Para se të na hiqni lëvizjen e lirë

Aug 26, 2015 | 13:09
SHPËRNDAJE

Preç-ZogajjPREÇ ZOGAJ

Ideja e anulimit të lëvizjes së lirë për katërshen ballkanike  Shqipëri-Serbi-Maqedoni-Mal i Zi po pluskon prej shumë muajsh, si një fantazmë në terr, në sinkron me eksodin e pandalshëm gjithnjë në rritje, të qytetarëve të këtyre vendeve drejt Gjermanisë. Kjo ide është përmendur nga deputetë, politikanë, zyrtarë të Bashkimit Europian, të Parlamentit dhe Qeverisë gjermane…

Herë si paralajmërim, herë si kërcënim. Azilkërkuesit nga Shqipëria nuk kanë dëgjuar nga ky vesh. Ata kanë vazhduar. Kalvari i tyre ka njohur dhe po njeh vetëm dyndje nga tokat dhe shtëpitë ku kanë lindur e janë rritur. Nuk janë prapsur as nga fati i keq i të kthyerve. Nuk ka reshtur e s’po rresht eksodi i shqiptarëve as duke u shkëmbyer në ajër dhe në tokë me kundëreksodin, me kthimin mbrapsht nga qeveria gjermane të atyre që e kishin përmbushur ndërkohë, pa sukses, aventurën dhe sprovën.  

Shkëmbimi i azilkërkuesve që nisen me azilkërkuesit që kthehen mbrapsht ngjan të jetë një fakt që ilustron këmbënguljen e marrë për të hapur një vrimë në ujë. Në të vërtetë, pikërisht kjo “marrëzi” tregon se sa e thellë dhe e epshme është vendosmëria për të ikur, sa unike është alternativa e ikjes aty ku përkeqësimi nuk njeh ndalje dhe shpresa për jetë s’ka më as formë, as përmbajtje.

Edhe unë kam bërë thirrje me gojë dhe me shkrime për të mos i rënë në derë Gjermanisë për një gjë që ajo e ka bërë të qartë se nuk e jep: azilin. Përveç respektit që ushqej për ketë vend të madh, pa mbështetjen e të cilit nuk mund ta çojmë drejt destinacionit ëndrrën tonë europiane, arsyeja pse jam bashkuar me korin e atyre që dekurajojnë eksodin ka qenë edhe fati i të kthyerve, të cilët kanë harxhuar kursimet e fundit apo kanë marrë edhe borxh për të shkuar në Gjermani dhe janë kthyer prej andej me gisht në gojë, me lot në sy, por jo të prerë në besë, sepse shteti gjerman i kishte paralajmëruar se nuk do t’i mbante. Të njëjtën thirrje e përsëris edhe sot.

Nuk kam besuar ndërkaq asnjëherë se në sfondin e dështimit me kosto të azilkërkuesve po luhej apo mund të luhej edhe një  humbje tjetër, akoma më e madhe për gjithë shqiptarët: Lëvizja e lirë, të cilën e gëzojmë që nga dhjetori i vitit 2010. Bindja ime ka qenë se Gjermania dhe Europa nuk mund të dënojnë një komb apo disa kombe për shkak të eksodit të një numri të caktuar qytetarësh në vështirësi të shtuara ekonomike.

Por jam lëkundur në këtë bindje dhe kam filluar të shqetësohem pas deklaratave që bëri para pak ditësh një ithtar i njohur i lëvizjes së lirë,  ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere, pra vetë i zoti i punës. Përballë numrit gjithnjë në rritje të azilkërkuesve, sidomos nga Shqipëria, që theu rekordin e saj në muajin korrik me 7633 kërkesa, zyrtari i lartë gjerman foli me dëshpërim për rrezikun e anulimit të Marrëveshjes “Shengen” për shkak të mosrespektimit të saj nga vendet përfituese që nuk janë ende anëtare të BE-së, siç është edhe Shqipëria.

Anulimi i lëvizjes së lirë, që ka qenë një ide, po konturohet në horizontin e reagimit europian si opsion.
Ne shqiptarët kemi një shprehje: bëjë o Zot, ëndërr! Nuk besojmë  kollaj pa e pësuar. Vendet e Europës kanë tabiate të tjera. “Bëjë  o Zot ëndërr”, them edhe unë. Por “bëjë, o Zot ëndërr”  nuk na ndihmon për asgjë për të shmangur kthimin e vizave, kthimit e radhëve të gjata dhe streseve të papërshkrueshme për një vizë, kësaj radhe në formë ndëshkimi dhe dështimi. Duhet t’i vëmë gishtin kokës.

Po rrezikojmë shumë. Për statistikë, Gjermania na thotë se jemi në vend të dytë pas Sirisë për sa i përket numrit të azilkërkuesve. Në fakt, po t’i bënin llogaritë për frymë popullsie, ne jemi ku e ku përpara Sirisë që ka një popullsi gjashtë herë më të madhe se ne. Me këto ritme largimi, ne mund ta shtyjmë në kohë mbajtjen e regjimit pa viza. Sa falë ngjarjeve të brendshme që do të hapnin një perspektivë ndryshimi dhe përmirësimi të gjendjes, aq edhe për shkak të vendeve fqinje që emigrojnë më pak se ne.

Europa dhe Gjermania nuk besoj se do të mund të merrnin një vendim penalizues ekstra për Shqipërinë. Por kjo është thjesht një hamendje. Nëse nuk bëjmë diçka të madhe për të ulur e frenuar eksodin, ndëshkimi i Gjermanisë mund të bjerë mbi ne dhe nuk do të kemi gojë për të folur.
Për t’i dalë përpara një vendimi që në fakt vazhdoj të besoj se nuk do të merret pa u shteruar të gjitha mundësitë e evitimit dhe për të mos folur pas pilafit, siç thotë një shprehje popullore, do të doja t’i drejtoja nga kolonat e gazetës “Panorama” një si një lutje palës gjermane, Ambasadës dhe ambasadorit gjerman në Tiranë, zotit Hoffman, drejtuesve të atij vendi dhe zyrtarëve europianë që merren me Shqipërinë.

Përpara se të mendoni kthimin e regjimit të vizave për shqiptarët, keni një mundësi të madhe t’i ndihmoni ata të mos e humbin arritjen e tyre më të madhe të dhjetë vjetëve të fundit pas hyrjes në NATO. Mundësia është ta shikoni drejt në sy hallin e tyre, të futeni dhe ju në brendësi të shkaqeve më të thella të eksodit të dytë, që rikthehet brutalisht në vitin 2015, pasi shqiptarët kanë parë botë me sy, të deklaroni hapur, pa diplomaci dhe ekuivoke, qëndrimet tuaja sipas informacioneve që keni për zhvillimet në vend. Shqipëria është anëtare e NATO-s, është kandidate për në BE, pra i ndan me ju sfidat e zhvillimit dhe demokracisë.

Qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë analizë serioze për shpërthimin e eksodit të dytë që po shkreton fshatra dhe krahina. Sot e gjithë ditën ka mbetur si një relikte e mendjelehtësisë shpjegimi i fillimit i Kryeministrit se shpërnguljen e venë në lëvizje grupet kriminale. Po të donim të bënim propagandë dhe lojëra fjalësh, do të na vinte për shtat ta pranonim këtë shpjegim dhe t’i kërkonim sot Kryeministrit: “Ku janë këto grupe, pse nuk kapen? Si ka ndodhur që po e rrisin aktivitetin nën hundën e qeverisë?”. Por nuk ia vlen. Me impulset gjithnjë në rritje, eksodi e ka ngordhur shpjegimin e zotit Rama.

Mekanizmi që ka vënë në lëvizje eksodin dhe s’po di të ndalet është  gjendja e rëndë ekonomike ku kanë përfunduar e përfundojnë çdo ditë qindra-mijëra familje. Nuk janë vetëm pasojat apo efektet e krizës botërore, të cilat në njëfarë mënyre e patën riformatuar në kornizën e modestisë dhe mbijetesës ekonominë e mijëra familjeve shqiptare në qytet dhe në fshat që pas vitit 2010.

Është një politikë e tërë pa bosht dhe ku rafsha mos u vrafsha e qeverisë Rama-Meta që ka prodhuar e prodhon jo thjesht përkeqësim, por pamundësi për të jetuar, vdekje të shpresës se gjendja mund të ndryshojë. Si mbërritën deri këtu në harkun e dy viteve? Askush nuk mund t’i tregojë arsyet më qartë se eksodi, arsye të cilat qeveria nuk do t’i shohë kurrë drejt në sy, sepse është vetë përgjegjëse.

Është e qartë se shqiptarët nuk mund t’i kërkojnë Gjermanisë   t’u rregullojë qeverinë dhe politikat e saj. Por Gjermania dhe vendet e tjera mike perëndimore kanë detyrimin të kuptojnë se vdekja e shpresës së shqiptarëve në eksodin e tyre të dytë biblik, pas më shumë se dy dekadave, nuk lidhet thjesht me gjendjen e vështirë ekonomike. Ne jemi mësuar të jetojmë në vështirësi.

E reja në eksodin e tanishëm është perceptimi gjithnjë e më popullor, i mbështetur në fakte të hidhura, se bashkë me shpresën për përmirësim, kjo qeveri po ia del të vrasë edhe mekanizmin që kanë në dorë qytetarët për të ndryshuar gjendjen: zgjedhjet e lira. Zgjedhjet e 23 qershorit, siç mund të kuptohet nga tërësia e parregullsive dhe shkeljeve që ka evidentuar raporti i parë i misionit të OSBE-ODHIR-it, kanë sanksionuar modelin e zgjedhjeve të rrethuara e të kapura me blerje votash, futje votash, blerje dhe sekuestrim kartash, kërcënime me embargo fondesh të bashkive ku do të votohej për opozitën, e tjerë, e tjerë.

Ishte kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian ai që deklaroi të nesërmen e publikimit të këtij raporti se sikur gjysma e shkeljeve të evidentuara të jenë të vërteta, zgjedhjet do të konsideroheshin të papranueshme për standardet e Eurupës. Këta zëra zakonisht propaganda qeveritare e Tiranës arrin t’i zhurmojë dhe relativizojë si mendime të një njeriu. Koha ka treguar se qeveritë e Tiranës ia dalin gjithashtu që, duke mobilizuar lobe e duke shfrytëzuar koniunkturat, të zbusin raportin përfundimtar të OSBE-ODHIR-it në krahasim me raportin e parë, ta katandisin atë as mish as peshk, tamam ashtu siç u leverdis manipulatorëve.

Kjo mund të ndodhë edhe kësaj radhe. SHBA, Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së mund të ndihmojnë që kjo të mos ndodhë. Këto vende do ta ndihmonin shumë popullin dhe demokracinë shqiptare, duke dënuar ashpër kapjen e zgjedhjeve nga qeveria dhe veglat e saj, shitblerjen e votës, sekuestrimin e kartave të identitetit dhe çdo shkelje tjetër që bie ndesh me standardet e zgjedhjeve të lira.

Kjo ka rëndësi për të kuptuar i madh e i vogël në Shqipëri se Europa nuk i pranon në klubin e saj manipulatorët e zgjedhjeve. Ekuivokët dhe oportunizmi në këtë pikë u japin   mundësi manipulatorëve të hiqen sikur e kanë grurë me Gjermaninë, sikur janë të preferuarit e Kancelares Merkel, e të tjera. Çfarë   shprese u mbetet njerëzve kur poshtëruesi i tyre, sekuestruesi i kartave të tyre të identitetit apo kryekomandanti i rrethimit të  zgjedhjeve, ia del të reklamojë me lloj-lloj marifetesh lidhjen e ngushtë me Berlinin?   

Një tjetër shkak pa precedentë në historinë e demokracisë shqiptare, që i shtyn fuqishëm shqiptarët për të ikur nga vendi, është krimi në sistem. Krimi në Shqipëri gëzon sot një status që nuk e ka pasur kurrë në piramidën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit. Përveç të emëruarve të shumtë në poste zyrtare nga bota e krimit, njerëzit e malavitës bëjnë ligjin dhe mbajnë njerëzit në terror në zona të tëra. Kush e njeh sadopak  natyrën e shqiptarëve, e kupton menjëherë se t’u vësh banda dhe banditë mbi kokë është poshtërsia më e madhe që mund t’u bësh atyre.

Kjo qeveri e bëri. Gjermania dhe Europa mund ta ndihmojnë Shqipërinë të çlirohet nga kjo gjëmë, duke folur hapur, drejt dhe me emra, duke adresuar përgjegjësitë politike, duke mbështetur  fuqishëm dekriminalizimin e iniciuar nga opozita dhe shefi i saj, Lulzim Basha. Ashtu siç kanë bërë e po bëjnë SHBA-të. Ka rrugëdalje dhe perspektivë për Shqipërinë në këtë skenar. Por kur zgjedhjet prishen dhe mbi kokën e njerëzve tundet orë e çast shkopi i dyfishtë i qeverisë dhe krimit, çfarë mund të bëjnë tjetër të pamundurit, veçse të kërkojnë kismetin në rrugët e Europës?! Kjo është një histori e vjetër sa bota. Përpara se të na ndëshkojë për pasojën, Gjermania është e lutur të na ndihmojë për  eliminimin e shkaqeve të eksodit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura