dhe në asnjë komunitet e në asnjë pyll, qenie që të jenë njësoj.

Njësoj si gjykatësit dhe politikanët, nga më i gjati e deri më i shkurtri, do duhet që të mos mjaftohen duke thënë jam i ndershëm, ai është hajdut, por të provohen si të tillë në varësi kush paraqitet e kush nuk paraqitet në Prokuroi e Gjykatë”, tha Rama. Sipas tij, për prokurorët dhe gjykatësit, vetingu sapo ka filluar.

“Rezultatet ju po i shihni çdo ditë përmes kanaleve të informimit publik dhe ato do të shkojnë duke u thelluar. Gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar do të largohen nga sistemi. Cilido dhe cilado që nuk është në gjendje të provojë legjitimitetin e pasurisë, nuk është në gjendje të provojë integritetin e vendimmarrjeve në të shkuarën, nuk është në gjendje të provojë aftësitë për të qëndruar në sistemin e ri të drejtësisë, nuk do jetë më pjesë e sistemit. E kjo është një arsye e fortë për të qenë optimistë për të nesërmen”, tha Rama.

“TEPSIA”

Kryeministri foli dje dhe për pushtetin që ushtron Partia Socialiste në të gjitha nivelet e administratës, duke kujtuar termin “tepsi”, që e përdori aq shumë në fushatën zgjedhore të 2017. “Kemi marrë votën jo për të marrë të gjithë tepsinë për vete, por për ta çuar tepsinë për krap”, tha Rama. Kryeministri shtoi se nuk duhet të ketë vend në administratën shtetërore për njerëzit e korruptuar, pavarësisht nëse janë edhe të Partisë Socialiste. “Pa ‘tepsinë’ në duart e PS-së, nuk do të ishte realizuar Reforma në Drejtësi dhe as procesi i vetingut, e për rrjedhojë vendi nuk do të kishte as rekomandimin për hapjen e bisedimeve me BE”, tha Rama.

OPOZITA

Për Kryeministrin Rama, kundërshtari i PS-së është vetvetja, ndërsa ironizoi opozitën, e cila nuk e rrezikon qëndrimin e tij në pushtet. “Kundërshtari i PS është vetja, ne nuk na mund dot askush tjetër, kjo dihet. Ne duhet të jemi vetëkritikë dhe të nxjerrim më të mirën nga vetja. Ne duhet të nxjerrim jashtë nga zyrat e shtetit ata që nuk e nderojnë PS dhe nuk e përfaqësojnë votën e atyre që i besuan PS. Ne duhet të mos tolerojmë askënd që kërkon ta mbajë peng këtë të avazit të vjetër të tepsisë së pushtetit, duke e kthyer në pozicion të PS në një mundësi për të ushqyer interesat e veta, të mikut, shokut dhe askujt tjetër”, tha Rama.

Një anëtar i PS-së, i pranishëm në takimin në Amfiteatrin e rikonstruktuar të Liqenit të madh të Tiranës, i kërkoi Kryeministrit Rama, të mbajë sa më gjatë pushtetin, sepse ardhja e PD-së është shkatërrim për të dhe për vendin. “Mos e braktisni Partinë Socialiste, sepse ne do na hanë të gjallë. Ne jemi 1% këtu. Nëse PS ka arritur në këto rezultate, kur vjen momenti dhe ne dorëzojmë pushtetin, ata e marrin për kokërr të qejfit. Kur të marrin pushtetin ne, ata e kanë çuar në gropë. Është gjynah, sepse jemi një forcë politike që na kanë zili të gjitha partitë. Është gjynah të dorëzosh pushtetin kot. Pushtetin mos e dorëzo qyl, si popull dhe si anëtar i PS. E kemi konstatuar me kohë. Ju lutem na mbroni, se o e bëni ju këtë vend, ose ikëm”, tha anëtari i PS.

“Unë ua them çdo ditë, nga të mundem, nga të gjithë udhëheqësit, se kam shumë udhëheqës rreth e rrotull, të cilëve u shërbej me përkushtim, është që ne, po të jetë puna për maçokun me çizme, për lejlekun, për dhelprën e për të gjithë kopshtin zoo-politik, jetojmë 1 mijë vjet”, u përgjigj Rama.

PLATFORMA

Kreu i qeverisë iu kërkoi qytetarëve që për çdo problem dhe shqetësim që kanë me zyrat e shtetit, t’i drejtohen platformës së bashkëqeverisjes, shqipëriaqëduam.al. “Me thirrjen që të gjithë ata të përdorin platformën, të mos humbasin kohë duke u ankuar, të mos humbasin kohë duke u sorollatur, duke kërkuar miq e duke kërkuar rrugë për të paguar për hallin që duan të zgjidhin, por thjesht të humbasin vetëm 3 minuta për të shkruar në platformë, me garancinë që brenda 10 ditësh të marrin përgjigjen që meritojnë dhe në rast se meritojnë atë që kërkojnë, marrin atë që kërkojnë, unë ju falënderoj të gjithëve dhe shpresoj që në këtë proces që fillon sot, ne të kemi sa më shumë kontakte dhe të mësojmë sa më shumë nga ju dhe nga të gjithë ata që do të na begenisin, duke na vënë në dispozicion veshët e tyre”, tha Rama.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura